SHBA, thirrje qeverisë: Ndaloni koncesionet, kontratat të jenë transparente

667
Shtetet e Bashkuara i bashkohen Fondit Monetar Ndërkombëtar për të kundërshtuar mënyrën e veprimit të qeverisë shqiptare me koncesionet. Dje u zhvillua aktiviteti për prezantimin e “Strategjisë kombëtare për Energjinë Shqipëria 2030”. Në këtë mbledhje morën pjesë kryeministri Edi Rama, ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri si dhe ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin. Në takim duhet të merrte pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu, por ishte përfaqësuesja e misionit të USAID në Shqipëri që shpjegoi mospraninë e tij. Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar, edhe SHBA i ka kërkuar qeverisë që të ndalë dhënien e koncesioneve. Mesazhin e ambasadorit Lu e ka përcjellë Catherine Johnson: “Tani do të lexoj disa prej atyre shënimeve që ambasadori ka përgatitur, ambasadori shkruan se: Jam i sigurt që me këtë strategji do të ndodhin gjëra të mira. Shqipëria do të përmirësojë menaxhimin e këtij sistemi, për njerëzit dhe mjedisin. Jam besimplotë që do të ketë energji për shtëpitë dhe bizneset”. “Më lini që t’i bëjë jehonë mesazhit që është përcjellë nga FMN-ja se Shqipëria do të përfitojë duke mos dhënë më koncesione jo konkurruese tek bizneset individuale, sepse duhet të ketë një kontratë transparente standarde për të gjithë konkurrentët në sektorin e energjisë. Askush nuk duhet të marrë trajtim të posaçëm,” u shpreh ajo. Ndërkohë kryeministri Edi Rama, duke prezantuar strategjinë e re të energjisë deri me 2030, lajmëroi se e ardhmja e kompanisë është listimi në Bursë. Rama la të kuptojë se OSHEE do të listohet në Bursën Shqiptare dhe shqiptarët do të bëhen aksionerët e saj. “Shpresoj që deri në fund të këtij viti të jemi gati që t’u ofrojmë qytetarëve shqiptarë mundësinë e pjesëmarrjes si aksionere me qëllim që vitin e ardhshëm kompania të kthehet në një kompani ku pjesëmarrja masive e qytetarëve si aksionerë do të ketë një benefit reciprok”, tha shefi i qeverisë. Ai gjithashtu lajmëroi se në pak vite do të ketë një liberalizim 100% të tregut të energjisë. Ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri tha më tej se, humbjet e energjisë elektrike janë reduktuar nga 45.04% që ishin në 2013 në 26.41% në fund të vitit 2017. “Rritëm ndjeshëm nivelin e arkëtimeve nga 38.6 miliard lekë në 2013 në 64.1 miliard lekë në fund të vitit 2017”, tha ministri.
Sigal