Genta Sula tek “Zëri i Amerikës”/ Nuk kemi asnjë shtytje politike, lidhjet e prokurorit Sheshi me Sigurimin e Shtetit janë provuar. Nisja e hetimeve dhe reagimet e Manjës, Sheshit e Markut. Opozita depoziton padinë për kreun e akuzës

747
Sigal

Zëri i Amerikës/Genta Sula: “Lidhjet e Sheshit me Sigurimin janë provuar. Nuk kemi asnjë shtytje politike”

Autoriteti ka gjetur dokumente, sipas të cilit, zoti Sheshi ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, me pseudonimin ‘Venusi’

Në Tiranë, drejtuesja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Genta Mara Sula, tha dje për “Zërin e Amerikës”, se verifikimet dhe vendimi ndaj anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi, janë të sakta dhe të bazuara në dokumente, që provojnë lidhjet e tij me Sigurimin e Shtetit. Zonja Sula shprehu keqardhjen që vendimi i Autoritetit u publikua nga burime të tjera në kundërshtim me ligjet e konfidencialitetit, por institucioni i saj është i bindur në saktësinë e vendimit. “Bëhet fjalë për një person, i cili nuk mund të jetë pjesë e institucioneve të drejtësisë së demokracisë për shkak të bashkëpunimit të tij me Sigurimin e Shtetit gjatë diktaturës. Por është e drejta e tij të ankohet në prokurori” – tha zonja Sula. Ajo hodhi poshtë si të pavërteta pretendimet e tij për prapamendime politike në veprimtarinë e institucionit, i cili ka verifikuar deri tani mbi 1 mijë e 500 persona, vetëm 5 prej tyre janë ankuar dhe vetëm për njërin vendim është tërhequr pas. Prokurori Bujar Sheshi, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), mohoi dje që ai të ketë qenë i rekrutuar nga strukturat e ish sigurimit të Shtetit para viteve ’90. “Deklaroj me përgjegjësi të plotë para jush dhe para ligjit nuk kam qenë asnjëherë bashkëpunëtor i fshehtë i ish Sigurimit të Shtetit shqiptar”, – u shpreh zoti Sheshi në mbledhjen e KLP-së. Me këtë mohim të plotë ai dje ka ngritur padi në Prokurori kundër Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit. “Skenari nuk synon thjesht vetëm goditjen e personit tim si hakmarrje për çështjet që kam hetuar apo përfaqësuar si prokuror, apo për mendimet që kam shfaqur si anëtar i KLP-së për kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për Prokuror i Përgjithshëm, por mendoj se synohet goditja dhe vendosja nën trysni e të gjithë institucionit të KLP-së, pasi kemi ardhur në një moment përfundimtar të krijimit të SPAK-ut dhe përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm”, u shpreh ai. Zoti Sheshi shtoi se “pas këtij veprimi fshihen segmente të caktuara që janë pjesë e rëndësishme të politikës, jo vetëm të njërit krah, por dhe persona me pushtet të lartë”. Autoriteti ka gjetur dokumente, sipas të cilit, zoti Sheshi ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, me pseudonimin ‘Venusi’. Ligji pengon të bëhen sot anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë ata persona që para 2 korrikut 1991 ishin anëtarë të Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtorë apo as të favorizuar të Sigurimit të Shtetit. Nga Ilirian Agolli

Prokuroria e Tiranës nis hetimet për Bujar Sheshin

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, falsifikimi i dokumenteve, parashikuar nga neni 248 dhe 186 i kodit penal. “Veprimet hetimore synojnë të nxjerrin në pah ekzistencën e faktit në raport me vendimin e marrë nga Autoriteti, (AIDSH), ligjshmërinë e këtij vendimi, veprimet e kryera prej këtij institucioni, ligjshmërinë e ndjekur nga Prokuroria e Përgjithshme në veprimet e saj, për kandidatin Bujar Sheshi, deri në përzgjedhjen e tij si anëtar KLP së, si dhe vërtetësinë e deklarimeve të prokurorit Bujar Sheshi në formularin përkatës”, thanë burime nga Prokuroria.

Bujar Sheshi padit Gentiana Sulën e Autoritetit të Dosjeve, dha me dashje të dhëna të rreme

Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi paditi në prokurori kryetaren Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit(AIDSSH) Gentiana Sula për akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorim detyre. “Unë kam deklaruar dhe rideklaroj nën përgjegjësinë time ligjore që nuk kam qenë asnjëherë në jetën time as bashkëpunëtor dhe as anëtarë i Ish-Sigurimit të Shtetit. Veprimet e kundraligjshme nga Kryetarja e Komisionit apo edhe personat që kanë bashkëpunuar me të janë kryer me dashje, pra të dhënat e rreme janë shënuar me dashje në vendim me qëllim cenimin e integritetit tim moral dhe profesional.” shkruhet në kallëzimin penal drejtuar prokurorisë së Tiranës.

Kallëzimi penal. Bujar Sheshit i quan vendime të rreme ato të Autoritetit të Dosjeve ku Sheshi argumenton pse janë të rreme vendimet e AIDSSH. “Të dyja konkluzionet e parashtruara në pjesën e dispozitivit të këtij vendimi janë të rreme, në kundërshtimi të hapur me faktet e parashtruara edhe në vetë pjesën përshkruese të vendimit, në kundërshtim të hapur me ligjin 45/2015 si dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij. Marrja e këtij vendimi kaq haptazi të padrejtë cenon rëndë integritetin tim moral dhe profesional dhe gjithashtu dëmton rëndë interesat e Shoqërisë Shqiptare, sepse vjen si një presion apo shantazh i hapur mbi punën e anëtarëve të një nga Institucioneve më të Rëndësishme të Reformës në Drejtësi, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në këtë moment historik, i cili përkon me zgjedhjen e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme apo me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.” Po ashtu, Sheshi pranon se ka kryer detyrën e hetuesit në Degën e Punëve të Brendshme të Fierit në vitin 1979, por këtë detyrë e ka pasqyruar edhe në CV-në e tij. Ai sqaron se mbas vitit 1974, Hetuesia dhe Organi i Sigurimit të Shtetit kanë qenë dy organe të ndryshme, ndaj konkluzioni se bazuar në ligjin 45 të vitit 2015, ka të dhëna ““….figuron të ketë materiale në emër të tij, si anëtar, në dokumentet e sigurimit të shtetit” sipas tij është i rremë dhe është shënuar në vendim, me qëllim cenimin e integritetit moral dhe profesional.

Kryeprokurorja Arta Marku: Nuk rezulton që Bujar Sheshi të ketë qenë bashkëpunëtor i Sigurimit

Kryeprokurorja Arta Marku ka reaguar ndaj akuzave për prokurorin Bujar Sheshi, duke u shprehur se në dokumentet e dorëzuara ka deklaruar se nuk ka qenë anëtar apo bashkëpunëtor, apo i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit dhe për këtë ka pas dijeni se në rast deklarimi të rremë do të jetë fajtor. Prokuroria e Përgjithshme Arta Marku thotë se përgjigjja nga Autoriteti i Dosjeve ka vonuar dhe pasi ky institucion është njohur me Relacionin e Burimeve Njerëzore sipas të cilit prokurori Bujar Sheshi plotëson kushtet dhe kriteret ligjore për të qenë kandidat i KLP, Arta Marku ka vijuar me procedurën për organizimin e Mbledhjes së Përgjithshme si hapi përfundimtar për ngritjen e KLP-së. Sipas Arta Markut verifikimi nga Autoriteti i Dosjeve nuk ishte një prej kritereve të parashikuar në ligj, për njerëzit e vettingut.

PD-LSI padisin Arta Markun, kërkojnë pezullimin e saj nga posti i kryeprokurores

PD dhe LSI kanë paditur në Prokurorinë e Tiranës, Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” për çështjen e prokurorit Bujar Sheshi. PD dhe LSI pretendojnë se Arta Marku nuk ka pritur verifikimin e Bujar Sheshit, sot anëtar i KLP-së, i cili rezulton sipas Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit se ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit. Sipas ligjit, një nga kushtet për të kandiduar për KLP është se kandidati duhet “të mos kenë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. PD dhe LSI deklarojnë se ka qenë Marku që ka dërguar shkresën për verifikimin e prokurorit Sheshi tek Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit por nuk e ka pritur përgjigjen e Autoritetit edhe pse ishte e detyruar ta priste. Sipas PD-LSI, nëse do të dilte me problem ky subjekt, ai nuk do kualifikohej dot për të kandiduar për KLP. Në këtë mënyrë sipas padisë së PD dhe LSI, Arta Marku nuk ka përmbushur përgjegjësinë ligjore për verifikimin paraprak të kushteve ligjore të kësaj kandidature (qenia ose jo bashkëpunëtor i sigurimit te shtetit). Për më tepër, në padinë e PD-LSI thuhet se në faqen zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme është publikuar vetëm një relacion i administratës së Prokurorisë së Përgjithshme që i drejtohet znj. Arta Marku, ku konkludohet se kandidatura e Bujar Sheshit është verifikuar dhe i plotëson kushtet ligjore. “Nga të gjitha rrethanat e parashtruara më lart, rezulton se Prokurorja Arta Marku, ka shkelur rëndë ligjin, duke mos përmbushur detyrimin ligjor të parashikuar në nenin 279 pika 3 e ligjit nr. 115/2016 ‘Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë’”, deklaron PD dhe LSI. Në kërkesën e tyre drejtuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, PD dhe LSI kërkojnë regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj Arta Markut për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim i detyrës”, të parashikuara nga neni 248 i Kodit Penal, si dhe kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme për sqarimin më të saktë e më të plotë të rrethanave të parashtruara. Në mbështetje të neneve 240-243 të Kodit të Procedurës Penale, dy kryetarët e grupeve parlamentare PD dhe LSI bëjnë paraqitjen e kërkesës për marrjen e masës ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” apo “ndalimi i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale”, për personat e kallëzuar në këtë Kallëzim Penal, të cilët nëse vijojnë punën mund të prishin provat apo pengojnë hetimin.

Ulsi Manja: “Nuk do ketë seancë të posaçme te Ligjet për Bujar Sheshin”

Komisioni i Ligjeve nuk do të mblidhet në seancë të veçantë, ashtu siç rekomandoi Komisioni i pavarur për monitorimin e zbatimit të reformës në drejtësi, për të dëgjuar drejtuesit e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, mbi çështjen “Sheshi”. Kryekomisioneri i Ligjeve tha se kjo çështje do të ngrihet vetëm në rastin kur Autoriteti i Dosjeve do raportojë për aktivitetin vjetor, për të cilin ende nuk ka një datë. Por çdo të ndodhë me fatin e prokurorit Bujar Sheshi, për të cilin dokumentet e publikuara e shfaqin si ish-bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit? Ulsi Manja thotë se vendimmarrja i takon Gjykatës.

Silva Caka, deputetja e LSI: “Riciklimi i këllirave”, kjo është Reforma në Drejtësi e Edi Ramës

Deputetja e LSI-së, Silva Caka, është treguar shumë e ashpër në akuzat e saj për reformën në drejtësi. Nisur nga denoncimet e fundit, ku njerëz të institucioneve të Vettingut, kanë dalë me probleme në deklarimet e tyre, Silva Caka, e quan këtë fenomen “Riciklim të këllirave”, ndërsa akuzon edhe “Ndërkombëtarët rrinë e vështrojnë reformën që vjen erë… Ndërsa ONM, merr miliona euro për të mbyllur sytë!?”. Tmerr pacipësi si kjo, s’na kanë parë sytë! Ne kujtuam se do zgjidheshin këta që kanë mbaruar jashtë, në krye të drejtësisë, kurse këta i zgjodhën edhe bashkëpunëtorë të sigurimit në gjimnaz, edhe studentë të sigurimit, edhe hetues të sigurimit, edhe 65 vjeç, pa një gjuhë të huaj, edhe mashtrues, që gënjejnë për mbiemrin, edhe shantazhues ndaj Autoritetit të Dosjeve, që thotë të vërtetën. Ndërkombëtarët rrinë e vështrojnë reformën që vjen erë… Ndërsa ONM, merr miliona euro për të mbyllur sytë!?