Shteti i së drejtës nuk ndërtohet me ultimatume diktatorësh

390
Sigal

Intervistë me Av. Ledio Braho: Çdo tentativë e Parlamentit monopartiak në situatën e mungesa së Gjykatës Kushtetuese për të marrë kompetencat e Presidentit të Republikës, përbën grusht shteti. Ultimatumi i kryeparlamentarit ndaj institucioneve të drejtësisë për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese deri në 1 Janar 2021, tentativa e fundit e Ramës për të kapur Kushtetuesen përpara largimit nga pushteti më 25 prill 2021

Ledio Braho, konstitucionalist

Në lidhje me kufizimin e kompetencave aktuale të Presidentit të Republikës, edhe kjo kërkon ndryshime kushtetuese, por gjithsesi mendoj se nuk mund të kufizohen më shumë kompetencat e këtij organi, sepse do të cenoheshin edhe balancat e funksionimit të shtetit

 Rama, me projektligjin për Presidentin, do të kapë Gjykatën Kushtetuese para 25 prillit 2021

 Kryeministri Rama pardje nga foltorja e Parlamentit deklaroi se së shpejti parlamenti do të votojë ligjin e antishpifjes dhe do të sjellë për votim edhe një projektligj “Për kompetencat e Presidentit të Republikës”. Ledio Braho, konstitucionalist në intervistën për gazetën “Telegraf” shpjegon se kryeministri Rama me ligjin e antishpifjes, në fillimin e fushatës elektorale kërkon të bëjë shantazh ndaj medias, me gjoba dhe mbyllje portale e televizione. Ndërsa  me projektligjin për Presidentin, konstitucionalisti Braho argumenton se kryeministri Rama tenton që të kapë Gjykatën Kushtetuese para zgjedhjeve parlamentare, duke i hequr kompetencat Presidentit të Republikës për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Konstitucionalisti Braho pohon se, edhe ultimatumi i kryeparlamentarit Ruçi, që Gjykata Kushtetuese të fillojë në 1 janar 2021 është i pavlerë, pasi kryetari i Parlamentit nuk mund të urdhërojë dot KED, KLP dhe KLGJ, as Presidentin e Republikës, të cilët janë faktorët kryesorë të procedurave të përzgjedhjes të kandidatëve për anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ku e shumta, vetëm 1 anëtar i Gjykatës Kushtetutese mund të votohet deri në 1 janar 2021.

-Zoti Braho, kryeministri Rama, nga foltorja e Parlamentit, pardje përsëriti se do sjellë për votim ligjin e Antishpifjes, edhe pse BE, Komisioni i Venecias, organizatat ndërkombëtare të Mediave e kanë kritikuar shumë këtë projektligj. Sipas jush, përse kryeministri e risjell pikërisht sapo ka filluar fushata elektorale?

– Sipas opinionit të Komisionit të Venecias, paketa e ashtuquajtur antishpifje, në thelb, rrezikon që të sjellë chilling effect sa i përket lirisë së shprehjes në Shqipëri, duke dekurajuar zbatimin e kësaj të drejte nga mediat online, gazetarët apo dhe përdoruesit e rrjeteve sociale për aq kohë sa ligji nuk bën një dallim mes subjekteve të tij. Programimi dhe deklarimi në hapjen e këtij sesioni parlamentar të fundit të kësaj legjislature se do të miratohet paketa antishpifje, pa zhvilluar asnjë konsultim me grupet e interesit nën dritën e opinionit të Komisionit të Venecias, tregon qartazi se Kryeministri ka për qëllim të përdorë pikërisht këtë ligj për të shantazhuar me gjoba dhe mbyllje të gjithë portalet online që do të jenë kundër fushatës zgjedhore të kësaj mazhorance pas konsumimit tetë vjeçar të saj.

Gjithashtu, kryeministri pohoi po në Parlament, se brenda këtij sesioni parlamentar, do sjellë projektligj për kompetencat e Presidentit të Republikës. A mendoni se ka boshllëqe kushtetuese  dhe ligjore, ligji aktual “Për Presidentin e Republikës”?

– Institucioni i Presidentit të Republikës, sot që flasim, nuk ka një ligj që të detajojë më shumë se Kushtetuta dhe ligje të tjera specifike që parashikojnë kompetenca për Presidentin e Repulikës dhe normalisht që është i domosdoshëm, por kurrsesi që nuk mund të jetë ky momenti për një iniciativë të tillë ligjore pasi së pari jemi në kushtet e një Parlamenti monopartiak dhe së dyti në kushtet e një krize të thellë kushtetuese dhe institucionale mes maxhorancës aktuale dhe Presidentit të Republikës. Pavarësisht se ligji do të iniciohet për Institucionin e Presidentit të Republikës dhe jo për presidentin aktual, në klimën politike dhe ligjvënëse aktuale shqiptare, është e vështirë që të besohet se një nisëm e tillë është aq ortodokse sa ç’mund të pretendohet publikisht. Është për t’u theksuar që një iniciativë e tillë është kërkuar nga vetë ky institucion që në kohën kur President i Republikës ka qenë Bujar Nishani dhe kjo mazhorancë asnjëherë nuk e çoi përpara, ndërkohë që çuditërisht në fund të dy mandateve qeverisëse kujtohet se ka nevojë për një ligj të tillë. Duke u nisur nga historiku ligjvënës i kësaj mazhorance, që pothuajse të gjithë legjislacionin për Reformën në Drejtësi e ka konceptuar duke pasur në mendje edhe emrat që do të ishin pjesë e organeve të reja të drejtësisë, pritet që i njëjti malinjitet të ndiqet edhe për një ligj organik për institucionin e Presidentit të Republikës, për më tepër kur është e njëjta mazhorancë që për herë të parë inicioi dhe ndoqi deri në fund një procedurë parlamentare për shkarkimin e Presidentit të Republikës që është në detyrë.

– Duke patur parasysh, që në këtë parlament mungon opozita, domethënë elektorati, sovrani nuk është plotësisht i përfaqësuar, mungon edhe Gjykata Kushtetuese, pa konsultime të gjera me palët e interesuara, me Shoqërinë Civile, a është normale nga pikëpamja e kushtetueshmërisë, që të miratohet ligji “Për Presidentin e Republikës”?

– Siç e kam cituar dhe më sipër, nuk është momenti për një iniciativë të tillë ligjore, por me sa duket, nëpërmjet një ligji të tillë, në një moment që nuk është funksionale as Gjykata Kushtetuese, do të tentohet që të deformohen kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës në lidhje me emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që kjo mazhorancë ta kapë edhe Gjykatën Kushtetuese, para se të largohet nga pushteti.

Disa herë Presidenti aktual i Republikës ka përsëritur apelin, që Presidenti i Republikës duhet të votohet nga populli. Cila do të ishte në të mirën e demokracisë shqiptare aktualisht: Një ligj që Presidenti të zgjidhet nga Populli? Apo rishikimi i kompetencave të Presidentit, duke i kufizuar disa kompetenca kushtetuese?

– Zgjedhja e Presidentit të Republikës është e parashikuar në Kushtetutë dhe nuk mund të ndryshohet me ligj. Zgjedhja e Presidentit të Republikës nga populli duhet t’i nënshtrohet një debatit të gjerë në vend dhe mundësisht referendumit. Një ndryshim i tillë kushtetues prek thelbin e Republikës, duke e shndërruar Shqipërinë në republikë gjysëm presidenciale, ose presidenciale çka për rrjedhojë do të ndryshojë dhe kompetencat e organeve kushtetuese, duke i dhënë më shumë kompetenca Presidentit të Republikës. Një paketë e tillë, që prek thelbin e Kushtetutës së vitit 1998 të miratuar me referendum popullor, domosdoshmërit duhet t’i nënshtrohet sërish po referendumit popullor. Për sa më sipër, nuk mendoj se është momenti për nisma të tilla në kushtet e një krize të thelluar kushtetuese, ekonomike dhe shëndetësore. Pavarësisht vullnetit të Presidentit aktual, një çështje e tillë kërkon shumë më tepër maturi nga klasa politike dhe traditë në shtetformim, traditë kjo që i ka munguar Shqipërisë. Në lidhje me kufizimin e kompetencave aktuale të Presidentit të Republikës, edhe kjo kërkon ndryshime kushtetuese, por gjithsesi mendoj se nuk mund të kufizohen më shumë kompetencat e këtij organi, sepse do të cenoheshin edhe balancat e funksionimit të shtetit. Çdo kufizim i kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës me ligj, do të ishte antikushtetues, por në mungesë të Gjykatës Kushtetuese do të qëndrojë në fuqi deri në shqyrtimin e një kërkese nga Gjykata Kushtetuese.

– Kryeparlamentari Ruçi dje nga foltorja e parlamentit u dha ultimatum deputetëve dhe institucioneve të Drejtësisë që brenda 1 janarit 2021 të funksionojë  Gjykata Kushtetuese. Pyetja është: A është ky ultimatum një fakt, që deri tani Gjykata Kushtetuese nuk funksionon, sepse është peng i qëllimeve politike?

– Pas kaq shumë kohësh pa Gjykatë Kushtetuese, fenomen i paprecedent në demokraci, Kryetari i Parlamentit është personi i fundit që citoi një afat në lidhje me Gjykatën Kushtetuese, duke i dhënë dhe formën e një ultimatumi, që nuk dihet se kujt i drejtohej, sepse KED është organ kushtetues, të cilit nuk mund t’i drejtojë ultimatume, qoftë dhe Kryetari i Parlamentit. Edhe Presidentit të Republikës nuk mund t’i drejtojë ultimatume Kryetari i Parlamentit e po ashtu edhe KLGj, apo Gjykatës së Lartë, që kanë për kompetencë të zgjedhin tre anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Kështu që me rregullin e përjashtimit, ai ultimatum është për deputetët në detyrë, por që tashmë pa një vendimmarrje të KED-së as ata nuk mund të emërojnë askënd në Gjykatë Kushtetuese. Mundësinë e fundit që patën, e abuzuan, fakt ky i konstatuar edhe nga Komisioni i Venecias, kështu që atë ultimatum e shoh më shumë në formën e një autokritike dhe të një premtimi që sërish nuk do mbahet si para shqiptarëve, por po ashtu edhe para faktorit ndërkombëtar. Pas premtimeve të panumërta nga Kryetari i Komisionit të ligjeve, apo dhe nga deputetë të tjerë, që kanë qenë flamurtarë të draftimit të një reforme në drejtësi vetëshkatërruese, figura e fundit që mbeti për të dhënë një afat ishte pikërisht Kryetari i Parlamentit.

– A janë mundësitë ligjore, që Gjykata Kushtetuese të plotësohet deri në 1 janar 2021?

– Për mendimin tim është krejtësisht e pamundur, që viti i ri ta gjejë Shqipërinë me Gjykatë Kushtetuese funksionale. Brenda këtij viti mund të emërohet ndoshta dhe një gjyqtar tjetër, vakancë e hapur nga Presidenti i Republikës, pas shkarkimit të gjyqtarit Besnik Muçi, por dy vakancat e tjera që i përkasin Parlamentit, vështirë se mund të plotësohen, pasi procedura në KED u mbyll në muajin korrik pa kandidatë, të cilët mund të listoheshin nga ajo për t’ju dërguar Parlamentit për votim. Që Parlamenti të zgjedhë dy gjyqtarë, duhet që së paku KED të kualifikojë gjashtë kandidatë, që nga historiku i deritanishëm i kësaj procedure duket pothuajse e pamundur.

– A ka rrezik, që brenda një kohe të shkurtër, kolapsi i Gjyqësorit të paralizojë edhe gjykatat e Apelit?

– Gjykatat e Apelit janë pothuajse jofunksionale në të gjithë vendin dhe asnjë proces gjyqësor nuk kryhet në përputhje me afatet e parashikuara në ligj, çka sjell si pasojë edhe cenimin e parimit të procesit të rregullt ligjor, parim ky i sanksionuar në Kushtetutë dhe në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Çdo palë e një procesi në gjykatat shqiptare, nëse do i drejtohej Gjykatës së Strasburgut, do e fitonte gjyqin kundër shtetit shqiptar, pikërisht për shkak të shkeljes së këtij parimi.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA

 

Programimi se do të miratohet paketa antishpifje, pa zhvilluar asnjë konsultim, tregon qartazi se Kryeministri ka për qëllim të përdorë këtë ligj për të shantazhuar me gjoba dhe mbyllje portalet online, që do të jenë kundër fushatës zgjedhore të kësaj mazhorance

Nuk mund të jetë ky momenti për një iniciativë të tillë ligjore për Presidentin, pasi, së pari, jemi në kushtet e një Parlamenti monopartiak dhe, së dyti, në kushtet e një krize të thellë kushtetuese dhe institucionale mes mazhorancës aktuale dhe Presidentit të Republikës

Nëpërmjet projektligjit për Presidentin, në një moment që nuk është funksionale as Gjykata Kushtetuese, do të tentohet që të deformohen kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës në lidhje me emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që kjo mazhorancë ta kapë edhe Gjykatën Kushtetuese, para se të largohet nga pushteti

Kryetari i Parlamentit është personi i fundit që citoi një afat në lidhje me Gjykatën Kushtetuese, duke i dhënë dhe formën e një ultimatumi, që nuk dihet se kujt i drejtohej, sepse KED është organ kushtetues, të cilit nuk mund t’i drejtojë ultimatume, qoftë dhe Kryetari i Parlamentit

Është krejtësisht e pamundur, që viti i ri ta gjejë Shqipërinë me Gjykatë Kushtetuese funksionale. Brenda këtij viti mund të emërohet ndoshta dhe një gjyqtar tjetër, vakancë e hapur nga Presidenti i Republikës, por dy vakancat e tjera që i përkasin Parlamentit, vështirë se mund të plotësohen