Kryebashkiaku Veliaj: Rrugë e re drejt autostradës Tiranë-Elbasan po kthen Lundrën dhe Mulletin në lagje urbane të Tiranës

19
Sigal

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi të hënën punimet në rrugën që lidh zonën e Lundrës me autostradën Tiranë-Elbasan dhe Unazën e Madhe, e cila lehtëson së tepërmi qarkullimin e automjeteve. “Për të gjithë ata që kanë punë në Tiranë apo në Elbasan, por jetojnë në këtë zonë të ndërmjetme, ky është një by-pass që e zgjidh jashtëzakonisht mirë çdo problematikë. Ftesa për të gjithë ata që janë duke punuar në zonë është që të sigurohemi që – teksa po punohet te rruga e Agallarëve, te ky by-pass mes Lundrës e Autostradës, te Liqeni i Farkës – të mos ndërpritet jeta dhe normaliteti në zonë. Shpeshherë, kur gjërat bëhen mirë, ndonjëherë bëhemi edhe ‘viktima’ të suksesit tonë. Ndodhin aq shumë punë, saqë gjithmonë ka nevojë për më shumë infrastrukturë, për më shumë ndërhyrje. Zona e Lundrës është një zonë që nisi kryesisht si zonë rurale, pastaj filloi me rezidencat, sot jo vetëm ka qendra tregtare private, por qendra tregtare publike, siç është “AgroTirana”, qendra jonë e shitjes me shumicë, apo edhe 4 shkolla private, që kanë ardhur ndër vite, apo edhe një ekspansion i jashtëzakonshëm që ka ndjekur autostradën dhe Unazën e Madhe, dhe që e ka bërë këtë një ndër zonat më të lakmuara të Tiranës. Secili prej banorëve të vjetër duhet të kuptojë që sot jetojmë në një Lundër ku është 3-4 fishuar vlera e pronës. Kjo do të thotë se ndonjëherë ajo sakrifica për 2-3 metra, në fakt përkthehet në 2-3 fish rritje të vlerës së pronës. Secili që di të bëjë llogari, kupton se ka një vlerë jashtëzakonisht të madhe. Sot, e thënë troç, prej këtyre investimeve të Bashkisë dhe këtij transformimi të Tiranës, të gjithë janë pasuruar”. Veliaj tha se urbanizimi i këtyre zonave e kanë kthyer edhe Lundrën dhe Mulletin në një lagje urbane të Tiranës. “Ftesa për të gjithë është bashkëpunim, bashkëpunim, bashkëpunim! Ku kemi bashkëpunim çlirohet energji dhe ecet përpara. Ku kemi pastaj ngecje e cic-mice të vogla, humbasim kohë shumë të çmuar, që s’e kthejmë dot pas. Do mundohemi të zgjidhim dy problematikat e fundit dhe shpresa ime e madhe është që, në fillim të verës, sidomos kur një pjesë e madhe e qytetarëve largohet për pushime, ne të kemi mbyllur gjithë këto kantiere në Farkë, që pastaj kur njerëzit të kthehen nga pushimet, të shohin një transformim total dhe një lehtësi shumë të madhe në komunikim. Gjasat janë që me këto ritme zhvillimi, gjithmonë e më shumë ashtu si Liqeni i Thatë është bërë tashmë një lagje e Tiranës, gjasat janë që me këtë zhvillim me këtë zgjerim, Lundra, Mulleti do bëhen gjithashtu lagje të Tiranës, tashmë urbane”, tha ndër të tjera Erion Veliaj.