Silva Caka: Efekti domino i korrupsionit të Rilindjes, mijëra qytetarë pa punë

37

Ish-deputetja e LSI-së, Silva Caka, ka komentuar një raport nga Zëri i Amerikës, i cili analizon tre krizat me të cilat po përballet vendi. Sipas saj, korrupsioni i qeveria ”Rama” që nga viti 2013 është në kulmin më të lartë që ka parë Shqipëria. Thirrja e saj është largimi i qeverisë nga drejtimi i Shqipërisë.

”Deficenca në sistemin shëndetësor, bëri që vendi ynë të mbyllej totalisht për 3 muaj e në disa aspekte të biznesit, mbyllja ende vazhdon. Efektet e një shëndetësie që lëngon, u ndjenë nga bizneset dhe ekonomitë e vogla familjare; biznese të tëra falimentuan dhe ato që mbijetuan, po hasin çdo ditë keqmenaxhimin e mbledhjes së taksave, konkurrencën e pandershme dhe më pak klientë çdo ditë. Mijëra qytetarë humbën vendin e tyre të punës, aftësia blerëse e tyre ra ndjeshëm dhe si shpresë të vetme shohin largimin nga Shqipëria”.

Postimi i plotë

Efekti domino i korrupsionit të Rilindjes.

Korrupsioni në qeverisjen Rama që nga 2013 është në kulmin më të lartë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë. Treguesit dhe shifrat që vijnë nga raporte të ndryshme (DASH, BE, BB, FMN, etj.), tregojnë kalbjen në themel të funksionalitetit të shtetit. E ky korrupsion duket se nuk do të ndalet deri në largimin e tij e sektit të Rilindjes nga drejtimi i Shqipërisë. Megjithatë, korrupsioni në sistemin shëndetësor, është galopant dhe ç’është më e keqja, nuk ngeli i izoluar vetëm në këtë fushë.

Pandemia botërore e Covid-19, mënyra e menaxhimit të kësaj situate në vendin tonë, nxorën zbuluar qeverisjen e kalbur dhe të korruptuar të Ramës. Një sistem shëndetësor që çalon, me drejtues të paaftë e të korruptuar, me mungesën e madhe të profesionistëve, të cilët po largohen nga vendi çdo ditë e më shumë, me fonde të vjedhura dhe të shpërdoruara, me investime në PPP-ra që nuk i hyjnë në punë as dreqit, bënë që kjo situatë të menaxhohej në mënyrën më të keqe të mundshme.

Deficenca në sistemin shëndetësor, bëri që vendi ynë të mbyllej totalisht për 3 muaj e në disa aspekte të biznesit, mbyllja ende vazhdon. Efektet e një shëndetësie që lëngon, u ndjenë nga bizneset dhe ekonomitë e vogla familjare; biznese të tëra falimentuan dhe ato që mbijetuan, po hasin çdo ditë keqmenaxhimin e mbledhjes së taksave, konkurrencën e pandershme dhe më pak klientë çdo ditë.

Mijëra qytetarë humbën vendin e tyre të punës, aftësia blerëse e tyre ra ndjeshëm dhe si shpresë të vetme shohin largimin nga Shqipëria. Shqipëria u rendit ndër vendet që pati rënien më të madhe në ekonomi në pandemi dhe kjo si pasojë e korrupsionit dhe favorizimit të oligarkëve.