Seanca parlamentare/ Deputetët votojnë sot në Kuvend rezolutën e mazhorancës “Për Shqipërinë 2030”, ja çfarë pritet të ndodh

36

4 orë debat do të jenë rreth projektrezolutës së mazhorancës “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, ndërsa zëra të ndryshëm të opozitës nuk ranë dakord me socialistët.

Sigal

Në orën 13:00 të kësaj të hëne parashikohet të nisi seanca e radhës parlamentare në Shqipëri. Gazeta Telegraf duke u bazuar tek agjenda e publikuar nga Parlamenti mëson se në fokusin e zhvillimeve të kësaj seance do të jetë projektrezoluta e socialistëve e quajtur ndryshe si projektrezoluta “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”. Kjo pritet të jetë pika e vetme më e nxehtë e seancës plenare. Vetëm për këtë projektrezolutë është parashikuar një kohë diskutimesh prej 4 orësh ku socialistët do të kenë rreth 2 orë kohë për diskutim, demokratët rreth një orë e një çerek, ndërsa pjesa tjetër do t’u jepet grupimeve parlamentare të “Aleancës për Ndryshim”. “Drejtësi për Integrim” Partia e Lirisë dhe PSD. Dy deputetët e ndodhur jashtë grupeve parlamentare Agron Shehaj dhe Kasëm Mahmutaj do të kenë së bashku 4 minuta kohë diskutimi për këtë projekt rezolutë. Socialistët thanë se e ngritën këtë rezolutë bazuar në rekomandimet e raportit të Bashkimit Europian për Shqipërinë 2023, Raportin Screening të Komisionit Europian si dhe në deklaratat apo rezo1utat e Samitit për demokraci të SHBA. Projektrezoluta me 8 pika e mazhorancës nuk është pranuar nga opozita dhe pikërisht këto kundërshti mund të kthehen në përplasje debatesh mes palëve të mazhorancës dhe opozitës. Më herët përfaqësuesja e partisë demokratike deputetja Tabaku la të kuptohej se nuk do ta mbështesnin projektrezolutën. Në një reagim dy ditë më parë ajo tha:“ Në emër të opozitës kemi dorëzuar vijësisht ligje për të parandaluar korrupsionin. Për atë korrupsion që sot, fatkeqësisht është kthyer në një korrupsion endemik, që po shtrihet në gjithë ekonominë, po largon të rinjtë nga Shqipëria dhe që po e përqendron ekonominë në pak duar. Mazhoranca nuk besoj se e ka lartësinë morale për ta luftuar korrupsionin. Procesi i integrimit është një proces gjithëpërfshirës. Një proces që duhet të ketë bashkëdakordësi. Dhe kjo s’mund të bëhet njëanshmërisht nga ato që sjellin ligje në parlament pa asnjë procedurë, ligje të porositura. Ligje që nuk e luftojnë korrupsionin, por e stimulojnë korrupsionin. Për këtë arsye besoj që lufta kundër korrupsionit duhet të kthehet në një prioritet kombëtar dhe duhet që opozita të jetë pjesë e saj patjetër”,- tha ajo. Po ashtu edhe Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta u shpreh më herët se nuk kishte asnjë besueshmëri për reforma anti-korrupsion të kryeministrit duke lënë të kuptohet se projekt rezoluta duket e largët për konsensusin me opozitën. Sot në orën 13:00 është lajmëruar nisja e séances, ndërsa mazhoranca përtej forcës së numrave do të tentoj të siguroj mbështetje edhe nga deputetët jo të krahut të saj.