Shteti e ka humbur toruan dhe funksionin e vet ligjor

520
Sigal

Konstitucionalisti Sokol Hazizaj: Kur cenohet liria për të protestuar, rezultati ligjor që kërkohet të arrihet është i njëjtë me bunkerizimin arbitrar të institucioneve. “Bunkierët” vërtetë nuk qëllojnë, por mbrojnë ata që shtien dhe japin urdhra për të goditur dhe helmuar. Kjo është përmbajtja dhe ideja e fundit ligjore e shfaqur nga shtetarët e sotëm…

Sokol Hazizaj, Kostitucionalist

Kur cenohet liria për të protestuar, rezultati ligjor që kërkohet të arrihet është i njëjtë me bunkerizimin arbitrar të institucioneve. Pra, kundër misionit të funksionimit të tyre.

Shteti e ka humbur toruan dhe funksionin e vet ligjor

Jakup B. GJOÇA

-Zoti Hazizaj, a janë domosdoshmëri ndryshimet e reja në Kodin Penal për ashpërsimin e dënimeve për ata që protestojnë?

  1. Përpara se të konstatoj mbi drejtësinë apo karakterin ligjor të ndryshimeve të propozuara së fundmi mbi të drejtën e protestës, korrigjoj se për nga koncepti që përflitet rëndom, pse jo dhe nga qeverisësit, saktësoj se ende në vendin tonë nuk ka ligj specifik për rregullimin dhe kufizimin e nocionit – protestë, por ekziston ligji për tubimet, ose saktësisht Ligji nr Nr.8773, datë 23.4.2001”Për tubimet’. Ky koncept është ngritur mbi parime shumë më të vyera se çdo përpjekje tjetër dhe i kujtdo individi që kërkon të frenojë ato jashtë dimensionit të së drejtës. Kujtoj që ligji sipërcituar ka në brendinë e vet konceptin human se e drejta për të protestuar është një e drejtë njerëzore që del nga një numër i të drejtave të njohura botërisht. Ndonëse asnjë instrument i të drejtave të njeriut ose kushtetutës nuk i japin atij të drejtën absolute për të protestuar, arsye për të cilën ekziston mirëqeverisja. Përveç kësaj, duhet pranuar se protestat dhe kufizimet në protestë kanë zgjatur për aq kohë sa qeveritë kanë kanë ekzistuar, ndaj shumë traktate ndërkombëtare përmbajnë artikulime të qarta të së drejtës për të protestuar. Është thelbësore për individët që janë të interesuar të protestojnë dhe organizatorët për të qëndruar të axhornuar dhe të vetëdijshëm, deri në realizim të interesave të tyre ligjore dhe tërësisht humane. Marrëveshje të tilla si Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht nenet 9 deri 11, si dhe Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike të vitit 1966, veçanërisht nenet 18 deri në 22, neni 10 i saj “e drejta e lirisë së shprehjes”, si dhe neni 11 “e drejta e lirisë së shoqërimit me të tjerët, duke përfshirë të drejtën e njeriut për të formuar dhe për t’u bashkuar me sindikatat për mbrojtjen e interesave të tij, sa kohë ato ekzistojnë. Në mungesë të tyre njerëzit vetorganizohen brenda frymës ligjore, duke u ndaluar të përdorin apo shpërndajnë ide dhe praktika të luftës apo urrejtjes kombëtare, racore apo fetare, apo të cenojnë sigurinë kombëtare, sic dhe parashihet në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike. Përqasja e kësaj filozofie me çdo kufizim të së drejtës, pa cenuar njëri tjetrin, kërkon qetësi, por kërkon dhe ndershmëri pse jo dhe idealizëm. Në këtë kuptim, situata ku ne vegjetojmë është ndryshe nga koncepti i sipërcituar dhe miratuar me ligje të veçanta në vështrimin historik. Pa hyrë në përsëritje të çka asaj që politika përdor rëndom, konstatoj sot ndodhemi në një atmosferë ligjore ku shteti e ka humbur toruan ose funksionin e vet ligjor, duke u bërë më i ashpër se çdo qytetar sado i çmendur mund të shfaqet ai për shkak të sëmundjes. Me pak fjalë, kur cenohet liria për të protestuar, rezultati ligjor që kërkohet të sillet është i njëjtë me bunkerizimin arbitrar të institucioneve, pra kundër misionit të funksionimit të tyre. Është e vërtetë që bunkerët nuk shtien, por ama mbrojnë ata që shtien dhe japin urdhra për të shtënë. Kjo është përmbajtja dhe ideja e fundit ligjore e shfaqur nga udhëheqësia.

– A do ta ulë kriminalitetin ashpërsimi i Kodit Penal?

– Është provuar nga eksperienca historike një fakt, të cilin dua ta sjell në vëmendje. Kur ligji formatohet ngurtësisht, sjell dhunë qeverisëse ose të kundërtën mosrespektim, duke e lënë kriterin e e përgjegjësisë së tij në haresë. Konstatoj një farë mendjemadhësie të mazhorancës së sotme, burimi i së cilës dihet nga të gjithë, por s’ka rëndësi të përsëritet. Gjithsesi është detyrë e secilit t’i kujtojë vetes dhe pushtetit që menaxhon përkohshmërisht se karrigia e pushtetit qëndron mbi tre këmbë, jo katër, kështu që ekuilibri është gjithmonë i brishtë. Ndaj çdo hap i pamatur dhe i nxituar në drejtim të kufizimit të së drejtës, duhet domosdoshmërish të vijë për pasojë të një matësi perceptimesh real dhe objektiv, jo të shtirur dhe nën presion. Është me vend të shihet ngushtimi marzheve të dënimit në të drejtën materiale penale, e cila për pasojë do të ulte në maksimum efektet e korrupsionit në politikat dënimore, shoqëruar me hapësira të gjëra të alternativave të dënimit. Ne ende vuajmë nga sëmundja e burgimit, si mjeti më i mirë i rehabilitimit të shtetasit, duke angazhuar gjithë shoqërinë në koston e saj, si dhe duke sjellë shpenzime buxhetore të pafundme. Ende jemi në standardin ligjor larg sjelljes evropiane, ku identifikohen qartë përgjegjësisë individuale. Legjislacioni ynë i mëshon gjithë shoqërisë në kurriz për fajin e një individi, kushdo qoftë ai. Arbitrariteti shfaqur shpesh herë në ndryshimet e pa matura ligjore, dhe përfitimi tyre prej një grupi të privilegjuar organizatash gjoja jo fitimprurëse, me të njëjtit individë, të cilët kthehen si lulja e diellit në shërbim të çdo “dielli” qeverisës, e ka ndryshkur procesin, duke e bërë atë jo produktiv. Rasti më i mirë është produkti i fundit i reformës në drejtësi, i cili për nga mënyra se si po perceptohet nuk ka sjellë risi të përmirësimit të nivelit të gjykimit ndaj politikë-bërësve.

– Këto ndryshime a mund të bëhen pa konsultime me grupet e interesit dhe pa Votën e Opozitës në Parlament?

– Mendoj se nuk duhet ngatërruar apo trajtuar në thelb cenimi i të drejtës së njeriut, ose garancia juridike që duhet të marrë ai nga institucionet, me të drejtën dhe detyrën e institucioneve për të marrë përgjegjësi në ruajtje dhe për të shtuar garancinë e të drejtës së njeriut. Në këtë kuptim duhet ndarë mirë përgjegjësia institucionale, pse jo dhe dënimore ndaj stimulimeve të panevojshme dhe në dëm të shëndetit të njerëzve, të shkaktuara këto nga përdorimi stimuluesve dhe mjekimi pakujdesshëm. Vija ndarëse është shumë e brishtë dhe delikate, e cila varet nga besimi, i cili ka humbuar para pangopësisë korruptive. Arsye për të cilën, më bën të ndaj të njëjtin qëndrim si më parë, duke sjellë në vëmendje jo dënimin si shpagim të papërgjegjshmërisë së njeriut me fytyrë kafshe, qoftë ai dhe mjek apo bujk, por kufizimin e vendimmarrjes dhe rritjen e kontrollit mbi përgjegjësinë individuale të çdo administratori publik. Mund ta zgjidh burgu këtë? Burgu rrit koston e mbajtjes së mjekut dhe bujkut në ambientet penitenciare, ul nivelin e shërbimit, por nuk sjell përmirësim të standardeve të tij. Mendoj se vendet evropiane e kanë ndriçuar rrugën me kohë të këtij shqetësimi, thjeshtë, duke futur konceptin e protokollit për të gjitha shërbimet, ku çdo devijim ndaj tij sjell përgjegjësi dhe për secilën përgjegjësi individuale, përfshirë dhe kryeqeveritarin etj., ekziston shtrëngimi ligjor, për më tepër shpagimi.