Shteti kyçet, zyrtarët ikin me pushime në plazhe

433
Sigal

Pothuajse në të gjitha institucionet e shtetit në Elbasan është paralizuar gjithçka. Drejtuesit dhe shumica e zyrtarëve kanë “çarë ferrën”, duke shijuar plazhet e vendit, apo edhe ato të huaja. Shumica e drejtorëve kanë preferuar plazhet e Greqisë dhe Turqisë, kurse zyrtarët e tjerë kanë pronotuar vila në Vlorë, Sarandë dhe Durrës. Duket sikur të gjithë drejtuesit dhe vartësit e tyre e kanë bërë me fjalë, duke lënë në institucione rojen, dhe dy-tre persona që vetëm, sa të arkivojnë dhe regjistrojnë ankesat dhe problemet e qytetarëve. 

Qytetarët thyejnë kokat në zyrat e boshatisura të shtetit
Ndërsa drejtorët, nëpunësat e administratës publike theken në këto ditë gushti nëpër plazhe, janë qytetarët hallexhinj, që vuajnë mungesën e efikasitetit të institucioneve të shtetit, pasi vetëm për një firmë, një vërtetim, apo edhe një sqarim që atyre u duhet për zgjidhjen e halleve dhe problemeve, u duhet të presin fundin e gushtit, kur të kthehet shefi, drejtori apo juristi ndërmarjes. Si mundet të boshatiset kështu gjithë administrate shtetërore, në ditët e gushtit? Nuk mundet që të kenë zyrat e shtetit një grafik pushimesh, që nëpunësit të bëjnë pushimet e tyre, në muajt e beharit, por edhe qytetarët të marrin në çdo kohë shërbimin e kërkuar? Përse në bizneset private nuk ndodh kjo, por vetëm në shtet?

11 ditë vetëm për të marrë një vërtetim te Tatimet
Dyndjet më të mëdha janë në Legalizimet, Tatimet dhe Shëndetësi, ku qytetarët hallexhinj u duhet të presin nën vapën përvëluese mbi 42 gradë, ardhjen me vonesë të rojeve, sekretareve, apo ndonjë zyrtari që rri 2 orë në kafene. Shefki Ulorja një qytetar elbasanas u shpreh për “Telegraf” se “Kam 11 ditë sot që shkoj për një dokument dhe një vërtetim te Tatimet, asnjeri nuk të jep përgjigje, asnjeri nuk të sqaron tek sportelet dhe zyrat e administratës, dje kam vajtur edhe në Zyrën e Legalizimeve, edhe atje ishte skandal, dhe përgjigja që mora ishte “janë me leje, xhaxha, deri në 1 shtator”. Qytetarët sorrollaten pa ditur se kur dhe kujt t’i drejtohen, ndërkohë që edhe gjysma e mjekëve dhe drejtuesve të Shëndetësisë, apo përgjegjësve të Qendrave Shëndetsore janë nisur drejt plazheve, duke mos lënë asnjë zëvëndësues. Pothuajse çdo ditë do të shikosh tek ambulancat dhe spitalet qytetarë që presin të vizitohen tek mjekë të specialiteteve, por kthehen pas shumë orëve me rekomandime në duar dhe të cfilitur. Kaotike paraqitet puna në këto muaj sezoni veror edhe tek Gjendja Civile, Zyra e Mandateve të Pasaportave të reja në Postë, kur dihet ardhja e emigrantëve, pikat e pagesave të faturave të energjisë dhe ujit të pijshëm, telefonisë, etj. Duket sikur vapa e madhe ka paralizuar shtetin në Elbasan, ku të vetmit që shikon rrugëve, të futur në ndonjë hije peme, janë policët e Qarkullimit Rrugor.

Shefat e administratës harxhojnë në plazhe milionat e lekëve të rrushfeteve që volën gjatë vitit
E boshatisur është edhe Prefektura dhe Qarku, e mbyllur është edhe dega e Tatimeve dhe Arkivës së Shtetit, duke lodhur dhe torturuar qytetarët për një firmë, vërtetim, apo diçka tjetër. Një ish-ushtarak tha për “Telegraf” se “kam mbi 10 ditë që shkoj për një vërtetim tek dega e Arkivit të Shtetit, e cila është kyçur dhe pritet të hapet, ndoshta nga fundi gushtit, ndaj më duhet të shkoj mes vapës në Tiranë, nuk e marrim vesh, shteti kyçet dhe ikën me pushime, qytetari duhet të presë ata sa të vijnë nga plazhet pasi kanë prishur milionat”. Edhe dega e Tatimeve është një rrumpallë e vërtetë në Elbasan. Punët e shumta mbarohen në kafenetë, që gjenden aty pranë saj, ndërkohë që në zyra nuk gjendet njeri fare. E njëjtë paraqitet gjendja edhe tek dega e Agjensisë Mjedisit, e cila prej muajsh është inekzistente, ndërkohë që Drejtoria e Shëndetit Publik ka 2-3 muaj që e fton të bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë punën zbatuese të ligjit ndaj ndotjes alarmante të KURUM. Me lejen e zakonshme verore, janë edhe magazinierët e institucioneve. Në repartin e mjekimeve në Ambulancën Qëndrore dhe ambulancat e lagjeve, nuk ka as fasho dhe jodio për mjekime të thjeshta, pasi edhe ndonjë inferimiere që takon të thotë se “kemi 1 muaj e ca pa marrë furnizime, sepse janë me leje të gjithë, shkoni në Urgjencën e Spitalit”. Vapa e madhe dhe rritja e temperaturave ka shkrehur pothuajse të gjitha institucionet e shtetit në Elbasan, por ndoshta kjo nuk është arsyeja e vetme. Nga ana e tyre qytetarët, të indinjuar shprehen se “shefat dhe drejtorët po prishin në plazhe milionat që kanë fituar gjatë vitit, kurse ne presim që ata të vijnë, por, edhe kur të vijnë, do t’u duhet nja 15 ditë të përqëndrohen në punën dhe postet e tyre, sepse i ka hutuar muzika dhe qejfet e pushimeve të gjata, të pas zgjedhjeve të 21 qershorit”.