Kryeministri Rama: “Buxheti i 2014-s dhe paketa fiskale garanton kthesën e vendit”

462
Sigal

Në Kuvend nisi të diskutohet projektligji për 2014-n dhe paketa fiskale e paraqitur nga qeveria e Majtë

 Kryeministri Edi Rama  prezantoi dje në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2014. Në nisje të fjalës së tij, Rama akuzoi opozitën se hedhur baltë mbi buxhetin duke theksuar se shqiptarëve u duhet një opozitë parlamentare që nuk e lë bosh vendin e saj për t`u kyçur në llogoren e qitjes me baltën e shpifjes dhe fyerjeve. Shqiptarëve u duhet një qeveri që punon ditë e natë për të bërë zgjedhjet e duhura jo për pushtetin e vet, por për të ardhmen e vendit. Ne nuk jemi zgjedhur për t`u rizgjedhur me çdo çmim, por për të zgjidhur vendin nga zinxhiri i borxheve, korrupsionit, injorancës”,- tha Kryeministri. Në fjalën e tij, Kryeministri Rama është shprehur se, buxheti garanton kthesën e vendit në drejtimin e duhur, në ripërtëritjen e lirisë dhe të ribashkimit të Shqipërisë me Europën. “Ky nuk është buxhet elektoral, por është buxheti i përballjes me krizën ekonomike dhe i katrahurës financiare që kemi trashëguar. Ky nuk është një buxhet elektoral investimesh  për të prerë shirita e për të thurur rrugë, duke e zhytur vendin në borxhe e duke e katandisur qeverinë një “Sude Pazar”, por për shlyerjen e borxheve, është më i madh se buxheti elektoral i vitit të kaluar në investime direkte e indirekte në ekonomi duke garantuar garantojë rifillimin e rrugës ekonomike të vendit.. “Ky buxhet është akti solemn i korrigjimit të padrejtësisë që detyroi infermieren të paguante më shumë taksa se ministri i Shëndetësisë, arsimtarin më shumë se ministri, shoferin e Kryeministrit të paguante më shumë taksa se vetë kryeministrin. Këtë akt e kanë firmosur me votë 1 milion shqiptarë dhe ky Kuvend ka detyrën ta ratifikojë në respekt të popullit sovran, korrigjohet padrejtësia që detyroi furrë e bukës të nxirrte nga arka më shumë lekë për shtetin sesa një fabrikë çimentoje nga kontot e veta”,- tha Rama. Shefi i qeverisë theksoi se, buxheti është një akt kuptimplotë që e nxjerr qeverinë në dritën e përgjegjësive duke u paguar kompanive private një pjesë të borxhit që qeveria i ka për shërbimet e papaguara.

“Ky buxhet edhe falë marrëveshjes së re meFMN-në është shprehja konkrete e një ndryshimi themelor në kulturën qeverisëse të këtij vendi. Një qeveri e zhytur në borxhe dhe që nuk paguan punët dhe shërbimet e bëra nga biznesi nuk mund të ulë informalitetin në ekonomi. Ne rrisim me 60 milionë dollarë kontributin për buxhetin, marrim 5 herë më shumë 350 milionë dollarë që ai i  mori ndonjëherë e  sa kishin për t`i marrë nëse kultura e vjetër qeverisëse e trajtimit të biznesit si skllav i pushtetit që mori fund të 23 qershor ndo do t`ia linte vendin kulturës së partneritetit me sipërmarrjen”,- tha Kryeministri Rama.

 Kreu i grupit të LSI- së, Petrit Vasili: Ndryshimi i taksimit, është pasojë e situatës

Kreu i grupit tëLSI- së, Petrit Vasili tha se, ndryshimi i taksimit ka ardhur si pasojë e situatës, e cila ka minimizuar mundësitë për të zgjedhur një rrugë tjetër. Ai tha se grupi iLSI-së ka formuluar një qëndrim pozitiv dhe në mbështetje të paketës së re fiskale. “Në momentin që kemi borxhe të akumuluara, të nevojës për të pasur një arkë shteti edhe sfidat edhe punët e lëna në mes, sigurisht jemi të detyruar të përdorim këto instrumente dhe jo të tjera. I gjithë aksi i përdorur ka ngjyrimin e një maxhorancë me një sens të fortë social, përfaqëson linjën tonë si të majtë, etj.”,- tha Vasili.

 Bogdani: Rama nuk merr vesh nga financat, po rrënon ekonominë

Deputeti i PD-së Gerti Bogdani deklaroi se, Kryeministri Rama nuk merr vesh nga financat dhe ekonomia dhe se po e rrënon ekonominë shqiptare. “Të gjitha dhomat e tregtisë e kanë kundërshtuar paketën fiskale dhe i kanë kërkuar qeverisë ta ndryshojnë sepse i dëmton ato dhe qytetarët. Shkelën të gjitha afatet derisa sollën paketën fiskale në parlament. Pas një viti le ti pyesim biznesin nëse ishin më mirë me taksën e vjetër apo të re. Të gjithë e kemi dëgjuar talljen e fundit të kryeministrit për qytetarët që për rritjen e çmimit të naftës tha ase kjo do të thotë se ecim më shumë në këmbë se bën mirë për shëndetin.  Jam kurioz të di, ky kryeministër që u kërkon qytetarëve të ecin sot si ka ardhur në Kuvend. Ose Kryeministri merr vesh nga ekonomia dhe rritjen e bën me vetëdije ose nuk e di që çmimi i naftës ndikon në rritjen e çmimeve. Rritja e çmimit të naftës rrit koston e fermerit apo ky i fundit do duhet t’i kthehet parmendës. Qytetarët shqiptarë do e ndjejnë këtë barrë në jetën e tyre të përditshme. Çdo hallkë e ekonomisë është e ndikuar nga rritja e çmimit të një litri naftë. Rama po çon drejt rrënimit ekonominë shqiptare dhe ekonominë e qytetarëve shqiptar”,- deklaroi Bogdani.

 

Batutat midis Ramës- Berishës- Topallit

 Berisha: Je bërë synet politik. Rama: Mban mend kur të kanë bërë ty, para se të hyje në Bllok?

 Gjatë seancës së Kuvendit, ish-Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i qeverisë Edi Rama kanë shkëmbyer batuta e ironi me njëri-tjetrin. Pas paraqitjes së pr/buxhetit 2014 nga Kryeministri Rama, zoti Berisha ka hedhur akuza të forta në drejtim të tij. Por kryeministri ka preferuar t’i ironizojë sulmet e paraardhësit të tij.

Berisha: “Paraqitja e buxhetit, llogore e pafundme e zotit Rama. Pata një mori mesazhesh që më thonë se nuk ka psikiatër që e kuron, se në mendjen e tij të sëmurë është e ngulitur një Kushtetute që i thotë atij unë dhe bota. Ajo pjesa që më neveriti më shumë ishte pjesa për trashëgiminë kulturore, kur ti i vodhe Thimos si hajdut ordiner ikonat. Korçarët më thonë se Peleshin e bëri zv/kryeministër i ndjeri Vangjush Mio me pikturat e tij, për të cilat Koçoja përjargej para nudove të Mios. Vetëm për buxhet nuk u fol këtu. Këtu u fol për opozitën. Në mendjen e tij ekziston tmerri dhe ferri i opozitës dhe s’foli asgjë për 1 mln të papunë për të cilët është shprehur mijëra e mijëra herë. E falënderoj zotin Rama se, s’bëri gjë tjetër veçse faktoi para shqiptarëve dhe botës e ka me urgjencë mjekimin në një klinikë psikiatrike.

Rama: “Sali Efendi, zotrote mua më heq mallin e Albert Verrisë tek filmi “Koncert në vitin ‘36” e mban mend atë plakun që donte të prishte koncertin, shyqyr që të kemi se kujtojmë dhe Albertin e shkretë.

Berisha: “Je ulur në atë vend je bërë synet politik. Ata që të bënë synet politik të hoqën dhe forcën e fundit të burrit ty. Prandaj çfarëdo që të thuash je krejtësisht bosh. Ajo që paraqite ishte mjerim, sa që edhe Caci besnik gajasej. U tregove shqiptarëve se kartolina që u çon për vit të ri është kartolina e mjerimit, mashtrimit, ndërsa buxheti që paraqite ka vdekur para se të lindë.

Rama: Sali Efendi unë nuk e dija qe je marrë me synete, e dija që je marrë me zemrën. Kjo ishte një surprizë për mua, por ndoshta e mban mend kur të kanë bërë synet para se të të merrnin në Bllok.

Berisha: Unë them synet politik, se për atë tjetrin dihet.

Meta: Ju lutemi se nuk jemi në portokalli këtu, jemi në Kuvend. Ju lutem më me etikë.

 Rama-Topallit: Shih plakun aty afër, jo mua

Ndërsa prezantonte në seancën e djeshme parlamentare draftin për pr/buxhetin, kryeministri Edi Rama është ndërprerë nga deputetja Jozefina Topalli që fliste nga vendi ku ishte ulur. Kreu i qeverisë i drejtohet me shprehjen:

“Merru me plakun jo me mua, shih plakun aty afër”.  Fjala ishte për z. Sali Berisha që nuk përtoi dhe pas fjalës së kryeministrit, replikoi me të nga foltorja e Kuvendit duke mbajtur një deklaratë, ku shumica e fjalëve në përmbajtje, ishin synetllëku. Kuptohet që Berisha e ka fjalën për një synetllëk politik, siç shpjegoi dhe ai vetë se synetin real, “as nuk e diskutoj fare”, -tha ai.