Shqiptarët paguajnë rreth 5,3 mln. euro për 41 deputetët që vetëm ngrohin karrigen në Kuvend

25

Parlamenti që s’duam! 1/3 e deputetëve nuk folën asnjëherë, seanca që zgjatin 8 minuta dhe injorim i ligjeve

Sigal

 

Sipas të dhënave që ka nxjerrë Ministria e Financave, kostoja totale që shpenzon shteti për 1 deputet me sistemin e pagave të reja, shkon në 74 milionë lekë të vjetra në vit, ku është përfshirë i gjithë trajtimi, që përcakton ligji për deputetët. Nga kjo vlerë, 55 milionë lekë në vit janë paga e shpërblime; si karburant, fjetje në hotel, bileta udhëtimi, dieta ushqimore, pagesë telefoni, pagesa për çdo mbledhje komisionesh parlamentare, qira banese etj. Pra një deputet kushton 129 mln në vit, kurse 41 deputetë që nuk kanë folur asnjëherë, minimalisht njëherë për shqetësimet e popullit që i ka besuar me votë, e gjithë ‘çeta’ mospërfillëse merr rreth 5,3 mln euro në vit. Ata janë aty kryesisht për shkak të lidhjeve personale me liderët politikë, ndikimit klientelist në zonën zgjedhore, aftësinë ne menaxhimin e votës lokale apo për shkak të sistemit të shkëmbimit të ndereve dhe privilegjeve me oligarkë, apo politikanë të lartë.

Seancat plenare u bënë të shkurtuara për shkak të incidenteve të shumta fizike në parlament, − një vendim është marrë në vetëm 2.4 minuta, dhe se 8 seancat janë zhvilluar në vetëm 97 minuta. Statistikisht një seancë plenare ka kosto të lartë buxhetore (10−12 mijë euro) dhe zhvillimi i tyre në 4 ose 8 minuta e bën funksionin e deputetit profesionin më të paguar për minutë në Shqipëri”…

 

Shtetarët dhe politikanët shqiptarë, prej 23 vitesh po vazhdojnë të krijojnë privilegje shërbimesh dhe pagesash për veten e tyre. Kur është fjala për ato që kanë lidhje me kërkesat jetike të popullit si rritje pagash, ndarje banesash sociale, rritje ndihme ekonomike, rritje pensionesh invaliditeti, për ulje çmimi energjie, uji, ushqimesh, transporti, librash, shkollimi, ilaçesh etj. Ata bëjnë premtime butaforike, por vendimet për to i zvarritin me vite… pa i votuar, duke i futur nëpër amendime e projektligje pa fund, me debate të qëllimshme fiktive. Ndërsa ligjet që “rregullojnë” pagat dhe privilegjet e tyre të majme, i hartojnë në unison e në heshtje në komisione parlamentare, i votojnë në parlament dhe i zbatojnë “brenda ditës”. 

Parlamenti gjatë vitit 2023 na ofroi performancën e tij më të dobët në këto 33 vite pluralizëm politik, çfarë tregohet më së miri edhe në raportin e Institutit të Studimeve Politike.

Të dhënat cilësore të bilancit politik 2023, sidomos të sesionit parlamentar të vjeshtës (shtator− dhjetor) dëshmojnë se ky vit, ndryshe nga pritshmëritë, përbën një shans të humbur për reforma dhe kthim pas në integritetin e institucioneve dhe maturisë politike.

Sipas këtij raporti, Kuvendi nuk shënoi progres në funksionin kushtetues të kontrollit mbi pushtetin ekzekutiv, si dhe nuk përmbushi funksionin e vet zgjedhor, duke krijuar 23 vakanca, përfshirë vakancën për Avokatin e Popullit dhe Komisionerin kundër Diskriminimit, dy institucione me rëndësi në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Gjatë këtij viti u vendos rekordi i penalizimeve disiplinore ndaj deputetëve, me 63 të tilla. Gjithashtu, një shkelje e rëndë e Kuvendit është injorimi me vetëdije i disa procedurave dhe rregullave të rëndësishme të aktivitetit parlamentar, duke sjellë vendime me procedurë të përshpejtuar apo duke shkelur afatet ligjore në nismat e tjera, duke çeduar në dokumentacionin e akteve ligjore dhe konsultimin publik, si dhe duke injoruar pothuajse të gjithë praktikën e mekanizmit të shqyrtimit dhe miratimit të ligjeve në seancë. Në asnjë nga seancat e periudhës 30 tetor − 21 dhjetor nuk pati numërim votash, por deklarim formal, duke marrë të mirëqena votat 100% pro të mazhorancës.

Një tjetër rast që krijon dyshime mbi integritetin e vendimmarrjeve në parlament është takimi në disa raste i drejtuesve të komisioneve parlamentare në zyrat e tyre me drejtues të institucioneve dhe të grupeve të interesit, të pa protokolluara dhe të pa raportuara ato në dokumentacionin parlamentar.

Përsa i përket performancës së deputetëve, 41 prej tyre kanë marrë pjesë në seancat plenare vetëm për të marrë rrogën në fund të muajit, pasi përgjatë sesionit shtator-dhjetor nuk kanë mbajtur asnjë fjalim për të shprehur shqetësimet e qytetarëve që ata përfaqësojnë.

Konkretisht, në listë të deputetëve me 0 diskutime në sesionin shtator−dhjetor 2023 bëjnë pjesë: Agron Çela, Anduel Tahiraj, Anila Denaj, Arben Pëllumbi, Arben Ahmetaj, Arkend Balla, Baftjar Zeqaj, Edi Paloka, Enkelejd Alibeaj, Enslemvera Zake, Ervin Salianji, Evis Kushi, Flamur Hoxha, Frrok Gjini, Gertjan Deda, Gledis Çeliku, Helidon Bushati, Ilda Dhori, Ilir Ndraxhi, Ilir Topi, Jurgis Çyrbja, Kasem Mahmutaj, Kastriot Piroli, Klevis Xhoxhi, Laert Duraj, Luan Duzha, Luljeta Bozo, Lulzim Basha, Meri Markiçi, Merita Bakiu, Mesila Doda, Niko Kuri, Nusret Avdulla, Oriela Nebiaj, Orjola Pampuri, Ornaldo Rakipi, Paulin Sterkaj, Petrit Doda, Seladin Jakupllari, Shkëlqim Bullari dhe Shpëtim Idrizi.

Ndërkohë ndër deputetët më aktivë në seancat plenare janë Agron Shehaj, Jorida Tabaku, Sali Berisha, Oerd Bylykbashi dhe Ina Zhupa nga PD, ndërsa Taulant Balla dhe Petro Koçi përfaqësojnë mazhorancën, por më pak aktivë se deputetët e opozitës.

“Sesioni parlamentar i vjeshtës u bë i pari në historinë tonë parlamentare, kur një deputet (Arben Ahmetaj) vijoi mandatin duke qenë në kërkim ndërkombëtar për krimin e korrupsionit, si dhe pas 1993 dhe 1998, e treta legjislaturë, që hoqi mandatin e kryetarit të grupit më të madh të opozitës, duke e shoqëruar atë me masat ligjore të arrestit. Të dhënat statistikore të aktivitetit parlamentar dëshmojnë se gjatë periudhës 30 tetor dhe 21 dhjetor, në të cilën seancat plenare u bënë të shkurtuara për shkak të incidenteve të shumta fizike në parlament, − një vendim është marrë në vetëm 2.4 minuta, dhe se 8 seancat janë zhvilluar në vetëm 97 minuta. Statistikisht një seancë plenare ka kosto të lartë buxhetore (10−12 mijë euro) dhe zhvillimi i tyre në 4 ose 8 minuta e bën funksionin e deputetit profesionin më të paguar për minutë në Shqipëri”, -thuhet ndër të tjera në raportin e ISP.

Babëzia për para

Babëzia për Para dhe justifikimi për punën e madhe që bëjnë deputetët kulmoi me miratimin në maj 2023 nga ana e kuvendit e rritjes së pagave për veten e tyre dhe ministrat. Pavarësisht debateve dhe zërave kundër nga radhët e opozitës, por edhe të vetë kryeministrit Edi Rama, projektligji u votua me shumicë të thjeshtë votash nga 95 deputetë.

Ja të ardhurat mujore të deputetëve, që kanë bërë ligjin për pensione mbi 1500 USD  për veten dhe shtetarët

Paga e deputetit: Nga 156 mijë e 750 lekë , bëhet 310 250 lekë (22 ditë).
Paga ditore e deputetit: Nga  71250 lekë në ditë dëhet 142 500 lekë në ditë.
Deputeti i grupit parlamentar me 10 deputetë: 15% shtesë page.
Kryetari i grupit parlamentar me më pak se 10 deputetë: 5% shtesë page.
Kryetarët e komisioneve parlamentare: 5% shtesë page.
Për 1 mbledhje komisioni: 20 mijë lekë të vjetra x 12 mbledhje në muaj = 240.000 lekë.
Deputeti përfiton: 20 shpërblime mujore, me nga 20 mijë lekë të vjetra.
Kryetari i komisionit paralamentar: 25 mijë lekë të vjetra për çdo mbledhje.
N/kryetari komisionit parlamentar: 22 mijë lekë të vjetra për çdo mbledhje.
Deputeti përfiton: 240 mijë lekë të vjetra në muaj, për pjesëmarrje në sesionet normale.
Deputeti përfiton: 400 mijë lekë të vjetra në muaj për mbledhjet në komisione të veçanta.
Për çdo mbledhje të konferencës së kryetarëve: 25 mijë lekë të vjetra pagesë.
Për dietat brenda vendit: 4% e pagës. Nga  62710 lekë për çdo ditë shërbim në zonën ku është deputet me pagën e re bëhet 125 420 lekë të vjetra.
Deputeti përfitonte: 6 dieta në muaj me nga 62710 lekë të vjetra, ose 380 mijë lekë të reja në muaj x dyfishi me rrogat e reja = 760 mijë lekë.
Deputeti që nuk është banor i Tiranës, përfiton: 12 dieta mujore në muaj me 62710 lekë të vjetra, ose 75 mijë e 252 lekë të vjetra në muaj.
Deputeti kur del nga Tirana: 30  mijë lekë të vjetra për çdo natë fjetje në hotel, deri në 12 netë fjetje.
Pagesë telefoni për kryetarët e komisioneve dhe grupeve parlamentare: 200 mijë lekë të vjetra në muaj.
Pagesë telefoni për deputetin: 170 mijë lekë të vjetra në muaj.
Deputeti përfiton: 350 mijë lekë të vjetra në muaj, për transport publik.
Kredi strehimi: me 0% interes.