Në një konferencë për mediat, të martën kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha se mbyllja antikushtetuese e Parlamentit i shërben vetëm korrupsionit shtetëror të Edi Ramës dhe qëllimit mafioz për t’i fshehur shqiptarëve buzë greminën e madhe financiare ku është vendosur Shqipëria. Meta tha më tej se Shqipëria ka borxhin, varfërinë, eksportet, të ardhurat dhe shpenzimet më të ulëta në rajon. “Mbyllja antikushtetuese e Parlamentit i shërben vetëm korrupsionit shtetëror të Edi Ramës dhe qëllimit mafioz për t’i fshehur shqiptarëve buzë greminën e madhe financiare ku është vendosur Shqipëria. Pavarësisht propagandës, Shqipëria ka sot: Borxhin, varfërinë, eksportet, të ardhurat dhe shpenzimet më të ulëta në rajon.” – tha ai. Për kreun e Partisë së Lirisë: “Paketa fiskale e propozuar nga Qeveria do të ketë vetëm efekte negative për ekonominë, sepse rrit në vazhdimësi barrën fiskale për biznesin dhe konsumatorët dhe do të rrisë barrën fiskale për profesionet e lira deri në 23%. Ky buxhet tregon fytyrën e tij anti sociale, sepse sipas sektorëve të ndryshëm, ai vetëm i ul shpenzimet sociale. Nuk ka rritje për pagesat e papunësisë.” Meta u ndal edhe tek zëri i bujqësisë. Sipas tij “Është skandaloz financimi i bujqësisë, i cili nga 0.7% e PBB bie në 0.6% e PBB. Nuk ka rritje të subvencioneve, duke vazhduar të jemi vendi i fundit në rajon për mbështetjen që i japim bujqësisë. (31,7 milionë euro e gjithë vlera e subvencionit të parashikuar). Shpenzimet për financimin e koncesioneve PPP me mbështetje financiare nga buxheti i shtetit nga viti 2018-2024 ka qenë 800 milionë euro që edhe këtë vit do të vazhdojë. Shpenzimet për koncesionet/PPP me financim buxhetor rriten me 9.2%, nga 13.08 miliard lekë në vitin 2023 (rreth 124 milionë euro), në 14.29 miliard lekë (rreth 136 milionë euro) në vitin 2024.” Për Metën: “Borxhi Publik i Shqipërisë është në kushtet më të pafavorshme, dhe ky është një alarm, që duhet të shqetësojë çdo shqiptar. Totali i kostos së shërbimit të borxhit në vitin 2024 do të arrijë një shumë të lartë, në 118.2 miliard lekë (rreth 1,1 miliard euro). Nga këto, vetëm për të mbuluar koston e interesave të borxhit shpenzimet do të rriten me 9%, pra nga 60.9 miliard lekë (afërsisht 590 milionë euro) në vitin 2023, në 66.2 miliard lekë (afërisht 650 milionë euro) në vitin 2024. Është kritike, eficenca shumë e ulët e borxhit, që praktikisht merret borxh për të larë borxh dhe jo borxh për të prodhuar zhvillim dhe rritje ekonomike. Sepse, kostoja e borxhit për periudhën 2014-2024, është 910 miliard lekë (rreth 8 miliard Euro). Ndërkohë kur në periudhën 2003-2013, kosto e borxhit ka qenë pothuajse gjysma, 462 miliard lekë (rreth 4 miliard euro).” Ilir Meta tha se ky borxh i ka shërbyer shpopullimit të vendit dhe jo rritjes së mirëqenies.