SHQIPTARËT, TË PARËT PËR PËRDORIMIN E KOKAINËS

479
Petraq BARJAMI
“The Economist”: Ja pse Shqipëria është e para në botë për përdorimin e kokainës
Sigal

A është hetuar agjencia doganore, për tonelatat  e drogës  që kaluan nga Maqedonia në Itali përmes Shqipërisë?

“The Economisht” në një shkrim me titull “Pse kartelet fitojnë?” kushtuar përdorimit të kokainës shkruan, se sot në botë janë 18 milionë përdorues dhe paralajmëron se lufta ndajë drogave po çon drejt një krize të re. Britania, Spanja, Australia dhe Shtetet e Bashkuara konsumojnë kokainën më së shumti. Por përqindjen më të madhe e mban Shqipëria dhe 2.5% e popullsisë konsumon drogë, duke mbajtur kështu vendin e parë, raporton “The Economist”. “Kjo pasi Shqipëria është një vend tranzit për kokainën afgane”, arsyeton media prestigjioze. Plot 2.200 dollarë kushton një kile kokainë në xhunglën e Kolumbisë, por në Meksikë mund të shkojë 12 mijë deri në 16 mijë dollarë. Por, në Evropë e njëjta kile shkon nga 53 deri në 55 mijë dollarë.

Shqipëra “eksporton” tonelata drogë drejt Evropës

Edhe pse deklarohet nga qeveria dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, se është parandaluar kultivimi i hashashit, përditë në shtetet fqinjë në Itali dhe Greqi kapen nga policia “taksitë e detit”, skafet që mbartin tonelata hashash nga Shqipëria. Greqia alarmohet nga sasitë e drogës që vijnë nga Shqipëria. Të paktën kështu thuhet në një artikull të një prej gazetave më të mëdha greke “Kathimerini”. Gazeta ka nxjerrë shifrat që i referohen sasive të drogës së kapura në territorin e tyre, origjina e të cilave ishte nga Shqipëria. “Kemi arritur të konfiskojmë sasi të madhe droge, kryesisht kanabis, e cila arriti 232%, në dy vitet e fundit. Pavarësisht zbulimit të vazhdueshëm dhe gjurmimit përgjatë kufirit greko-shqiptar, ka ende shumë volum dërgimi”, shkruan gazeta greke. Ndërsa në brigjet e Italisë sekuestrohen thuajse përditë skafe me tonelata hashash. Pyetja e thjeshtë është: Ku janë të magazinuara këto qindra tonelata hashash në Shqipëri, që “eksportohen” në Itali e Greqi? Përse Policia jonë nuk mundet t’i zbulojë? Nga cilat molo nisen skafet e drogës? Si ka mundësi që policia jonë të mos i zbulojë? Si kanë mbërritur në Shqipëri skafet? Kush i administron ato? Policia e Shtetit nuk ka asnjë të dhënë, thua se skafet bëhen “mushkonja” nate…!

A u hetua agjencia doganore, për trafikimin e kamionit me dhjetëra ton drogë nga Maqedonia?

Në 10 shkurt 2017 një kamion me targa maqedonase kalon nga Qafa e Thanës, në Portin e Durrësit dhe zbarkon në Ankona, e ngarkuar me 8 ton drogë. Në të dy pikat doganore në Shqipëri, agjencia doganore shqiptare nuk arriti ta “zbulojë” dot 8 ton drogë. A hetoi prokuroria drejtuesit e kësaj agjencie doganore, për përgjegjësitë, apo ndoshta edhe lidhjet e tyre me trafikimin e 8 ton droge nga Maqedonia në Itali? Makina kalon doganën e Qafë Thanës me destinacion Hanin e Hotit. Mirëpo, pas një qëndrese shumë orëshe në Elbasan, në rrugë shoferi ndryshon destinacionin dhe del nga Porti i Durrësit për në Ankonë. Agjencia doganore që e lejoi në Qafë Thanë, a pyeti përse u ndryshua destinacioni? Agjencia doganore a lajmëroi policinë shqiptare për vonesën e papërligjur disa orëshe të kamionit në rrugë dhe paskëtaj, ndryshimin e destinacionit të daljes? Tek agjencia doganore a nuk ngjallën dyshime këto orë vonesë dhe ndryshimi i destinacionit të kamionit? Apo drejtuesit e agjencisë doganore, që mund të jenë të familjeve VIP janë të paprekshëm nga prokuroria, që të hetohen për përgjegjësi penale për lejimin e kalimit të kamionit me 8 ton hashash në Qafë Thanë dhe Portin e Durrësit? Cili hetues e prokuror mund të jetë naiv, që fajësohen vetëm punonjësit e agjencisë doganore dhe jo drejtuesit e agjencisë doganore? 8 ton kanabis në një kamion ishte! Thua se doganierët ishin kaq qorr e nuk e hapën fare ngarkesën e kamionit? Apo morën urdhër nga qendra, që të mos kontrollonin, por në “mirëbesim” të lejonin që kamioni i 8 ton kanabis të kalonte lirshëm në doganat e Qafë Thanës dhe Portit të Durrësit? A ka prokuroria përgjigje për këto pyetje, pas 1 vit e gjysmë hetimesh?