Shqipëria, 3.092 milionë euro dëmshpërblim qytetarëve shqiptarë

567
Sigal

Gjykata e Strasburgut dënon me miliona euro Shqipërinë për moskompensimin e pronave

Në gjykimin e djeshëm të Dhomës mbi rastin e Manushaqe Putos dhe të tjerë kundër Shqipërisë   (nr. aplikimi. 604/07, 43628/07, 46684/07 dhe 34770/09), i cili nuk është përfundimtar, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut vendosi unanimisht se ka pasur një shkelje të nenit 13 (e drejta për një zgjidhje efektive) të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut; dhe një shkelje të nenit 6 § 1(e drejta për një gjykim të drejtë) dhe të nenit 1 të Protokollit nr.1 të Konventës (mbrojtja e pronës). Çështja ka të bëjë me ankesat e 20 shqiptarëve, të cilëve i është njohur e drejta e trashëgimisë mbi parcelat e tokës nga autoritetet por nuk janë ekzekutuar vendimet përfundimtare administrative që i japin atyre të drejtën e kompensimit si një nga mënyrat e parashikuara nga ligji i kthimit të pronës në vend. Aktualisht janë 80 raste të ngjashme që presin të shqyrtohen nga Gjykata. Duke vënë në dukje se këto ankesa reflektojnë një problem mjaft të përhapur në Shqipëri për një numër të madh njerëzish, Gjykata vendosi të aplikojë procedurën e gjykimit pilot për këtë rast. Ajo vlerësoi se Shqipëria duhej të merrte masat e përgjithshme për të garantuar të drejtën e kompensimit brenda 18 muajve duke nisur nga data në të cilën vendimi hyn në fuqi.

Faktet kryesore

Ankuesit janë 20 shtetas shqiptarë, të cilët janë ish-pronarë ose trashëgimtarë të ish-pronarëve të tokave të konfiskuara nga ish-regjimi komunist në Shqipëri. E drejta e tyre e pronësisë për parcelat e tokave që kanë një sipërfaqe afërsisht ndërmjet 600 dhe 5000 m2 është njohur gjatë viteve 1994-1996 nga komisionet përgjegjëse për kthimin dhe kompensimin e pronave bazuar në Aktin e Pronësisë të 1993.

Ankesat, procedura dhe përbërja e trupit gjykues

Ankuesit u ankuan se, megjithëse e drejta e tyre e pronësisë mbi parcelat e tokave është njohur nga autoritetet, vendimet përfundimtare administrative për kompensimin e tyre (në pamundësi kthimi) nuk kanë hyrë kurrë në fuqi. Ata mbështetën në Nenin 6 §1, në Nenin 13 te Konventës dhe në Nenin 1 të Protokollit të Konventës. Ankesat janë paraqitur pranë Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut respektivisht më 16 nëntor 2006, 4 tetor 2007, 9 tetor 2007 dhe 18 qershor 2009. Gjykata vendosi të bashkohej me ata duke qenë se ata shtronin të njëjtin problem dhe kishin të bënin me të njëjtën çështje. Vendimi u dha nga një dhomë prej shtatë gjyqtarësh, e përbërë si më poshtë:

Lech Garlicki (Poloni), Presidenti,

David Thór Björgvinsson (Islande),

Päivi Hirvelä (Finlande),

George Nicolaou (Qipro),

Ledi Bianku (Shqipëri),

Zdravka Kalaydjieva (Bullgari),

Nebojša Vuçini? (Mali i Zi),

Vendimi i Gjykatës (Neni 13)

Përsa i përket ankesës së ankuesve se nuk ishin marrë masat e duhura për t`i garantuar zbatimin e vendimit për kompensim të pronës së tyre, Gjykata vërejti se e kishte shqyrtuar këtë çështje në një numër rastesh të ngjashme. Në rastin Ramadhi dhe të tjerë kundër Shqipërisë, ishte konstatuar një shkelje e Nenit 13 dhe ishte arritur në përfundimin se autoritetet nuk kishin marrë masat e nevojshme për të garantuar ekzekutimin e vendimit në favor të ankuesve, duke i privuar ata nga e drejta e tyre për një zgjidhje efektive. Që nga miratimi i këtij vendimi, Shqipëria kishte miratuar një sërë aktesh ligjore veçanërisht në lidhje me dhënien e kompensimit financiar. Megjithatë, Gjykata vendosi se kompensimi financiar i dhënë nga autoritetet shtetërore ishte i pamjaftueshëm për t´u konsideruar si një masë efektive zbatuese për shkak të disa mangësive. Ajo vuri në dukje se nëse paditësi kishte përfituar një kthim të pjesshëm të pronës ose një formë tjetër kompensimi (siç ishte rasti i Dani dhe Muka kundër Shqipërisë), ai nuk kishte të drejtë të përfitonte kompensim financiar. Për më tepër vendimi i autoriteteve për të dhënë kompensim financiar të vlefshëm me maksimum 200 m2 linte pezull për një periudhë të pacaktuar kohore kërkesat e pronarëve që kalonin 200 m2. Përveç kësaj kishte ngarkesa të mëdha procedurale për pretenduesit për të përfituar kompensim financiar.

Zgjidhja e drejte (Neni 41)

Gjykata vendosi që për rastin Manushaqe Puto kundër Shqipërisë, Shqipëria duhet të paguajë:

1,000,000 euro (EUR) për dëmin financiar dhe jo financiar si dhe 1.000 euro për kostot dhe shpenzimet e  paditësve në rastin Manushaqe Puto kundër Shqipërisë;

280.000 euro për dëmin financiar dhe jo financiar si dhe 1.000 euro për kostot dhe shpenzimet e  paditësve në rastin Dani kundër Shqipërisë;

352.400 euro për dëmin financiar dhe jo financiar si dhe 1.000 euro për kostot dhe shpenzimet e  paditësve në rastin Ahmatas dhe të tjerët kundër Shqipërisë dhe

1.360.000 euro për dëmin financiar dhe jo financiar në rastin Muka kundër Shqipërisë;

Vendimi është i disponueshëm vetëm në anglisht.

Kjo deklaratë për shtyp është një dokument i prodhuar nga Sekretariati.  Ajo nuk është e detyrueshme për Gjykatën. Vendime, gjykime dhe informacione të mëtejshme mbi Gjykatën mund të gjenden në www.echr.coe.int. Për të marrë deklaratat për shtyp te Gjykata ju lutem abonohuni ne www.echr.coe.int/RSS/en.

Përgatiti për botim Tanush Mulleti