Rilindja nën diktat gjyqësorin/ Forumi në “Telegraf”: Flasin juristët Xhanari, Cakrani, dhe Islami: Vetëm në diktatura gjykatat japin vendimet brenda ditës, ngaqë janë kuzhina të qeverisë. Spastrimi i administratës në prag të zgjedhjeve dhe pse kryemnistria ëshë katandisur në Call Center

Jakup B. GJOÇA

Pardje, Astrit Patozi, deklaroi se partia e re Bindja Demokratike bëri regjistrimin në Gjykatën e Tiranës dhe paskëtaj, edhe regjistrimin në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, meqë deri në 23 prill ishte afati i fundit i regjistrimit ë partive dhe subjekteve politike në zgjedhjet vendore. Diçka e habitshme ndodhi, që gjykata të hedhë në short kërkesën, të caktohet gjyqtari, e paskëtaj gjyqtari gjykojë një kërkesë, të hetojë gjithë dokumentacionet, sikurse kërkon ligji dhe të marrë një vendim brenda një dite, në një kohë, që dihet, me mungesat e mëdha të trupës gjyqësore në gjykata, çdo kërkesë, çdo çështje gjyqësore zvarritet me vite të tëra, saqë dosjet zverdhen nëpër raftet e arshivave të këtyre gjykatave.

NOA

Juristi Gerdi Xhanari: Kërkesa e partisë shqyrtohet sot nga gjykata

Juristi Gerdi Xhanari, në një prononcim për gazetën “Telegraf” pohon: Është e pamundur që brenda një dite, të regjistrohet në gjykatë një kërkesë për regjistrimin e partisë, që, paskëtaj gjykata ta shqyrtojë dhe të zbardhë vendimin për regjistrimin e partisë në gjykatë. Kush e tha, që partia u regjistrua pardje brenda ditës, natyrisht ka bërë shaka, ose ka lëshuar me dashje një shashkë politike. Sa për dijeni, sot gjykatësi i Gjykatës së Tiranës do të shqyrtojë kërkesën për regjistrimin e partisë për të cilën bëhet kaq zhurmë. Pastaj, kërkesat për regjistrimin e partisë politike në gjykatë janë të pasqyruara në ligjin “Për Partitë Politike” numër 25/2014 datë 25.09.2014, neni 9, 10, 11, 12, 13 dhe 14.

Avokat Kujtim Cakrani: Në regjime diktature gjykatat gjykojnë dhe marrin vendime brenda ditës

Unë jam një jetë nëpër dyert e gjykatave. Nuk ka ndodhur asnjëherë, që një çështje, një kërkesë të regjistrohet në mëngjes në sekretarinë e Gjykatës dhe brenda pak orësh, kjo kërkesë të kalojë në short, për t’u caktuar trupa gjykuese. Paskëtaj, brenda minutës, gjykatësi, të marrë dosjen nga sekretaria dhe ta shqyrtojë dhe, paskëtaj, në mesditë gjyqtari të marrë vendimin dhe njëkohësisht të zbardhë edhe arsyetimin e vendimit. Nuk shkon. Asnjë nuk mund të pranojë që vendime të tilla merren nga gjykata, sado të korruptuara dhe të partizuara të jenë këto gjykata. Mund të jetë ose një lapsus dashakeq i atyre që deklarojnë se gjykata ka dhënë një vendim të tillë, ose, nëse vërtet është dhënë një vendim i tillë nga gjykata brenda ditës, gjykata thjesht ka lexuar ndonjë shkresë të partisë. Nuk ka sens të diskutojmë këtë çështje nga pikëpamja juridike. Në sajtin zyrtar e gjykatës së Tiranës, nuk ka ndonjë vendim të tillë, çfarë dëshmon se nuk është marrë asnjë vendim për regjistrimin e asnjë partie të re.

Avokat Zaçe Islami: Gjykata është kuzhina e partisë, vendimet janë çorba partiake

Nëse gjykata e Tiranës ka marrë ndonjë vendim kaq ekspres, kjo është prova më e qartë, që gjykatat janë kthyer në kuzhina të partisë dhe vendimet e tyre janë çorba partiake. Vendime kaq ekspres, që gjykata brenda ditës të shqyrtojë një kërkesë brenda ditës dhe, paskëtaj të japë vendimin e zbardhur, as në vendet më të humbura të Botës nuk mund të imagjinohet. Nëse ka ndodhur në gjykatën e Tiranës, atëherë ne duhet të bindemi që kjo qeveri është Partia e Punës që na qeveris, sepse vetëm në atë regjim gjykatat ishin notere të urdhrave të partisë, që askush nuk guxonte dot t’i kundërshtonte. Sot diktatura nuk deklarohet me tanke në rrugë, por deklarohet me vendime të tilla partiake nga gjykatat që janë kuzhina të partisë.

Spastrimi i administratës publike nga kundërshtarët politikë në prag të fushatës elektorale

Kryeministri Edi Rama dje në takimin e përjavshëm me qytetarët në kuadër të bashkëbisedimit përmes platformës së bashkëqeverisjes pohoi: Janë, sot që flasim, mbi 600 individë, që nga nëpunës të nivelit të zyrave të kontakteve me qytetarët, deri tek drejtues të këtyre zyrave, të cilët janë larguar pikërisht sepse nuk kanë qenë të denjë në shërbimin ndaj qytetarëve. Me fjalë të tjera, kryeministri Rama pohon se, në bazë të denoncimeve në portalin qeveritar shqiperiaqeduam.al janë spastruar nga administrata shtetërore 600 nëpunës civilë, ndërkohë që, kryeministri Rama pohon edhe se “numri total i adresimeve në platformë që janë ankesa, kërkesa, opinione në nivel qendror dhe vendor, ka kaluar 41.000 dhe po i afrohet 30.000 numri i rasteve të zgjidhura”. Pra, kryeministri Rama na thotë se shteti, institucionet shtetërore nuk ekzistojnë, ose nuk funksionojnë për të pritur e zgjidhur shqetësimet popullit, por funksionon vetëm sajti i qeverisë, ku secili spiunon këdo dhe mbi bazën e këtyre spiunimeve, një koordinator i bashkëqeverisjes zbon nga administrata këdo nëpunës. Gazeta “Telegraf” kërkoi prononcimin e juristëve , nëse është e ligjshme ky funksionim i shtetit me platformën bashkëqeverisëse.

Av. Kujtim Cakrani: Kryeministria është katandisur Call Center

Kryeministri Rama funksionon portalin bashkëqeverisjes në kundërshtim të plotë me ligjin. Çdo institucion shtetëror ka ligjin përkatës që funksionon. Për shembull, ligji “Për gjykatat”, ligji “Për ministrinë e Drejtësisë”, ligji për “Ministrinë e Shëndetësisë”, etj. A mund të na thotë kryeministri se mbi çfarë ligji funksionon portali bashkëqeverisjes? Pastaj, çdo nëpunës i një institucioni vlerësohet dhe merren masa ndaj tij nga institucioni përkatës, mbi bazën e një ligji të caktuar institucional. Si mundet një kallëzim, spiunllëk në portalin bashkëqeverisjes, të shqyrtohet nga një koordinator e pastaj ky koordinator të zbojë nga puna një nëpunës civil? Kryeministri mbase me këto cirqe politike spastron administratën publike nga kundërshtarët e vet politikë, meqë jemi edhe në fushatë zgjedhore. Kryeministria sot është katandisur si një Call Center me platformën bashkëqeverisëse. Kryeministri qëllimisht mbivendos kompetencat ligjore e kushtetuese të institucioneve me platformën bashkëqeverisëse.

Av. Zaçe Islami: Kryeministri Rama i quan shqiptarët se janë skllevër të pushtetit të tij

Kryeministri Rama me platformën e tij të bashkëqeverisjes sillet me shqiptarët sikur të jenë skllevër të pushtetit të tij, sepse shpërfill ligjet, institucionet dhe na demonstron se ka kaq pushtet në dorën e tij, sa mund të zbojë këdo nëpunës, këdo drejtor institucioni, thua se është gur shahu dhe funksionimi i shtetit është një lojë shahu, ku kryeministri luan në të dyja anët përballë vetvetes, pa kundërshtarë. Kryeministri Rama me platformën e tij bashkëqeverisjeje u thotë shqiptarëve: Shteti jam vetëm unë! Unë emëroj kë të dua, që nga roja i institucionit e deri tek ministri. Unë shkarkoj kë të dua dhe kur të dua.