Një kompani private në vend, e përjashtuar nga tenderët e KESH, i dërgoi Sekretariatit të Energjisë në Vjenë një letër ankesë. Ajo pretendon se KESH ka privilegjuar dy kompani në përcaktimin e çmimeve të energjisë elektrike, madje duke u shpërndarë atyre informacion paraprak për ofertat tenderuese. Kaq mjaftoi që Sekretariati të kërkonte nisjen e hetimeve, me lejen e Autoritetit të Konkurrencës, por edhe që kjo e fundit të protokollonte çështjen. Në shkresën e datës 19 tetor, Sekretariati i Energjisë në Vjenë, duke përcjellë shqetësimin e kompanisë shqiptare hedh dyshime se “KESH ka manipuluar procedurat e tenderëve, në dobi të pjesëmarrësve të tregut të privilegjuar, duke shpërndarë informacion konfidencial në lidhje me ofertat e pjesëmarrësve të tjerë për t’u mundësuar atyre që të minimizojnë diferencën minimale të ofertës më konkurruese dhe duke siguruar kështu sasi të konsiderueshme dhe shpërndarjen e qëllimshme të sinjaleve mashtruese në lidhje me prodhimin e energjisë në treg, duke u siguruar pjesëmarrësve të privilegjuar informacion të saktë të brendshëm”. Po kështu, një pikë tjetër për të cilën, Sekretariati ka marrë sinjal, është edhe fakti se KESH ka favorizuar privatët edhe në sasinë e energjisë së depozituar. “Operatori privat merr më shumë energji nga sa është kontraktuar gjatë periudhës pik, ku çmimi është më i lartë, dhe e shet atë në treg, ndërkohë që merr më pak gjatë periudhës jo-pik, ku çmimi është më i ulët”, shkruhet në dokument. Pra me këtë skemë (ende të dyshimtë), përmes ndryshimit të sasive në periudhat me ngarkesë të lartë dhe të ulët, KESH ka humbur të ardhura të konsiderueshme, të cilat kanë shkuar te kompanitë private. Duket se përmes kësaj forme referimi dhe denoncimi kompania që ankohet kërkon drejtësinë e munguar dhe një hetim të thellë, e cila tashmë duhet të nisë pas miratimit nga ana e Autoritetit të Konkurrencës. “Ankuesi pretendon se këto praktika përbëjnë shkelje të nenit 18/1(a) dhe 18/1(b) të traktatit që themelon bashkërendimin anti-konkurrues të Komunitetit të Energjisë dhe abuzimin e dominimit. Republika e Shqipërisë, si palë kontraktuese, është e detyruar të zbatojë nenin 18 të Traktatit duke zbatuar ndalimin e marrëveshjeve anti-konkurruese dhe abuzimin e dominimit. Prandaj, Sekretariati informon Autoritetin e Konkurrencës për rrethanat e paraqitura me këtë ankesë, në mënyrë që Autoriteti i Konkurrencës të përdorë kompetencat e tij dhe të vlerësojë sjelljet e pretenduara anti-konkurruese dhe të marrë një vendim në përputhje me legjislacionin”, shprehet Sekretariati i Energjisë. Vetëm gjatë këtij viti, KESH ka shitur rreth 50 milionë euro energji elektrike. Në shkresën drejtuar Autoritetit të Konkurrencës, Sekretariati thotë se disponon disa të dhëna për transaksionet e energjisë mes KESH dhe dy operatorëve që dyshohet se janë favorizuar.


















