Berisha: Ja kemi dalë të ndryshojmë Shqipërinë!

Hapet tuneli i Kërrabës, i autostradës Tiranë-Elbasan, e cilësuar si vepra e dytë më e madhe publike në vend

Sigal

Në ceremoninë e inaugurimit të tunelit, Kryeministri Berisha theksoi se, sot u realizua ëndrra e gjeneratave. “Urime më vëllazërore për këtë ditë, e cila do të mbetet në memorien tonë si një ditë e krenarisë sonë individuale, e krenarisë sonë kombëtare sepse ne, sot më 16 qershor të vitit 2013 bëjmë të vërtetë, realizojmë një ëndërr tonën, një ëndërr të gjeneratave të tëra, të cilat ëndërronin që një ditë Elbasani, ky qytet i shpirtit dhe zemrës së bardhë të shqiptarëve, djepi i dijës dhe i shkollimit të bashkohet me Tiranën nëpërmjet një tuneli. Emocionet janë të mëdha dhe ato nuk kanë të përshkruar por kënaqësia është shumë e madhe sepse sot në 16 qershor vendi që vetëm 6 vite më parë kishte rrjetin rrugor më të shkatërruar dhe më të prapambetur po çan malet, po ndërton tunele, kryevepra inxhinierike, po ndërton realitete të reja gjeografike, ekonomike dhe sociale”,- tha Berisha.

Blushin e pres në seli të marrë teserën e PD-së

Ndërkohë, Kryeministri Berisha ftoi deputetin e PS-së Ben Blushi që të mbajë fjalën e dhënë dhe të marrë teserën e Partisë Demokratike.

Modeli ynë është ai i zhvillimit!

Berisha theksoi më tej se kjo rrugë përbën një rëndësi të madhe për tregun e Tiranës dhe Elbasanit, pasi të dy qytetet afrohen shumë me njëri- tjetrin. “Me tunelin ne bëjmë që tregu i madh i Tiranës dhe Elbasanit të shkrihen në një. Ne bëjmë që prodhimet të vijnë në tregun më të madh të vendin me koston më të ulët. Me këtë rrugë, jo vetëm Elbasani, i cili vjen në Tiranë për 20 minuta, por edhe Korça, Bilishti e Kolonja vijnë në Tiranë një orë më shpejt. Kjo autostradë është segmenti më krenar dhe i pavdekshëm i korridorit tetë. Shqipëria inauguron sot segmentin më të rëndësishëm në territorin e saj, në korridorin 8, duke u shndërruar gjithmonë e më shumë një nyje ekonomike në Ballkan dhe Adriatik. Ne ndërtuam Rrugën e Kombit, po ndërtojmë autostrada në 4 anët e vendit, ndërtuam autostradën Lushnje-Fier-Vlorë, Levan-Tepelenë-Gjirokastër. Sot çdo shqiptar nga Konispoli në Vermosh nga Hani i Hotit në Gjirokastër udhëton në rrugët më moderne. Modeli ynë është modeli i zhvillimit. Tuneli që sapo inauguruam, qindra e qindra qendrat shëndetësore, shkollat, subvencionet për fermerët, dyfishimi i rrogave dhe pensioneve janë të gjitha mbështetje për të gjithë qytetarët, pa dallim, demokratë apo socialistë.  Modeli ynë  është ai i punësimit, i rritjes së rrogave, modeli ynë është i integrimit në BE. Ftoj të gjithë qytetarët e Elbasanit të bashkohemi në përpjekjen tonë për Elbasanin e zhvilluar, për Shqipërinë e zhvilluar.  Të bashkohemi për të bërë realitet projekte të tjera të mëdha, kaskadën e Devollit, qindra HEC-e, ndërtimin e TAP-it, për të ndërtuar çdo rrugë të qyteteve dhe fshatrave tona.  Ky është modeli ynë”,- tha Berisha

Modeli i opozitës është alternativa e bllokimit

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha e konsideroi ndërtimin e këtij segmenti si simbolin e modelit, të cilit ai i ofron qytetarëve, përballë alternativës së bllokimit të Partisë Socialiste.

Inaugurimi i By-Pass-in e Fierit

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha premtoi se gjatë viteve të ardhshme zhvillimi i vendit do të vijojë me ritme më të shpejta. Kryeministri vlerësoi alternativën e Partisë Demokratike ndërsa sulmoi sërish Kryesocialistin Rama duke theksuar se, alternative e tij është ajo e nxirjes së çdo arritjeje Kryeministri Berisha u ka bërë sërish thirrje socialistëve dhe demokratëve që  të bashkohen në 23 qershor për të votuar PD-në dhe zhvillimin e vendit. “Këto janë mendjet e autobusit mavi, këto janë mendjet e Koços që e përzutë nga Fieri dhe iku në Vlorë.  Prandaj dhe ju ftoj që në 23 Qershor, socialistët, demokratët, ata pa parti të bashkohemi në alternativën e ndërtimit të infrastrukturës më moderne, e zhvillimit të fermave.  T’i lëmë ata mjeranë në autobusin mavi dhe t’i lëmë në historinë e harresës dhe ne le të shkojmë përpara”, shtoi Berisha.

Ja kemi dalë të ndryshojmë Shqipërinë

Partia Demokratike në turin e saj të fushatës elektorale, është ndalur mbrëmjen e djeshme në qytetin e bukur bregdetar të Vlorës. PD-ja pasi kaloi me sukses testin ndoshta më të vështirë të fushatave elektorale, me një miting madhështor në hapjen e fushatës në këtë qytet, pasditen e sotme ka mbledhur me mijëra qytetarë të këtij qarku, të cilët kanë mbushur  sheshin “Pavarësia” duke i dhënë atij ngjyrën blu dhe duke e bërë njësh me detin.

PD: RAMA PO UDHËTON PËRTEJ ÇDO IMAGJINATE MAVI

Partia Demokratike reagoi dje ndaj deklarimeve të bëra nga Vlora prej kreut të socialistëve Edi Rama. “Më i çoroditur se çdo ditë, Edi Rama tha sot se Vlora ka  mbetur me rrugën e Austro-Hungarisë! Mund t’ia hedhësh po ta bësh këtë deklaratë në një planet tjetër, ku askush nuk ka informacion, ose në autobusin mavi, xhamat e zinj të të cilit nxijnë çdo gjë të Shqipërisë reale! Por ta bësh këtë deklaratë në Vlorë, para gjithë Vlonjatëve e Shqiptarëve, të cilët ecin në rrugët e ndërtuara nga Partia Demokratike, të cilët shpenzojnë më pak kohë dhe para me udhëtimin sot, është përtej çdo imagjinate mavi!!!”, theksoi zëdhënësja Laura Vorpsi.

TOPI: PARLAMENTI I ARDHSHËM TË DREJTOHET NGA NJË POLITIKAN MODERATOR!

Në vazhdim të takimeve zgjedhore në kuadër të fushatës zgjedhore FRD-ja, zhvilloi dje  një takim me qytetarët në Gjirokastër.  Nga ky qytet kryetari i FRD bëri thirrje gjithë shqiptarëve që një javë  para zgjedhjeve të 23 Qershorit, të intensifikojnë në maksimum takimet,  të tërheqin dhe të bindin sa më shumë njerëz që  mbështesin alternativën  e FRD-së duke i shndërruar 7 ditët deri në 23 Qershor javën më të  rëndësishme në vendimmarrjen e tyre.

SPAHIU: BERISHA MERR FUND PAS 7 DITËSH

Aleanca Kuq e Zi u tubua në qytetin e Vlorës. Mijëra mbështetës mbushën bulevardin kryesor  Skelë-Sheshi i Flamurit. Në fjalën e tij përpara simpatizantëve dhe qytetarëve të Vlorës kreu i Aleancës Kuq e Zi, z.Kreshnik Spahiu u shpreh se, qyteti i Vlorës nuk meriton që të drejtohet as nga demokratët dhe as nga socialistët.