Edhe pse kanë kaluar 14 muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, qeveria shqiptare dhe “Tigri” i Rindërtimit hap thesin e premtimeve për vota, 80 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit. Qeveria josh militantët e saj me miliona, ndërkohë, që mijra shqiptarë flenë nëpër çadra të braktisur dhe të harruar. Ja faktet, që nxjerrin lakuriq propagandën e Rilindjes
“Rilindja” ka nxjerrë listën me pallate dhe banesa. Mijëra banorë të këtyre pallateve dhe banesave janë ende në qiell të hapur, teksa milionat e ardhura nga ndërkombëtarët do të përdoren nga mazhoranca për qëllime elektorale
Katërmbëdhjetë (14) muaj pas tërmetit dhe tetëdhjetë (80) ditë para zgjedhjeve, “Tigri” kujtohet që të nxjerrë një listë për rikonstruksionin e pallateve dhe banesave të dëmtuara në Durrës.
Ministri i Rindërtimit ,Arben Ahmetaj, ka “përdorur” në këtë rast nënkryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, e cila ka urdhëruar kryerjen e një tenderi për hartimin e projekteve të rikonstruksionit. Pra, disa javë para zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit, më në fund bashkia u kujtua të nxjerrë listën, duke i përdorur të pastrehët për qëllime politike.
Ashtu siç ka ndodhur rëndom para zgjedhjeve, ku çdo forcë politike përdor shtresat në nevojë për vota, edhe kësaj herë “Rilindja” ka nxjerrë listën me pallate dhe banesa. Mijëra banorë të këtyre pallateve dhe banesave janë ende në qiell të hapur, teksa milionat e ardhura nga ndërkombëtarët do të përdoren nga mazhoranca për qëllime elektorale.
Sipas dokumenteve, Bashkia e Durrësit ka hapur tenderin me objekt të kufizuar, me objekt “hartimin e projekteve të ndërhyrjeve rehabilituese – përshtatëse të nevojshme”. Fondi për këtë tender është rreth 3 miliardë lekë të vjetra, ndërsa kohëzgjatja e kontratës është 180 ditë kalenderike.
Mësohet se në total janë 103 pallate të dëmtuara me DS4. “Sipërfaqja e ndërtimit e 103 pallateve, sipas analizave të Insitutit të Ndërtimit dhe të nxjerra nga DATECH është afersisht 573,794.8 m²” thuhet në dokumentet e tenderit. Ndërkohë, janë 127 shtëpi që do të rikonstruktohen apo përforcohen. “Sipërfaqja e ndërtimit e 127 shtëpive sipas analizave të Insitutit të Ndërtimit është afërsisht 43,323.8 m²”, vijon Bashkia.
Më pas, është edhe lista e plotë e pallateve dhe banesave të shpërndara në të gjithë Durrësin. Në listat e plota, ku ajo që vihet re është se dokumentet e ngarkuara janë marrë nga Instituti i Ndërtimit, i cili ka bërë akt-konstatime në objektet e dëmtuara. Aq më tepër, dokumentet kanë firmën e inxhinierit të ndjerë, Agron Hysenlliu.
Shiheni pak me kujdes dokumentin e mësipërm. Bëhet fjalë për akt ekspertizë të datës 12 Mars 2020, të Institutit të Ndërtimit, që ia dërgon Bashkisë së Durrësit. Ekspertiza është për pallatin 9-katësh në rrugën “Sami Frashëri”… madje, siç e thamë, me firmë të të ndjerit Hysenlliu, që ndërroi jetë nga COVID 19 në mes të muajit nëntor 2020.
Pra, për 11 muaj, Bashkia e Durrësit e ka mbajtur në sirtar këtë dokument dhe vetëm disa javë para zgjedhjeve, vendos që të hartojë projektin e rikonstruksionit. Banorë, do vijoni të jetoni me qira, pasi nuk bëhet fjalë për rindërtim, por vetëm hartim plani. Dhe, pasi të bëhet hartimi që do zgjasë rreth 6 muaj, sërish do bëhet tender për rikonstruksionin. Pra, vetëm procedura. Me këto ritme, pritet të përfundojnë pas 5 vitesh!
Faktet/ Mashtrimi me rindërtimin
1 vit e 3 muaj nuk denjojnë të bëjnë një proçesverbal pallati
Por hipokrizia dhe marrëzia e mashtrimeve të Rilindjes dhe “Tigrit” të ministrisë së Rindërtimit qëndron në faktin se Arben Ahmetaj, Njësia Bashkiake nr.1 Tiranë dhe Bashkia e Tiranës nuk kanë denjuar të bëjnë një proçesverbal për gjendjen e pallateve dhe jo më t’i japin zgjidhje çështjeve të banorve. Rasti konkret është në rrugën “Idriz Dollaku”, vetëm 900 metra nga qendra e Tiranës. Banorët janë nxjerrë nga pallati nr. 21 dhe presin se çfarë përgjigje do i japin shoë-menët, që kanë ngrirë në ekrane, duke i nxjerrë bojën vetes. Askush nuk ka shkelur, askush nuk bënë një proçesverbal, edhe pse banorët kanë marrë kredi dhe këto kredi i kanë të siguruara. Por nuk përfitojnë, sepse nuk pajisen sipas ligjit me proçesverbalet zyrtare për të përfituar nga kompanitë e sigurimeve. Bankat vjelin kredinë, kompanitë nuk paguajnë sigurimet, sepse “Tigri” i Rindërtimit Arben Ahmetaj dhe Njësia Bashkiake nr.1 Tiranë nuk japin asnjë vërtetim. Në ditët në vijim do të japim të detajuar korespondencat dhe heshtjen e institucioneve shtetërore, të cilat rrugën “Idriz Dollaku” dhe “Zhegu” e kanë kthyer në Kandahar.




















