Ngjyra në kujtesë për një nga korifenjtë e pikurës shqiptare, Guri Madhi

1903
Sigal

Piktori i Popullit”, Guri Madhi është nga krahina më malore e rrethit të Korçës,nga Opari. Prindërit e tij ishin shpërngu lur nga Misrasi i kësaj krahine dhe ishin vendosur në qytetin e Korçës, pas Luftës së Parë Botërore. Në këtë qytet lindi edhe Guri në vitin 1919. Piktori i ardhshëm, pas mbarimit të shkollës fillore, vazhdoi shkollën teknike. Dhe, me që ajo u mbyll, u detyrua që në moshë fare të re të hynte në punë në kinemanë “Luks” të qytetit, ku punonte duke vizatuar afishet e kinemasë dhe zmadhimin e portreteve të artistëve të filmave kinematografike. Që herët Guri Madhi shfaqi talent të veçantë në fushën e pikturës, duke u bërë ndihmës i piktorit oparak, Spiro Xega. Ky i fundit u bë mësuesi i parë për mjeshtërinë e ngjyrave e të penelit. Në fillim riprodhonte portretet e tablotë e bashkëoparakut, Spiro Xega, i cili si piktor i traditës, ishte i pari që  çmoi talentin e Gurit, duke ia vlerësuar punimet. Edhe pse Guri nuk kishte marrë asnjë mësim për përdorimin e ngjyrave, korçarët mbeteshin të mahnitur nga ilustrimet që ai u bënte filmave të kohës si “Taras Bulba”, “Karavonu” etj.. Drejtori i Bibliotekës së Korçës, Nikolla Lako tregoi një kujdes të veçantë për tablotë e Guri Madhit. Ndërsa historiani dhe shkrimtari Ilo Mitkë Qafëzezi do t’i besonte djalit të ri, Guri Madhit, ilustrimin e veprës së tij “Dhaskal Todri”. Piktor i ardhshëm ishte edhe një atdhetar e patriot. Qe nga të parët në krye të demonstratës së vitit 1939 kundër pushtimit të vendit nga fashistët italianë. Ishte një nga pjesëmarrësit në Luftës Nacionalçlirimtare, duke dhënë një kontribut të veçantë në ilustrimet e buletineve të luftës. Pas çlirimit të vendit Guri Madhi caktohet piktor në Shtëpinë e Kulturës të qytetit të Korçës, duke përballuar një punë të vështirë e të lodhshme, që nga përgatitja e dekoreve, pllakateve e deri te tribuna për “1 Majin” e festa të tjera. Në vitin 1948, piktori i madh, Vangjush Mio, e nxiti të bënte një pikturë të tij dhe ta dërgonte në Konkursin Kombëtar, e cila u nderua dhe fitoi çmimin e dytë. Kjo bëri që talenti i tij të çmohej së tepërmi, aq sa në vitin 1950, dërgohet për studime në ish-Bashkimin Sovjetik. Që në mësimet e para të tij, u vu re e u çmua talenti i rrallë dhe niveli i lartë artistik i punimeve të tij, aq sa piktura e diplomës së tij “Bajram Curri” u çmua së tepërmi, duke u cilësuar një nga punimet më të mira të Akademisë së Arteve  të ish-Bashkimit Sovjetik Pas mbarimit të studimeve të larta, Guri kthehet në atdhe dhe, në vitin 1956 emërohet pedagog në Liceun Artistik në Tiranë. Ndërsa në vitin 1960 caktohet inspektor në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës. Në këto vite, ai ishte një nga iniciatorët kryesorë të krijimi të Institutit të Lartë të Arteve Figurative dhe caktohet pedagog i parë i tij. Në veprën e tij të madhe ndihet dashuria për punën, për njeriun e thjeshtë, dashuria për jetën. Janë të shumta ekspozitat kombëtare dhe ndërkombëtare që oparaku Guri Madhi ka hapur me portretet, tablotë dhe kompozimet e tij, duke u vlerësuar e nderuar gjithnjë me çmime të para. Veprat e tij shquhen për vërtetësinë jetësore, për skalitjen e karaktereve dhe harmoninë e ngjyrave. Disa nga arritjet e tij më të arrira mund të përmendim: “Turqit dorëzojnë armët”, “Skënderbeu”, “Ali Kelmendi” “Pëllëmbë e gjak”, “Kthimi me fitore”, “Çeta e Pezës”, “Gryka e Mezhgoranit’, “Mushqeta 1944”, “Për mëmëdhenë”, “Po lufton Idris Seferi”, “Gratë e Sopotit”, “Gratë e Kurvelehit”, “Bajram Curri” e shumë të tjera, të cilat jo vetëm janë ekspozuar në Galeritë e Arteve të vendit, por edhe jashtë shtetit. Tablotë, portretet dhe kompozimet e tij, kanë si kryefjalë luftën shekullore të popullit tonë për liri e pavarësi. Ai është piktor i ndjenjave të pastra dhe emocioneve të fuqishme. Vepra e madhe e Guri Madhit, qëndron ashtu si kishte emrin, gur i patundur në historinë e artit figurativ shqiptar. Ai ka një mori veprash në pikturë, kompozime, peizazhe, natyrë e qetë, qindra vizatime, punime në pastel etj. Edhe Guri Madhi, si mësuesi i rij i parë, Spiro Xega, nuk e harroi origjinën e tij, Oparin, duke trajtuar portrete për njerëzit e thjeshtë të kësaj krahine, që nga portreti i nënës së tij oparake e… me radhë. Vepra e Guri Madhit shpreh pasionin, dashurinë e njeriut të thjeshtë. Ai iu kushtua tërësisht artit dhe kulturës dhe krijoi vepra me vlera artistike plot ndjenja e pastërti, emocione të fuqishme. Ai do mbetet piktor i dashurisë, në kuptimin e gjerë të fjalës. Vit pas viti, hap pas hapi, përherë në heshtje, pa bujë, me modesti shembullore eci përpara, deri sa ndërroi jetë në vitin 1988 dhe meritoi plotësisht titullin e lartë “Piktor i Popullit. Ai ishte e mbetet një nga figurat e shquara, jo vetëm si piktor i madh, por edhe si njëri me horizont e kulturë të gjerë, që nderon jo vetëm krahinën e tij, Oparin, por gjithë vendin. Prandaj dhe Galeria e Arteve në Korçë mban emrin e tij.