‘Rilindja’ e Piktorit na la shtet pa rini!

450
Sigal

Analizë nga Kim Mehmeti/ Nëntori na tregon se Rilindasit e parë na lanë trashëgimni Flamurin, krenarinë, alfabetin dhe Shqipërinë. ‘Rilindja’ e sotme na la shtet pa rini dhe të marrë peng nga krimi e keqëqeverisja. Këta nxjerin ligje që amnistojnë oligarkët, ndëshkojnë hallexhinjtë dhe flasin në emër të popullit duke udhëtuar me truproja dhe makina të blinduara. Të paaftët e administratës, spitalet pa ilaçe dhe tallja me inteligjencën

‘Rilindja’ e Piktorit na la shtet pa rini!

Kim Mehmeti

Sot kur shënojmë Festat e Nëntorit dhe kur shqiptaria është stolisur Kuq e Zi, duhet të ndjehemi mburrshëm e krenarë me atë që trashëguam nga e shkuara, por edhe të kthejmë shikimin nga e sotmja trishtuese e të shohim se atë që është palca e boshtit kurrizor të shqiptarisë, se më të vlefshmen që kemi – rininë, e lamë pa ideale, ia venitëm të gjitha ëndrrat dhe ia harxhuam të ardhmen. Pra të shohim se rininë e lamë në duart e manipuluesve të ndryshëm dhe politikanëve të papërgjegjshëm, me çka e prumë në situatë t’i braktisë trojet e të parëve dhe t’i ngjajë kalorësit që shkon deri atje ku e çon kali pa frerë i pashpresës! Me çka u bëmë popull që ka më shumë flamujbartës Kuq e Zi jashtë, se sa në trojet shqiptare. Sot kur do festojmë Ditën e Flamurit, ne duhet t’i themi Piktorit të ‘Rilindjes’ se është duke parë ëndrra gomarësh, nëse beson se jemi aq mendjelehtë, sa të na bindë, se të rinjtë shqiptarë e braktisin vendlindjen të nxitur nga telefonat celularë dhe nga pozita gjeografike e Shqipërisë!? Pra duhet thënë atij qartë e shqip, se pozita e Kryeministrit nuk të lejon të tallesh me inteligjencën kolektive të popullit tënd as atëherë kur e ke humbur çdo pushtet mbi vetveten.Sot ne duhet ta pranojmë dështimin tonë kolektiv e, që më së miri e pasqyrojnë partitë shqiptare që ngjanë me sekte politike. Parti që janë shndërruar në strehimore edhe për të paaftët, edhe për kriminelët si dhe për kryehajdutët që i drejtojnë ato

Dhe shumë burrështetasve hajdutokratë të ‘Shqipërive’ tona duhet thënë, se përderisa atdhetarët e dikurshëm dhe Rilindësit na lanë trashëgimi mburrjen, krenarinë, flamurin, alfabetin dhe Shqipërinë, këta na lanë shtete pa rini dhe të marrë peng nga krimi e keqqeverisja. Sot kur i shënojmë Festat e Nëntorit, duhet shpjeguar këtij populli, se e jeton kohën kur burrështetas kriminelë e hajdutë miratojnë ligje për ta mbrojtur shtetin nga mëkatet e varfanjakëve, por jo edhe nga vetvetja e tyre prej hajduti. Pra, duhet shpjeguar popullit se e jeton kohën ku ‘Shqipëritë’ tona i amnistojnë politikanët hajna e të ligj, por nuk ua falin mëkatet hallexhinjve e atyre të pa pushtetshëm. Pra, i duhet thënë këtij populli se burrështetasit shqiptarë lëvdohen, se ata i do dhe i mbështet popullit, por duke u mbrojtur me truproje dhe vetura të blinduara nga popull i vet duarthatë e i varfër. E në vend që të ndodhte e kundërta: Që shqiptaria të organizohej për t’u vetëmbrojtur nga këta banditë e kriminelë partiakë, nga këta burrështetas që kopshtin e mirëqenies së pasardhësve të vet, e ujisin me lotët e fëmijëve varfanjakë! Po pra, sot duhet të rikujtojmë, se patriotët dhe Rilindësit na lanë trashëgimi alfabet, flamur e Shqipëri, ndërkaq hajdutokratët e sotëm ndërtuan shtete me institucione të partizuara, me gjykata që e zbatojnë ligjin vetëm ndaj hallexhinjve që vjedhin 50 euro për t’i ushqyer fëmijët, por jo edhe ndaj politikanit që e plaçkit popullin, me sistem të rrënuar shëndetësor ku vdesin varfanjakët, e ku nuk shkojnë të mjekohen burrështetasit milionerë, me institucione publike arsimore ku libreza partiake ta siguron edhe titullin shkencor…, me shenjë njohëse keqqeverisjen dhe korrupsionin! Dhe sot ne duhet ta pranojmë dështimin tonë kolektiv e, që më së miri e pasqyrojnë partitë shqiptare që ngjanë në sekte politike. Parti që janë shndërruar në strehimore edhe për të paaftët, edhe për kriminelët si dhe për kryehajdutët që i drejtojnë ato. Në strehimore për ata që, edhe të shkuarën tonë të lavdishme, e përdorin si mbulesë për hajdutërinë e tyre të sotme.