NATO e domosdoshme për BE-në dhe SHBA-të

814
Sigal

NATO e suksesshme dhe e domosdoshme për BE-në dhe SHBA-të

Dr. Qemal Lame

NATO është aleanca ushtarake dhe politike me e fuqishme dhe më e suksesshme në historinë e shoqërisë njerëzore. Ajo u trondit papritur nga Presidenti Donanld Trump që vuri në plan të parë interesat e SHBA-s, kërcënojë në korrik 2018 me largimin nga NATO, etj.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ricikloi shqetësimet, mosmarrëveshjet e vjetra dhe pretendimet për dominim në politikën evropiane me idetë që parashtroi në intervistën e tij në revistën britanike “The Economist” në 7 nëntor 2019, duke e quajtur NATO-n “me tru të vdekur” dhe se ai “nuk e din nëse akoma beson te Neni 5 i Traktatit të NATO-s”.

Franca njihet për politikën e saj goliste e nacionale në fushën ushtarake. Ajo u vetlargua në vitin 1969 nga strukturat e NATO-s në zbatim të politikës së presidentit Sharl De Gol. Politikanët dhe ushtarakët francezë u binden se roli i Francës është më i fuqishëm bashkë dhe jo veç shteteve të aleancës. Prandaj u rikthye, në prill të vitit 2009. Pas dhjetë vjetëve, Makron rikthehet në doktrinën goliste anti-atlantike!? Deklarimet politike publike nuk janë shoqëruar me masa konkrete shtetërore. Megjithatë mbetet rreziku i tyre potencial.

Së pari, në politikën evropiane ndjehet një çarje midis Francës dhe Gjermanisë në strategjinë për Evropën e bashkuar, NATO-n dhe mbrojtjen evropiane te pavarur nga SHBA. Ka lindur ideja se Macron përpiqet të marri rolin e liderit evropian, pas largimit të Merkel dhe të vendosi për të ardhmen e Evropës duke vënë në plan të parë interesat franceze.

Së dyti, Bashkimi Evropiane dhe në veçanti vetë Britania e Madhe po përballen me pasojat e Brexit për shkak të politikës së njëanshme të politikanëve nacionalistë britanikë që rrezikojnë edhe ndarjen e Mbretërisë së Bashkuar Angleze, rënien ekonomike e uljen e fuqisë së saj si forcë botërore. Bashkimi Evropian me dy shtete bërthamore Francën e Anglinë, ndjen largimin e njëanshëm anglez, rritjen e rolit ushtarak francez dhe pozicionimit gjerman për garantimin e sigurisë me strategjinë e mbrojtes evropiane nga NATO.

Për Shqipërinë dhe shtetet e tjera të rajonit mbeten jetike raportet strategjike, gjeopolitike dhe veprimtaria konkrete politike, ushtarake e ekonomike e shteteve të fuqishme të Bashkimit Evropian, marrëdhëniet e BE me SHBA dhe roli parësor i NATO-s në mbrojtjen evropiane. Për këto arsye, është i papranueshëm nënvleftësimi për të mos thënë injorimi i pamerituar i NATO-s “me tru të vdekur”, si dhe vënia në dyshim e Nenit 5 të Traktatit të NATO-s për detyrimin për të gjithë që një sulm ndaj një anëtari të NATO-s konsiderohet si sulm ndaj gjithë anëtarëve të NATO-s. Prandaj vlerësohen shqetësuese edhe pasojat për bashkësinë evropiane dhe rajonin tënë nga vetoja e Francës kundër hapjes së bisedimeve me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, kundër Marrëveshjes së BE me Kosovën për lëvizjen e lirë, si dhe qëndrimi së fundi për vdekjen klinike të NATO-s e afrimi i njëanshëm me Rusinë. Tronditëse është edhe skandali diplomatik i Macron në raport me Bullgarinë e Ukrainën, kur ai deklaroi pa përgjegjësi se preferon më shumë emigrantë nga Afrika se sa bandat nga Bullgaria dhe nga Ukraina. Bosnjë-Hercegovinën e cilësoi “një minë xhihadiste me sahat”!

Franca bllokoi integrimin me kërkesat e reja për zgjerimin, si dhe rrezikon procesin për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në NATO. Zëdhënësja e MPJ, Maria Zakharova, brenda ditës reagoi dhe i lavdëroi si “fjalë të arta” qëndrimet e Makronit kundër NATO-s. Faktikisht inkurajohet politika ruse kundër forcimit politik, ekonomik e ushtarak të Bashkimit Evropian, si dhe i hapin mundësi zgjerimit të ofensivës politike, ushtarake e ekonomike të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor për të sabotuar edhe integrimin euroatlantik.

Paqja, siguria dhe stabiliteti politik në Ballkan janë të garantuara me NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Por ato vihen në rrezik nga zgjerimi i pranisë ushtarake të Rusisë në Serbi dhe investimet e fuqishme ekonomike e financiare të Kinës. Situata ne rajon ndodhet nën veprimtarinë e hapur të agjenturës ruse në Greqi, si dhe në Serbi të deklaruar këto ditë nga vetë Presidenti serb Vuçiç. Kriza politike dhe konfliktet ndëretnike në Maqedoni në vitin 2017, pengesa për Marrëveshjen midis Greqisë dhe Maqedonisë për ndryshimin e emërtimit të shtetit, të cilat ndërprenë anëtarsimin në Nato, që pritet të realizohet në dhjetor në Londër, kishin si autorë po shërbimin sekret rus. Gjykimi i grupit terrorist që tentoi të vriste presidentin malazez dëshmoi veprimtarinë agresive të zbulimit sovjetik në bashkëpunim me atë serb kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

Idetë e Macron nuk janë publikuar si vendime të Qeverisë apo Asamblesë Kombëtare të Francës. Megjithatë, ato përbëjnë qëndrimin e përditshëm të politikës e të diplomacisë franceze ndaj kombit shqiptar, mos mbajtjen e premtimeve dhe deklarimin e papritur të kritereve të reja për integrimin evropiane, Marrëveshjen e Kosovës me Serbinë, rrezikun për ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve shqiptare po me teritore shqiptare. Shqiptarët ndodhen nën presionin e gjeopolitikës për marrëveshje të kushtëzuar në krahasim me mbështetjen e padrejtë të Serbisë pa kërkuar falje për të kaluarën.

Gjithë kombi shqiptar, si dhe popujt e tjerë ballkanas, me përjashtim të Qeverisë së kryesuar nga diktatori Sllobodan Millosheviç, si dhe grupimet e ultranacionalistëve shovinistë që kanë drejtuar dhe drejtojnë Serbinë, janë mirënjohës ndaj NATO-s ku u dëshmua edhe kontributi i Francën në Luftën në Bosnje-Hercegovinë dhe pastaj në Kosovë. Por qëndrimet e Francës pro Serbisë dhe ndikimi i saj tek politika zyrtare në Tiranë e Shkup, për të zëvendësuar integrimin evropian me atë ballkanik me dominim nga Serbia, pas të cilës qëndron konkretisht Rusia e integrimi rus, janë kërcënim real për paqen, sigurinë, sovranitetin dhe integritetin territorial. Për këtë arësye, ka rëndësi të theksojmë qartë e me objektivitet faktin se Franca mbështet pretendimet strategjike të Serbisë me projektin e krijimit të “zonës së përbashkët ekonomike ballkaniko-perëndimore”. Nuk bëhet fjalë për mënjanimin e radhëve të njerëzve që presin për viza, prishjen e domateve e patateve në kufi në pritje të procedurave. Qëllimi është afirmimi i Beogradit si qendra politike e ekonomike e Ballkanit, hapja e kufijve, ligjërimi faktikisht i pushteti serb në zonat e populluara me kolonë serbë duke dëbuar shqiptarët, grabitja e pasurive të Mitrovicës së Veriut, marrjen nën kontroll të lumit që furnizon me ujë termocentralin gjigant të Kosovës, etj. Atë që nuk arriti Tito e Millosheviçi me luftë, dëshiron ta arrijë Vuçiç me marrëveshje diskriminuese me mbështejen e Rusisë e qëndrimin jo transparent të Francës!?

Vetoja e Francës, në samitin e datës 18 tetor 2019, ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut u argumentua nga Macron dhe shpresojmë të korrigjohet. Ndërsa Vuçiç deklaroi me krenari politikën serbe për tu mbështetur në marrëdhëniet me Rusinë e Kinën. Rusia u bëri menjëherë thirrje shteteve ballkanike se është në interesin e tyre të anëtarësohen në “Unionin Ekonomik Euroaziatik të drejtuar prej saj.

Rusia po përparon edhe me integrimin ushtarak te rajonit tonë. Serbia u anëtarësua zyrtarisht disa ditë më pas, më 25 tetor 2019. Serbia është me statusin e shtetit vëzhgues me perspektivën e shpejtë për anëtarësim në aleancën ushtarake ruse të CSTO. Bosnje-Hercegovina është në udhëkryq. Anëtari serb i treshes presidenciale, Milorad Dodik, muajin e kaluar me porosi nga Moska bllokoi paraqitjen në NATO të “Planit të Veprimit për Anëtarësim” nga qeveria e Bosnjë-Hercegovinës. Indirekt këto kuptojnë edhe thirrjen e Moskës për shtetet e tjera ballkanike dhe sabotimin e integrimit të tyre euroatlantik.

Dyshimi për nenin 5 të Traktatit themelues të NATO-s dhe deklarimi i Macron se Franca nuk do ta zbatojë dëmton aleancën euroatlantike, është orientim i gabuar strategjik e gjeopolitik dhe inkurajon invazionin rus. Rusia ndërhyri ushtarakisht në Gjeorgji me agresionin në vitin 2008. Në vitin 2014, Rusia pushtoi faktikisht Ukrainën Lindore dhe brenda një nate aneksoi Krimenë. Shtetet Baltike, pjesë e ish Bashkimit Sovjetik, ndjehen seriozisht të kërcënuara. Manovrat e përvitshme të përbashkëta të Rusisë me Serbinë, blerja e armatimeve dhe vendosja e sistemit të mbrojtjes raketore kundërajrore transmetojnë rrezikun rus. Manovrat e përbashkëta të Rusisë me Kinën në rajonin e Baltikut janë presion direkt ndaj NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

SHBA, NATO dhe BE mbeten jetike për kombin shqiptar, lirinë, paqen e sigurinë në rajon.