Situata alarmante në arsim, Ilir Meta: Boshatisja e Universiteteve, 100 degë pritet të mbyllen në 2025

15
Sigal

Nga Elbasani, ndërsa po mbahej një tryezë për arsimin, Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha të premten se shifrat e shpopullimit të vendit janë të frikshme. Sipas tij kjo po ndihet më shumë nga mësuesit e pedagogët që vënë re sesi zbrazen auditorët çdo ditë e më shumë. Kryetari i Partisë së Lirisë gjatë fjalës së tij tha se në vetëm 4 vite akademike janë humbur 20.000 studentë dhe se sipas tij në vitin e ardhshëm rreth 100 degë priten të mbyllen. “Shifrat e shpopullimit janë të frikshme, e ndjejnë më shumë mësuesit, pedagogët e edukatorët, sesi zbrazën vit pas viti auditorët. Pavarësisht gjithë kësaj situate, ajo që duket më qartë është vetë boshatisja e universiteteve, që është një proces që ndodh në të gjitha ciklet. Në 4 vite akademike kemi humbur 20 mijë studentë. Vetëm 4 vitet e fundit, veç nxënësve dhe studentëve që janë pakësuar, janë rralluar dhe mësuesit. Kemi 2 mijë mësues më pak dhe ka më pak interes për ndjekjen e degës së mësuesisë. Të 8-tët në botë për emigrimin më të lartë, për ikjen e trurit dhe renditemi me vendet që janë në luftë. 100 degë pritet të mbyllen vitin tjetër. Dihet se çfarë shuplakë ishin për qeverinë rezultatet e PISA dhe kjo nga politizimi i arsimit. Treguan që fëmijët, 70% nuk marrin kuptimin e asaj që lexojnë. Jemi të 69 nga 80 vende. Diferencë e frikshme me vendet e rajonit, Serbia e 38, Mali i Zi i 50, RMV 56. Kjo sepse mësueset nuk konsiderohen misionarë, por patronazhistë. Patronazhistë të njëri-tjetrit, të fëmijëve dhe të prindërve të fëmijëve.”- tha nga Elbasani Kryetari i Partisë së Lirisë Meta.