“Si munda të realizoj ëndrrën amerikane”

594
Sigal

PERSONAZH/ Ekskluzivisht për “Telegraf”, Peter M.Tase, djali nga Berati që u bë këshilltar i Presidentit të Paraguajit

Djaloshi nga Berati, rrëfen për herë të parë në shtypin shqiptar, në një intervistë ekskluzive, si u largua nga Berati dhe u bë një zë i madh në Amerikë në ndihmë të çështjes shqiptare. Kush është Peter Tase, si arriti ai të bëhet një zë i rëndësishëm në botë, analist i politikave të Amerikës së Jugut në Institutin e Politikave Amerikane në Washington DC dhe deri  Këshilltar i Presidentit të Paraguait, që fitoi në zgjedhjet e parakohshme, duke qenë President i parë i Partisë Liberale që prej vitit 1940.

-Z. Tase, duke ju falënderuar, që zgjodhët “Telegraf” dëshiroj ta nisim intervistën me pyetjen: Cila është familja juaj dhe në çfarë rrethanash jeni larguar në SHBA?

-Kam lindur në qytetin e Beratit, në tetor të vitit 1982 dhe disa vite të fëmijërisë i kam kaluar në lagjen Mangalem, në njërën prej shtëpive buzë rrugës së kalldrëmtë që të çon për në Kalanë e qytetit. Gjithë periudhën e fillim demokracisë e kam përjetuar si nxënës në shkollën 8-vjeçare “22-Tetori” dhe më pas si student në Shkollën e Mesme të Përgjithshme “Bab Dud Karbunara” derisa në vjeshtën e vitit 2000, së bashku me prindërit dhe vëllanë më të vogël, u larguam për në SHBA duke u vendosur në qytetin e bukur  Milwaukee të shtetit Wisconsin, ku jetojmë edhe sot.

-Pasi u vendosët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku i keni mbaruar studimet?

-Ishte 22 shtator i vitit 2000, kur shkelëm për herë të parë në tokën Amerikane. Unë dhe vëllai im ishim të vetmit studentë emigrantë dhe të parët shqipfolës në historinë e “Middle” dhe “High school” të Whitefish Bay-it në Milwaukee, më e mira në shtetin e Wisconsin-it. E përfundova shkollën e mesme në qershor të vitit 2001 dhe në vjeshtë u pranova në Universitetin  ‘Wisconsin’ në Milwaukee (UWM), ku mbarova studimet për Shkenca Politike dhe Literaturë Italiane. Në pranverën e vitit 2006, u pranova në Qendrën për qeverisje “Les Aspin” në Washington, ku, për gjashtë muaj, në të njëjtën kohë me studimet e programuara nga Qendra, punova në zyrën e Kongresmenit Richard Pombo. Gjatë qëndrimit tim në Kongres, mu krijua mundësia të kem kontakte me personelin e Ambasadës Shqiptare në Washington DC duke i shërbyer politikës shqiptare në realizimin e mjaft takimeve të rëndësishëm me anëtarë të Senatit dhe anëtarë të Kongresit Amerikan. Gjate vizitave të Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, znj. Topalli apo të Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, z.Mustafaj ku unë isha i pranishëm në rolin e përkthyesit, lanë një mbresë të pashlyeshme tek unë ato biseda diplomatësh, ku hidheshin piketa të një rrugëtimi të pakthyeshëm të Shqipërisë EuroAtlantike apo të pavarësisë së Kosovës që po lindte tashmë si shtet. Me një përvojë të pasur nga puna në Kongresin Amerikan në Washington, kthehem përsëri në Wisconsin, për të përfunduar Fakultetin dhe sapo u diplomova në dhjetor të vitit 2006, më erdhi edhe konfirmimi i kërkesës për  t’u bashkuar me Korpusin e Paqes dhe për të shërbyer në Republikën e Paraguait për më shumë se dy vjet.

-Çfarë ju shtyu që të aplikoni për të hyrë në Korpusin e Paqes?

-Kjo është një temë, e cila do të kërkonte shumë vëmendje, por edhe mjaft vend për t’u trajtuar. Si më lindi ideja për të shërbyer në Korpusin e Paqes…! Fare natyrshëm… Familja jonë u integrua shumë shpejt me një sistem, i cili ‘madhështinë’ e  vet e ka arritur mbi bazën e modelit të përkryer të demokracisë në shoqëri, liria e të shprehurit dhe e individit, diversiteti dhe respekti ndaj ligjit. Prindërit e mi erdhën në këtë botë të panjohur duke mbartur me vete vlerat humane të atij sistemi si dhe humanizmin profesional si mësues dhe mjek. Nuk ka se si të jetë ndryshe… “Dardha bie nën dardhë” thotë populli. Këto motive humane unë i pashë tek Korpusi i Paqes, ku gjeta vetveten, duke u “kthyer në origjinë” e duke përjetuar humanizmin e vërtetë të asaj bote, ku njeriu nuk vlerësohet nga paraja dhe ku “altruizmi” nuk ka hyrë ende në fondin e gjuhës guaranishte të indigjenasve. Shumë shpejt e ndjeva veten të barabartë mes vullnetarëve të tjerë amerikanë, që shkonin nëpër botë për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe që me punën dhe përkushtimin e tyre ata bëhen edhe një shembull për t’i treguar të riut amerikan se pjesëmarrja në ‘Peace Corps’ është mënyra më e mirë për të shprehur mirënjohjen ndaj këtij shteti që i jep mundësitë kujtdo dhe pa dallim për të çarë në jetë e për të realizuar synimet e veta.

-Cili ishte misioni juaj gjatë shërbimit në Paraguaj?

-Korpusi i paqes në Paraguaj ka filluar aktivitetin e vet në vitin 1967. Në kohën time ne festuam 45 vjetorin e këtij fillimi. Që nga hapja e aktivitetit në Asuncion, kanë shërbyer më shumë se 3900 vullnetarë dhe aktualisht shërbejnë rreth 210 vullnetarë në pjesën më të madhe të vendit. Funksionet kryesore të Korpusit të Paqes janë: Prezantimi i kulturës së vërtetë, demokratike Amerikane në popullsinë vendase, si dhe realizimi i projekteve në fushën e shëndetësisë, arsimit si dhe reformimi i pushtetit lokal. Vullnetarët e Korpusit të paqes prezantonin vlerat e vërteta të një të riu Amerikan, ndaj dhe përzgjedhja e kandidatëve bëhej duke kaluar gjatë një procesi  të gjatë dhe mjaft delikat. Mua më ra radha të shkoj në një zonë të thellë të Paraguait, më shumë se 440 km në Jug të Asuncionit. Kam punuar nga afër me mësuesit, infermierët dhe fshatarët e zonës duke bërë të mundur që secili prej tyre të kishte ndjenjën e përgjegjësisë dhe iniciativës për realizimin e mjaft projekteve në fushën e higjienës, arsimit dhe shëndetit publik. Krahas realizimit të programit të “Peace Corps” fillova të jepja edhe mësimin e gjuhës angleze në shkollën e mesme të fshatit. Unë pata fatin të jetoj në një fshat të largët të Paraguait, Teniente Sanchez, dhe të njoh nga afër jetën rurale, por edhe kulturën tipike paraguajane dhe, mbi të gjitha, të mësoj edhe gjuhën e tyre, Guarani, që është edhe njëra prej dy gjuhëve zyrtare në vend. Ndihem krenar që jam pjesë e këtij grupi vullnetarësh që sot përbëjnë më shumë se 130 mijë anëtarë që kanë shërbyer në më shumë se 134 vende të botës.

-Aktualisht me se jeni duke u marrë dhe çfarë planesh keni për të ardhmen?

-Pas kthimit nga Paraguaj, fillova studimet në “Institutin e Politikave Botërore” në Washington, për gradën Master në fushën e Sigurisë Kombëtare dhe Diplomaci. Njëkohësisht, kam bërë edhe një Internship në zyrën e Ambasadorit të Paraguai-t, duke forcuar, kështu, më shumë lidhjet me këtë vend. Gjatë muajit qershor dhe korrik të këtij viti, i dërguar nga ‘Washington Report on the Hemisphere’, si një ‘Research Fellow,’ ndërmora një vizitë të gjatë në Paraguaj, ku dhe përjetova nga afër ndryshimet e befasishme politike që ndodhën në Asuncion dhe që tërhoqën vëmendjen e shtypit botëror si dhe atij shqiptar. Krijova mundësinë që të bëja dy intervista me Presidentin e Paraguait, Dr. Federico Franco Gomez, para dhe pas marrjes së detyrës së Presidentit dhe të them të drejtën u befasova jo vetëm nga botimi në faqet e “Telegrafit” shqiptar të lajmeve mbi Paraguajin, por u ndjeva mirë edhe nga botimi i intervistës qe i kisha bërë presidentit të sapo zgjedhur. M’u kërkua që të jap disa intervista lidhur me situatën më të fundit politike në Paraguaj, në dy gazetat më të mëdha në vend si dhe në disa radio dhe stacione televizive. Mora shkas për të vlerësuar kulturën demokratike të popullit paraguajan për të zgjidhur në mënyrë paqësore dhe demokratike këtë situatë delikate që tërhoqi vëmendjen e gjithë botës. Më 11 Shtator, 2012, në bashkëpunim me UWM do të organizojmë një forum mbi potencialet që ka Paraguaj për investitorët e huaj, kryesisht Amerikanë, që do të zhvillohet në mjediset e këtij Universiteti  në bashkepunimin me komunitetin e biznesit në shtetin Ëisconsin.  Në këtë takim do të marrin pjesë edhe autoritete të larta që do të vijnë nga Asuncioni. Aktualisht, mbuloj pozicionin e ndihmësit të Sekretarit të Përgjithshëm të ‘Federatës Nderkombëtare të Shoqatave të Edukimit në Inxhinjeri’ (IFEES) dhe kërkesa nga ana e Gazetës mjaft të njohur per ne, shqiptarët e Amerikës, ‘Telegraf’ për të dhënë këtë intervistë, përkon me periudhën e fillimit në këtë pozicion, i cili do të më bëjë të mundur që, në të ardhmen, t’i shërbej jo vetëm politikave botërore, por në  veçanti, edhe vendit tim, si në politikë, po ashtu edhe në fushën e shkencës dhe të arsimit.

-Ju  mbetet kohë e lirë?

-Shpresoj se po. Pasi dëshiroj do të vazhdoj të merrem me projektin tim në fushen e përkthimeve për të prezantuar  në botën anglishtfolëse dhe në kontinentin e Amerikës Latine, poezinë shqiptare. Ky projekt i ka fillimet me përkthimin e më shumë se dhjetë autorëve shqiptarë dhe besoj se do te jetë shumë i suksesshëm.

-Ju Faleminderit z. Peter.

-Ju faleminderit ju dhe gazetës “Telegraf”