Sherri në krye të PD-së, Ristani kundër Palokës e Spahos

498
Ndizet gjithnjë e më tepër polemika mbi mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve për kryetarin e ri. Çfarë parashikon statuti
Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike kanë përfshirë në debate e polemika drejtuesit më të lartë. Ka qenë sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Arben Ristani, i cili ka kritikuar vendimin e dy nënkryetarëve Edi Paloka dhe Edmond Spaho për ta hapur garën brenda partisë. “Delegimi i kompetencave organizative nga kryetari tek nënkryetarët është jostatutor dhe pa përmbajtje, sepse kompetencat organizative i takojnë në bazë të statutit Sekretarit të Përgjithshëm”, u shpreh Ristani, duke sqaruar “opinionin publik dhe mbi të gjitha të anëtarësisë së Partisë Demokratike dhe situatës së krijuar së fundmi me procesin zgjedhor për kryetar të PD-së”. Sipas Ristanit, neni 43 i statutit thotë se në rast dorëheqje etj të kryetarit, sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon nënkryetarin që do të drejtojë partinë. Pra kompetenca e komandimit i takon Këshillit Kombëtar, i cili thirret nga sekretari i Përgjithshëm. “Vendimi i dy nënkryetarëve për të thirrur zgjedhjet, caktimin e datës së zgjedhjeve dhe datës së paraqitjes së kandidaturave është vendim i pambështetur në statut. Në bazë të nenit 40/2 të statutit të partisë, shpallja e datës së zgjedhjeve dhe e datës së paraqitjes së kandidaturave është kompetencë e kryesisë së partisë”, nënvizon Ristani. Sipas tij, për ta vendosur situatën në shtratin statutor, për të garantuar integritetin e zgjedhjeve në Parti dhe për të rifituar besimin e anëtarësisë, është e nevojshme rinisja e procesit mbi bazat e statutit të PDSH-së.

Vetë Ristani nuk mundi të fitonte mandatin e deputetit në qarkun e Vlorës, ku ai kandidonte në numrin 4. PD fitoi vetëm 3 deputetë në qarkun e Vlorës, duke humbur thellë përballë Partisë Socialiste.

Reagimi Paloka-Spaho
Dy nënkryetarët e PD-së, Edi Paloka dhe Edmond Spaho, në një deklaratë të përbashkët, janë shprehur se zgjedhjet për kryetarin e partisë janë të hapura dhe çdo anëtar ka të drejtë të kandidojë. “Kjo garë do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për reflektim, diskutim idesh dhe konkurrencë vizionesh për të ardhmen e PD-së dhe demokracisë në vend”, shprehen Paloka dhe Spaho, pas reagimit të bërë nga Ristani. Sipas numrave dy në selinë blu, “mendimi ndryshe, debati dhe përplasja e ideve janë vlera themelore të Partisë Demokratike”. “Diskutimet duhet të zhvillohen në mënyrë reflektive, të qytetëruar dhe etike, duke respektuar të drejtën dhe dinjitetin e gjithkujt, përmes frymës së bashkimit dhe gjithë përfshirjes dhe jo përçarjes e përjashtimit. Ndryshimet në qëndrime dhe në mendime në Partinë Demokratike zgjidhen vetëm përmes konkurrencës së kandidatëve dhe vendimmarrjes së anëtarëve”, shprehen nënkryetarët. Duke kundërshtuar qëndrimin e Ristanit, të dy nënkryetarët sqarojnë se “kryetari Lulzim Basha ka autorizuar publikisht delegimin e të gjithë vendimmarrjes organizative tek dy nënkryetarët e PDSH dhe sekretari i Përgjithshëm”. “Zgjedhjet e fundit për kryetarin e partisë janë zhvilluar më 22 korrik 2013. Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve respekton këtë afat fundor për kryerjen e zgjedhjeve të radhës më 22 korrik 2017”, thuhet në sqarim. Të dy nënkryetarët premtojnë se “gara dhe votimi për kryetarin e PDSH do të zhvillohen në mënyrë të hapur, të ndershme dhe të barabartë. “Nga ky proces, Partia Demokratike do të dalë më e fortë dhe më demokratike për t’i paraprirë ndryshimeve të mëdha që ka nevojë vendi”, thuhet në dokumentin e firmosur nga Edi Paloka dhe Edmond Spaho. 
Sigal