Sherefedin Shehu: “Paketa e re fiskale do t’i zërë frymën biznesit”

401
Sigal

Deputeti i PD-së, një nga specialistët e ekonomisë, në intervistën për “Telegraf”, thotë se, ky buxhet i qeverisë nuk rrit asnjë lekë të ardhurat, përkundrazi, rrit 2,5 herë deficitin buxhetor. Ndërsa për paketën fiskale, zoti Shehu argumenton se, paketa e re fiskale, do t’i zërë frymën biznesit, dhe do të largojë edhe investitorët e huaj.

– Zoti Shehu, paketa e re fiskale, sa e reflekton në përmbajtjen e saj, këto premtime elektorale dhe sa ka devijuar nga programi i së Majtës?

Në fakt paketa e re fiskale nuk reflekton asgjë, në kuptimin e premtimeve pozitive, për të ulur barrën e qytetarëve, apo të bizneseve, sepse kjo paketë fiskale, parashikohet të sjellë 24 miliardë lekë të reja në buxhet vetëm si rrjedhojë e rritjes së tyre, ndërsa i vetmi premtim i mbajtur nga ana formale, është tatimi mbi të  ardhurat nga pagat. Por edhe ky, është zbatuar në një formë të atillë dhe i parë në kontekstin e gjithë paketës fiskale, do të shtojë barrën tatimore, ose kontributin që edhe ky grup njerëzish  që “përfitojnë”, mbasi, në fund të fundit, edhe këta njerëz, do të paguajnë më tepër. Më e keqja që ne shikojmë, është sepse kjo paketë nuk është në linjë me masat për zbutjen e krizës dhe për hapjen e vendeve të reja të punës, të cilat kanë qenë premtimet më të mëdha që ka dhënë PS-ja në fushatë elektorale, dhe pritshmëria më e madhe për qytetarët. Kështu, që e vlerësuar në tërësinë e vet, kjo paketë fiskale, jo vetëm që nuk do të nxitë zhvillimin ekonomik, por do të krijojë premisat për rënie ekonomike, ose, siç e quajmë, recension ekonomik.

– Ju keni dijeni, u është bërë e njohur, sa do të jenë koefiçentët e taksës progresive, për çdo kategori biznesi?

– Natyrisht, që aty është përdorur një përqindje, e cila është dukshëm është më e lartë se taksa e sheshtë, që është 13 %-shi, por kemi nivelin tjetër, prej 23 %, i cili kalon të gjitha nivelet e taksimit, përfshirë edhe taksimin e të ardhurave nga biznesi. Pra, po ta vlerësosh edhe këtë lloj takse, që siç e thashë edhe më parë, duket sikur është premtimi i mbajtur, norma tatimore për ata që paguajnë tatim,  që do të thotë, po të zbresim kategorinë e atyre që marrin të ardhura nën 30.000 lekë, norma rritet dhe rritet ndjeshëm. Po, përveç pabarazisë që krijon midis grupeve, këtu kemi një pabarazi, që është shumë e rëndësishme, mbasi me këtë normë tatimore, që prezantohet në paketën fiskale, të ardhurat nga puna, ose mbi pagën, tatohen më shumë se të ardhurat nga biznesi. Sepse bizneset do të paguajnë 15 % mbi fitimin e tyre, ndërsa ata që marrin mbi 1.500 lekë në muaj, do të paguajnë 23 % mbi të ardhurat e tyre. Po t’i krahasojmë  këto si dy burime, njëri është nga puna, e tjetri është nga kapitali, tatimi mbi punën goditet rëndë, krahasuar  me tatimin mbi kapitalin. Pra, është edhe një sistem taksimi i padrejtë.  Ndërsa, po ta shikojmë për nga padrejtësia, krijohen edhe disa shmangie të tjera.

– Për shembull?

– Një nëpunës, që fiton të ardhura, sa një biznes i vogël, i takon që të paguajë dyfishin e taksës që do paguajë biznesi i vogël. Ndërsa një biznes i mesëm, që është afër kufirit të xhiros të klasifikimit si biznes i vogël, paguan dyfishin e taksës që paguan biznesi i vogël, sepse është norma 15%, krahasuar me 7 %. Kështu, që kjo padrejtësi, ngrihet në sistem dhe, njëkohësisht, krijohet edhe një padrejtësi e parë në këndvështrimin  e  burimit  të sigurimit të të ardhurave, që thotë se pronari do të paguajë tatim më pak se sa i punësuari i tij. Kjo nuk lidhet  vetëm me faktin  që norma për pagat mbi 130.000 bëhet 23 %, është më e madhe se norma e tatimit mbi fitimin, por për një fakt tjetër, sepse tatimi mbi dividendët mbetet 10 %, ose fitimi që mban për vete, apo përdor për vete pronari, ndërsa punonjësi i këtij pronari apo aksioneri, do të paguajnë  23 %.

Profesor, kjo taksë progresive a mund të krijojë kushte më të favorshme për investimet e huaja? Apo mund të lindë një frikë për konkurrencën, sepse në Rajon nuk dimë që ndonjë tjetër vend të ketë taksën progresive?

– Përkundrazi, taksa progresive, më shumë do të godasë investimet e huaja, sepse po të kemi parasysh edhe realitetin shqiptar, kategoria më e paguar e punonjësve janë ata që punojnë në kompanitë e huaja, siç është sistemi bankar, siç është sistemi i medias, siç është industria e madhe, e çimentos, apo veprat e mëdha energjetike, të cilat, përgjithësisht, janë të financuara me kapitalin e huaj. Por, punonjësit, menaxherët, specialistët e tyre, me këtë sistem tatimor, janë grupi i shoqërisë që goditet më shumë. Kjo shikohet në dy këndvështrime. E para, kjo kategori mund të bëhet e painteresuar, në kuptimin e të ardhurave që merr pas zbritjes të tatimeve dhe do të fillojë të tentojë të largohet. Por, e parë edhe në një këndvështrim tjetër. Taksa progresive krijon edhe një presion mbi biznesin, sepse kjo kategori do të kërkojë të ruajë të ardhurat neto që merrte deri në momentin kur nuk është zbatuar taksa progresive. Kështu, biznesi i huaj që sot mund të mendojë zhvendosjen dhe lëvizjen në Rajon, ku është taksa e sheshtë dhe me norma të ulëta tatimi, 9-10 %. Ndërsa, investitorët e huaj, që duan të vijnë, do të hezitojnë të investojnë në Shqipëri, kur do të mësojnë se norma e  tatimit do të jetë tepër i lartë.

– Për ekonominë tonë, sa  shqetësuese është ky nivel i borxhit,  që parashikohet 74,8 %, kur opozita e PS-së, vetëm disa muaj më parë, kritikoi shumë rritjen e kufirit të borxhit që kërkoi qeveria e atëhershme, nga 58 % në 64 %?

– Por, kur përmenda rritjen e borxhit, për veç faktit që kemi një rritje të shumëfishuar, sepse kemi një rritje 2,5 herë, pikëpyetja e madhe është përse do përdoret borxhi. Ka një disproporcion, sepse investimet janë më të vogla se borxhi publik, që përkthehet se qeveria, jo vetëm që e rrit ndjeshëm borxhin, por e rrit për shpenzimet parazitare. Pra e rrit për veprime që nuk prodhojnë asgjë. Me fjalë të tjera, për shpenzime administrative. Por, pastaj, ka shumë probleme në shpërndarjen e këtyre fondeve, sepse ulet mbështetja që marrin fermerët.  Ndihma ekonomike, ka gjasa që të jetë më e ulët, sepse kjo qeveri trashëgon detyrime që nuk i ka paguar këto tre muaj, dhe të cilat do t’i paguajë në buxhetin e 2014-s, përsa i përket paaftësisë dhe ndihmës ekonomike. Dhe midis aspekteve të tjera, unë dua të përmend edhe faktin që qeveria e gjeti borxhin  62 % dhe në momentin që miraton buxhetin, e ka çuar në 69 %, pa paguar asnjë detyrim për bizneset, të cilin  e përdori si argument për rritjen e borxhit.

A duhej që maxhoranca të bëjë transparente kushtet dhe kërkesat e FMN-së, që i ka vënë qeverisë sonë për marrjen e borxheve të reja prej saj?

– Patjetër, ato duheshin diskutuar, duheshin konsultuar, sepse ato kanë të bëjnë me interesa përtej një grupi politik. Kanë të bëjnë me interesat e  Shqipërisë, por nga ana tjetër, që opozita është institucion, por barra e këtij borxhi do të bjerë mbi qytetarët dhe është krejt normale, që në vendet demokratike të kishte diskutime e negocime më parë me qytetarët dhe me opozitën, e pastaj duhej ulur meFMN-në.

–  Qëndrueshmëria e ekonomisë  dhe rritja ekonomike për 2014-n,  a mund të garantohet me masat shtrënguese?

– Unë mendoj që rritja ekonomike është e rrezikuar dhe treguesit e këtij buxheti krijojnë premisa për recension ekonomik, mbasi ka dy aspekte. E para, pasi godet atë që në gjuhën teknike quhet kërkesa, e në gjuhën praktike, konsumi i qytetarëve. Pra, qytetarët do të heqin nga goja e vet për t’i dhënë taksë shtetit. E njëjta gjë do të ndodhë me bizneset, do të rritet kostoja e tyre, ngaqë  do rritet barra tatimore. Pra, bizneseve, në vend që t’u jepet stimul, po u zihet fryma me këtë paketë fiskale. Dhe ajo që është më e keqja, investimet publike janë më të ulëta, krahasuar me buxhetin fillestar të 2013-s, me 8 miliardë lekë më pak me buxhetin që parashikuan vetë qeveria. Ekonomisë i mungon stimuli, në kuptimin e hedhjes së parave për investime, por i zihet fryma nëpërmjet marrjes të më shumë parave  në formën e tatimeve e taksave. Edhe rritja e pretenduar nga qeveria për 2014-n është e dyshimtë. Sepse ky buxhet nuk është buxhet i stimulimit, i nxitjes ekonomike, por buxhet i bllokimit të rritjes ekonomike.

– Faleminderit!

Buxheti që nuk rrit të ardhurat, por rrit 2,5 herë deficitin buxhetor

Sipas jush, cilat janë pikat e dobëta,  të projektbuxhetit të 2014-s të maxhorancës së Majtë?

– Ky buxhet ka një seri pikash të dobëta, por pika më e dobët është se nuk rrit asnjë lek të ardhurat dhe rrit 2,5 herë deficitin buxhetor, të krahasuar me mesataren e 8 viteve të qeverisjes së PD-së. Kur them, nuk rrit të ardhurat, kam parasysh, që ajo rritje që pasqyrohet në buxhet është si efekt i taksave të rritura dhe nuk rrit asnjë lekë të ardhurat nga administrimi, apo qeverisja e mirë, sepse shtesa e paraqitur në tabelat e buxhetit absorbohet 20 miliardë nga rimbursimet, të cilat, gabimisht, flas nga ana teknike, pasqyrohen te shpenzimet dhe 22 miliardë nga taksat e rritura. Pra, taksa nga përmirësimi i administrimit të sistemit tatimor dhe i mirëqeverisjes janë negative, po të bëjmë llogaritjet midis asaj që paraqitet në buxhet dhe korrigjimit me këto 2 shifrat që sapo përmenda, ribursimin me tatimet dhe rritjen e tatimeve.