Reforma zgjedhore, Vasili: Tryeza do të shqyrtojë opsionet e përmirësimit të Kodit Zgjedhor

319
Sigal

Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili në një prononcim për
mediat ka prekur tre problematika kryesore, buxheti i vitit  2017, reforma zgjedhore dhe ligji për koncesionet.
Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Vasili i pyetur për buxhetin 2017,
pohoi se, kemi diskutuar në grupin parlamentar kryesisht në linjat ku
orientohet ky projektbuxhet i ri dhe se po e shikojmë me vëmendje dhe
përgjegjësi. Vasili shtoi, se “procesi i shqyrtimit duhet të shoqërohet me
përmirësime dhe ekuilibrime të brendshme per ta bërë buxhet më efektiv dhe për
objektivat që kanë lidhje me përmbylljen e mandatit 4-vjeçar”. Ndërsa pyetjes
për reformën zgjedhore, dhe qëndrimin e Ballës në lidhje me listat e hapura,
Vasili iu përgjigj, se: “Tavolina e reformës zgjedhore është një tavolinë e
rëndësishme, e cila do të marrë në shqyrtim të gjitha opsionet për përmirësimin
e mëtejshëm të Kodit Zgjedhor, por edhe të administrimit të zgjedhjeve.
Rekomandimet e OSBE-ODIHR mbeten udhërrëfyes, të dy raportet, të 2013-s dhe të
2015-s, dhe komisioni sigurisht është i hapur që të dëgjojë të gjitha
propozimet”. “Komisioni duhet të jetë i hapur për t’i dëgjuar, për të
përmirësuar kualitetin e zgjedhjeve, kualitetin moral dhe kualitetin e
përfaqësimit. Listat e hapura të propozuara prej nesh, kanë pasur qëllim,
përmirësimin e kualitetit të përfaqësimit në nivelin më maksimal të tij. Besoj
se ka qenë një iniciativë shumë e mirë dhe shumë pozitive”, theksoi Vasili.