Rekomandimet e dyta të Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi

Debateve të forta politike, se cili do të jetë fati i mëtejshëm i kryeprokurorit Llalla pas miratimit të reformës, Venecia thotë se “nëse ai kalon procesin e verifikimit dhe del i pastër prej tij, atëherë pyetja është se, ku qëndron justifikimi për ta larguar atë më përpara nga zyra, duke e veçuar nga mesi i të gjithë atyre zyrtarëve tek të cilët aplikohet verifikimi i gjyqtarëve? Në të tilla kushte, Venecia nuk shikon asnjë arsye për përfundim të parakohshëm të mandatit”, thuhet në paragrafin 81 të faqes 18 të opinionit. 

Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese

Për zgjedhjen e 3 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët i zgjedh Kuvendi, Venecia rekomandon “krijimin e një rregulli zgjedhjeje me shumicë të cilësuar për 3 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që zgjidhen nga Parlamenti”, thuhet në paragrafin 39, faqja 9. Venecia shton se i duhet kushtuar vëmendje mënyrës së zgjedhjes së organeve të reja në drejtësi. “Nëse forcat politike të përfshira në këtë proces nuk dakortësohen për zgjedhjen me shumicë të cilësuar, anëtarët e 3 institucioneve të reja duhet të synojnë një opsion të ri, që i garanton opozitës përfaqësim në të gjitha këto institucione”, sugjeron opinioni. 

Verifikimi i gjykatësve dhe prokurorëve

Ekspertët e Venecias kërkojnë kujdes me verifikimin për gjykatësit dhe prokurorët. “Komisioni Special i Kualifikimit dhe gjykatësit e Këshillit Special të Kualifikimit janë përgjegjës për procesin e verifikimit, i cili do të jetë 9 vjet pa të drejtë ribërjeje. Ndërsa i gjithë procesi i verifikimit supozohet të zgjasë 11 vjet, apo më pak nëse Shqipëria do t’i bashkohet BE-së në një datë të mëhershme. Kjo kohështrirje është e gjatë. Komisioni e pranon nevojën e verifikimit, por me kushtin se duhet të jetë diçka e jashtëzakonshme dhe në mënyrë strikte. Venecia nuk është në pozicion të parashikojë se sa kohë nevojitet për të kaluar në sitë një gjyqtar apo një prokuror. Në rastet komplekse, procedura merr më shumë se 3 vjet apo më gjatë”, thuhet në paragrafin 55 të faqes 12. 

Institucionet e reja me 3/5 e deputetëve

Opozita në draftin e saj ngulmon për zgjedhjen me 2/3-at të organizmave të reja në drejtësi, ndërsa Venecia mendon se: “Është e kuptueshme dëshira e opozitës për zgjedhjen me 2/3-at, megjithatë Venecia në raportin paraprak nuk rekomandoi 2/3-at. Të dyja shumicat e cilësuara janë legjitime dhe një metodë zgjedhjeje e propozuar në draftin e rishikuar. 3/5-at në parim është një zgjidhje e pranueshme. Edhe kërkesa e zgjedhjes me 2/3-at e votave në të cilën opozita insiston se mund të jetë inefiçente për t’ia arritur qëllimit, siç tregon shembulli në Hungari. Kërkesa e 2/3-tave pa një mekanizëm efiçent zhbllokues mund të sjellë çimentim e si pasojë rrezikimin e procesit të reformës. Komisioni nënvizon se nuk është detyrë e tij të bëjë propozime specifike kushtetuese për zgjedhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, thuhet në paragrafin 14 të faqes 5 të opinionit. 
PS dhe PD, asnjë prononcim pas “Venecias”
PS dhe PD zgjodhën të flasin për gjithçka, por jo për reformën në drejtësi. Mesa duket, palët kërkojnë të fitojnë sërish kohë, derisa të përshtatin një qëndrim përfundimtar, nëse ato janë të gatshme të nisin dialogun politik. Kjo situatë është krejt e ndryshme nga ajo e dy muajve më parë, kur u publikuan rekomandimet paraprake të Komisionit të Venecias dhe dy partitë e mëdha nxituan të bëjnë komente entuziaste. Burime nga dy partitë thanë se dy partitë nuk kanë qenë të interesuara për publikimin e këtij raporti. E vetmja heshtje është ajo e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Të dyja vërejtjet kryesore të saj janë marrë parasysh nga raporti i rekomandimeve të “Venecias”.
Ministri Manjani takohet me Kryetarin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani priti dje në një takim përfaqësues të lartë të Kryesisë së Dhomës Kombëtare të Avokatisë, ku u diskutuan të gjitha problematikat dhe shqetësimet në lidhje me grevën që po zhvillohet nga avokatët ditët e fundit. Ministri Manjani vlerësoi angazhimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë që, pavarësisht grevës, të mos bojkotoheshin seancat gjyqësore të masave të sigurisë. Në takim u vlerësua gjithashtu, nevoja për dialog dhe për bisedime për çdo çështje që përmirëson shërbimin. Me qëllim arritjen e një dakordësie, u vendos që të fillojë dialogu me Dhomën Kombëtare të Avokatisë mbi bazën e propozimeve me shkrim të kësaj të fundit, që prekin formalizimin e tregut dhe regjimin fiskal të vendosur. Nga ky takim i parë u ra dakord që të propozohet një model i njohur për matjen e punës së avokatit dhe i aplikuar në një vend Europian, model i cili do të ndihmojë avokatët në marrëdhëniet e tyre me klientët. Gjithashtu, një model i suksesshëm do t’i shërbente edhe organeve publike për transparencën fiskale, me qëllim formalizimin e tregut të shërbimit të avokatit dhe, në këtë mënyrë, shmangien e çdo fenomeni negativ si pasojë e informalitetit në sistem. Ministri i Drejtësisë shprehu gatishmërinë për të normuar sa më mirë marrëdhëniet avokat- shtet dhe avokat- klient në shërbimet reciproke. Diskutimet ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë do të vazhdojnë.
NOA