Shtyrja e Konventës së LSI-së, Fusha: Kaosi në shëndetësi, na bën që të jemi dy herë më të kujdesshëm

357
Sigal

Kordinatori i LSI-së, Aldi Fusha thotë se shtyrja e Konventës së LSI-së për një moment tjetër, është për shkak të situatës së pandemisë së Covid-19, por Fusha nënvizon se asgjë s’mund ta ndalojë dialogun me qytetarin, me kujdesin për të ruajtur tjetrin. ”Kaosi në sistemin shëndetësor dhe mungesa e një plani të qartë nga kryeministri për ta lehtësuar këtë situatë, na bën që të jemi dy herë më të kujdesshëm në përballjen me Covid-19”,-shkruan Fusha në facebook.

Postimi i plotë

Të dashur miq, pandemia e keqmenaxhuar nga qeveria po kushton çdo ditë e më shumë jetë shqiptarësh. Kaosi në sistemin shëndetësor dhe mungesa e një plani të qartë nga kryeministri për ta lehtësuar këtë situatë, na bën që të jemi dy herë më të kujdesshëm në përballjen me Covid-19.

Për të mos rrezikuar jetën e njerëzve në këtë përkeqësim të situatës së Covid-19, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim ka vendosur shtyrjen në një datë tjetër të Konventës së planifikuar më 5 dhjetor.

Miqtë e mi, shtyrja e Konventës Kombëtare të 5 dhjetorit për shkak të situatës së pandemisë në vend nuk na shpërqëndron. Përkundrazi. Inkurajohemi për të punuar më fort, për të takuar njerëz e mbajtur shënim shqetësimet dhe problematikat e çdo zone.

Megjithëse në kushte të vështira, asgjë s’mund ta ndalojë dialogun tonë me qytetarin, gjithnjë me kujdesin për të ruajtur tjetrin. Kemi nisur bashkë një rrugëtim të pandalshëm drejt rotacionit të 25 prillit, për ta bërë Shqipërinë, shtëpinë tonë!