Tensionet, në rrezik vizita e Ciprasit në Shqipëri

689
Burime pranë qeverisë greke refuzuan të komentojnë publikimet në shtypin shqiptar, sipas të cilave kryeministri Cipras e ka anuluar vizitën në Tiranë. Por burimet kanë thënë se përgjigjia pozitive e Aleksis Ciprasit ndaj ftesës që i drejtoi në janar kryeministri Rama gjatë samitit të Davosit mbetet në fuqi dhe data e realizimit do të përcaktohet në rrugë diplomatike. Në fakt, ka qenë një deklaratë e Ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kocias, se vizita e shefit të tij në Shqipëri do të mund të realizohej para Pashkëve ortodokse që janë më 8 prill. Por kjo deklaratë ishte bërë në fund të muajit janar. Supozohej se Cipras e Rama do të takoheshin pikërisht për të “festuar” nënshkrimin e marrëveshjes paketë për problemet e nxehta midis të dy vendeve. Mirëpo vonesa në fillimin e negociatave, duket se e zhvendosi afatin kohor që kishte deklaruar Ministri i Jashtëm grek, pra fillim prillin. Por sipas analistëve grekë ka dhe një arsye tjetër, më të fuqishme që mund ta shtyjnë për më vonë vizitën e Kryeministrit grek në Shqipëri. Dhe kjo situatë lidhet me situatën tejet të acaruar në raportet midis Athinës dhe Ankarasë që është tensionuar edhe më shumë javët e fundit pas arrestimit dhe mbajtjes në burgjet turke të dy ushtarakëve grekë që kishin kaluar kufirin. Sipas analistëve, situata me Turqinë është kaq e vështirë saqë nuk përjashtohet të pezullohen përkohësisht apo të shtyhen për më vonë, edhe negociatat që Athina po zhvillon me Shkupin për zgjidhjen e çështjes së emrit.

R.Goro
Sigal