Reforma në drejtësi, jo xhaketat e vjetra në zhvillimet e reja

409
Sigal

Ëngjëll MUSAI/Reformë e re me personazhe të vjetër: Shumë nga protagonistët e sotëm janë që nga viti ‘90

Ka një mungesë përgjegjësie për këtë dështim, pasi taksapaguesi shqiptar paguan qoftë deputetët, qoftë ekspertët për punë cilësore dhe rendiment në të mirë dhe shërbim të qytetarëve, drejtësisë së vonuar apo munguar. Atëherë lind pyetja, kush janë këta ekspertë, subjekt të përgatitjes së këtij projekti? A ndjejnë ndopak përgjegjësi këta ekspertë për dështimin dhe keqpërdorjen nga politika? Shqiptarët kanë një shprehje që të fyen, por që është e vërtetë “të lëpish atë që ke pështyrë vetë”. Që nga 1991, me ndihmën dhe orientimin e ndërkombëtarëve, nën mbikëqyrjen e tyre kemi përshtatur gjithë legjislacionin tonë, me legjislacionin Europian. Bëhen ndryshime 2 herë në vit në Kodin Penal, në Procedurën Penale, Civile janë miratuar ligje kundër krimit të organizuar, korrupsionit, u krijuan gjykatat administrative, ajo e Krimeve të Rënda me prokurorinë e saj, që janë institucione anti-korrupsion dhe këto janë bërë me iniciativën e drejtpërdrejtë të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Nëse kërkojnë të bëjnë sërish ndryshime kaq të thella, duhet së pari të pranojnë dështimin e tyre në 25 vjet, ku të njëjtët emra kanë firmosur nga Kushtetuta e parë Pluraliste e viteve 1990 e deri më sot. Përse nuk dalin dhe t’i thonë politikës, që ju nuk keni të drejtë të zhbëni me disa deputetë të inkriminuar, atë që vota qytetare e konsideroi pasaportën e këtij populli dhe vendi në 1998? Pse nuk i thonë politikës, bollë luajtët me dinjitetin tonë? Sigurisht joshen nga projektet që marrin nga shteti, ndërkombëtarët dhe fondacionet famëkeqe dhe antishqiptare.
Opozita tërhiqet nga tryeza e bisedimeve për reformën në drejtësi
Ekspertët e të djathtës në komisionin për reformën në drejtësi janë tërhequr dje nga diskutimet, pasi sipas tyre, ekspertët e mazhorancës nuk reflektuan mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ndërkaq shumica ka vijuar me diskutimet pa praninë e opozitës.Në një deklaratë për shtyp të ekspertëve të opozitës, thuhet se “sipas axhendës së rënë dakord dje, sot grupi i ekspertëve për reformën në drejtësi u mblodh në Kryesinë e Kuvendit për të draftuar rekomandimet e Komisionit të Venecias mbi amendamentet kushtetuese. Pika e parë e diskutimit ishte reflektimi i rekomandimit të Komisionit të Venecias mbi nevojën e eliminimit të kapjes politike të sistemit të drejtësisë, sipas një propozimi konkret kompromisi të ofruar në përputhje me të nga ekspertët e Partisë Demokratike”. “Edhe pse dje në mbrëmje u ra dakord parimisht për të reflektuar rekomandimin nr. 55 të Komisionit të Venecias dhe që propozimi i ekspertëve të Partisë Demokratike do të shqyrtohej me kujdes, sot që në fillim të mbledhjes, pa asnjë argument, ekspertët e caktuar nga mazhoranca refuzuan ta analizonin këtë propozim, duke treguar vendosmërinë e tyre për të mos marrë në vlerësim asnjë alternativë që siguron moskapjen politike të sistemit të drejtësisë, pavarësisht qëndrimit të prerë të mbajtur nga Komisioni i Venecias mbi këtë çështje”, sqarojnë ekspertët e opozitës. Ministri i Drejtësisë kërkon angazhim më të madh nga organi i akuzës në mbledhjen me Unionin e Prokurorëve të Shqipërisë. 
Ylli Manjani: Zbardhni çdo dosje të çdo zyrtari që abuzon, duam prokurorë aktivë. Gerdi Hoxha dhe Ndini Tavani: Gjyqtarët dhe Prokurorët janë të gatshëm për të dhënë ndihmesën e tyre, për drejtësinë
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka marrë pjesë në një tryezë të organizuar nga Unioni i Prokurorëve për reformën në drejtësi. Në fjalën e tij Manjani u ka thënë prokurorëve të zbardhin dosjen e çdo zyrtari, ministri apo çfarëdo qoftë dhe të luftojnë si krimin në rrugë, ashtu edhe në zyrën e shtetit. “Zbardhini dosjen dhe bashkë me të dhëmbët çdo zyrtar që abuzon! Po, patjetër, ministër apo çfarëdo qoftë ai ose ajo! Nëse prokurorët stepen para abuzuesit, nuk ka reformë që i bën fajde kësaj gjëje. Bashkë duhet të ndërtojmë sistemin dhe duhet ta qepim këtë sistem që të mos rrjedhë asgjë. Por ju lutem shumë edhe brenda sistemit jepni përgjigje proporcionale krimit”, ka theksua në fjalën e tij ministri Manjani. Në axhendën e shtetit shqiptar është sot reforma më e thellë e shtetformimit sepse nevoja për reformë është shumë e madhe. Drejtësia penale është pjesë e kësaj reforme të thellë që duhet ta bëjmë bashkë”. Ministri Manjani u shpreh se “çatinë e rregullon vetëm i zoti i shtëpisë, pasi ai e di se ku pikon”. Në këtë mbledhje Ministri ka kërkuar prokurorë aktivë që i dalin zot hetimit. “Të nderuar prokurorë ju jeni përditë në detyrë, firmosni urdhër-arreste, akuza jeni në përballje me elementë kriminalë. Nuk kam ndërmend të hyj në retorikë publike me asnjërin prej jush për sa kohë jeni në detyrë. Kam shprehur mbështetjen për të gjithë prokurorët që vazhdojnë detyrën në përputhje me ligjet. Duhet ta çojmë më para këtë punë. Na duhet një prokurori aktive, që të jetë zot që në fillim të hetimit. Jo të hyjmë në piramidën e sekretarit të prokurorit, sekretarit të policit të gjyqësorit, polici gjyqësor tek shefi…Dosja hetimore është më sekret në gazetë se në prokurori. Nuk është faji juaj, por i sistemit hibrid që në një shoqëri si e jona nuk funksionon. Mbetem përkrahës i homogjenitetit në gjykimin penal. Ky është momenti që ne duhet të diskutojmë të gjithë bashkërisht dhe në kuadër të reformës dhe të zbatimit të ligjit”. Ministri Manjani e ka cilësuar formimin e këtij unioni si një organizim të domosdoshëm edhe për të vlerësuar kontributin e çdo prokurori. “Një akt akuzë e formuluar nga prokurori dhe që arrin të konfirmohet me një vendim gjykate, jam i bindur që është ligji më i mirë i mundshëm”, tha Ministri Manjani. T’i uroj mirëseardhjen në mjedisin publik, sigurisht jo të na i thoni sekretet hetimore, jo se nuk i duam, se vdesim nga kurioziteti por kjo nuk është rruga ligjore. Të arrijmë në vendime të mira të përbashkëta”, deklaroi Manjani. Në takim ka përshëndetur edhe kryetari i Unionit të Gjyqtarëve dhe Anëtari i KLD-së, Gerd Hoxha, i cili tha se edhe trupa e gjyqtarëve e mbështet Reformën në Drejtësi, madje ka dërguar edhe rekomandimet e tyre te grupi i ekspertëve si dhe pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar. Unioni i Gjyqtarëve, shtoi Hoxha, është i gatshëm të angazhohet në këtë reformë mjaft të rëndësishme që do të shërbejë edhe si një hap i rëndësishëm në afrimin e Shqipërisë me familjen europiane. Nga ana tjetër kreu i Unionit të Prokurorëve, Ndini Tavani tha se kjo tryezë është mbledhur si për të analizuar punën e tij, por edhe për të kontribuar në Reformën në Drejtësi. Ai vlerësoi se nuk është pozitive dhe e efektshme që të gjithë prokurorët të futen në nj thes, pasi mes tyre ka shumë specialistë të përkushtuar dhe me integritet. “Unioni është këtu për të kërkuar që brenda pak ditësh prokuroria të japë mendimet e veta”, u shpreh ai. 
Afrim KRASNIQI /Një lajm i keq për shoqërinë jopolitike në Shqipëri!
Deri tani na ishte thënë se reforma në drejtësi po realizohej nga një grup ekspertësh të pavarur, shumë të pavarur, me integritet dhe pa konflikt interesi. Ca e besuan, ca jo, pjesa më e madhe ishte skeptike! Dha ja ku jemi: ditën kur partitë ranë dakord të rifillojnë punën me konsultime midis përfaqësuesve të tyre juristë, pra ekspertëve të partive, disa nga ekspertët e “pavarur” papritur morën mandate politike dhe janë në tryezë në emër të ekspertëve të deleguar të partive politike! Grupi i ekspertëve të lartë publikoi një draft ligjor mbi sugjerimet e Komisionit të Venecias. 24 orë më pas, me urdhër të partive politike, ata hoqën dorë nga drafti dhe nisën bisedimet në nivel “ekspertësh” me të deleguarit zyrtar të opozitës dhe qeverisë, – këta të fundit, – shumica, juristë të aftë, por me sponsor dhe axhendë të qartë politike! Si është e mundur që brenda 24 orëve të bëhen palë, – të jenë edhe të pavarur edhe politikë, edhe ekspertë edhe zëdhënës të përzgjedhur të selive të partive politike? Si është e mundur që asnjë prej tyre nuk refuzoi ofertën e bërjes palë politike, duke thënë: “mjaft, nuk marr urdhra nga partitë, nuk u shërbej atyre, jam ekspert dhe kam integritet, ndaj heq dorë nga tryezat dhe bisedimet partiake përderisa e kam dhënë mendim dhe jam prezantuar në publik si ekspert i pavarur profesional”!? Si është e mundur që në Shqipërinë tonë gjenden kaq pak individë që refuzojnë ofertat partiake dhe tregojnë respekt për interesin publik? Kaq pushtet të madh kanë partitë politike në Shqipëri sa kanë politizuar gjithçka, dhe mund të përdorin e keqpërdorin edhe profesorët e të drejtës si dhe drejtues të institucioneve akademike? A mund të kemi drejtësi të pavarur nesër kur humbën shansin të kemi sot ekspertë të pavarur, të cilët të mund hartonin 5 faqe nene e draft propozime? Kompromisi mund edhe të funksionojë, të hënën mund të kemi edhe një ose dy drafte paralele për sugjerimet e Venecias, procesi mund edhe të ecë, reforma mund edhe të bëhet, – gjithçka mund të ndodhë, por ajo nuk u lejua të ndodhë, dhe nuk do të ndodhë është fakti se i mohuam vetes të kemi një shoqëri jo politike, një zë profesional jo politik, një alternativë qytetare jo politike, një tribunë vlerësimi jo politike, një ekspertizë jo mbi axhenda politike, – pra i mohuam shpresën të kemi atë që është thelbësore për një demokraci funksionale, – komponentin qytetar e civil, me integritet, kurajë dhe aftësi që të jetë në gjendje, edhe me akte simbolike dhe frymëzuese, të bëjë diferencën në vlera e parime nga sistemi korruptiv oligark partiak i mbi-pushtetshëm në Shqipëri. Çfarë zhgënjimi!
Altin Goxhaj/Basha shpëto reformën, distancohu nga Soros!
“Basha! Shpëto veten, opozitën, reformën në drejtësi dhe gjithë Shqipërinë: Distancohu nga Soros!!!”
Lajmi i mirë: Sot Basha për herë të parë është shprehur që gjithë ekspertët e Reformës në Drejtësi janë të Ramës!
Lajmi i keq: Basha nuk tregoi pse janë të Ramës!
Lajm akoma dhe më i keq: Fakti që Basha thotë janë të Ramës por nuk shpjegon se pse, kjo jo vetëm nuk po ngjit të ndërkombëtarët dhe media por ndërkohë po interpretohet si pretekst për bllokim të reformës nga PD… dhe kjo sepse Basha po fsheh argumentin se pse janë të Ramës:
– Ekspertët “de jure” janë të “pavarur”,
– Ekspertët “de facto” janë ushtarë shumëvjeçar në shërbim të Soros (d.m.th që prej shumë vitesh, madje disa prej dekadash janë në borderonë e Sorosit) që edhe sot paguhen si shumë herë të tjera edhe këtë herë nga Soros dhe kjo është zyrtare por këtë se thotë asnjëherë PD dhe as Basha! Ekspertët të gjitha udhëzimet se çfarë pikëpamjesh të mbrojnë dhe “argumentojnë” u vijnë nga ‘Lart’ nga një grup i Kupolës Sorosiane që solli Ramën në pushtet: Remzi Lani, Artur Metani, Delina Fico, Valdete Sala, Piro Misha, Linda Rama, Klotilda Ferhati, Bushka, Andi Dobrushi, Erion Veliaj, Endri Fuga, Arbjan Mazniku, Kristaq Traja, Milva Ekonomi, Floran Pustina, etj. Dhe toga e mercenarëve të Soros ia dedikon karrierën dhe shkollimin vetë Fondacionit Soros dhe u pranuan si ekspertë vetëm pasi ranë dakord për devotshmërinë që duhet të tregojnë! Pyetja është se pse Basha nuk plas bombën, që ja mbyll gojën ndërkombëtarëve: “Ekspertët e Reformës në Drejtësi janë të gjithë të Soros ndaj dhe janë thjesht mercenarët e Ramës dhe kjo i bën të pabesueshëm” dhe çdo ndërkombëtar do të mbyllte gojën sepse e di shumë mirë se në shtetin që përfaqëson secili ky do të quhej një skandal kombëtar dhe do të rrëzonte qeveri!!! Basha nuk e thotë… për shumë arsye dhe lugë çorbash që ka gëlltitur që prej 6 Dhjetorit 2014 kur u takua me Soros… por një ndër arsyet se pse se thotë është se ‘Ndërkombëtarët do ta pyesnin po pse s’janë të Soros edhe Bardh Kadilli dhe Enno Bozdo, Genc Ruli dhe Genc Pollo, Besnik Alia dhe Majlinda Bregu, Jorida Tabaku dhe Gert Bogdani, e sa e sa të tjerë…? Kjo është luga e çorbës që ka ngrënë PD sidomos në 6 dhjetor 2014, në takimin me Sorosin dhe tani duhet të vjellë çdo ditë duke vrarë opozitën dhe shpirtin opozitar!!! Ndaj dhe dje dhe sot fatkeqësisht në të gjitha raportet që po prodhojnë ndërkombëtarët po shkruhet se PD PO pengon reformën në drejtësi që në fakt nuk është absolutisht e vërtetë sepse qendrimi i PD është i drejtë për të mos u bërë pjesë e një drafti që e kthen drejtësinë në pisqollën më të rrezikshme të Ramës, kundër demokracisë dhe lirisë…Dhe tashmë Basha ka vetëm një rruge të shpëtoj PD-në dhe Shqipërinë nga një Reformë që synon ta kthejë Drejtësinë në pisqollë të Ramës dhe kupolës Sorosiane: Të distancohet për herë të parë nga Soros!!! Shpëton veten, PD-në, Reformën në Drejtësi dhe Shqipërinë!! Ndaj dhe thirrja e vetme që më vjen është: “Basha! Shpëto veten, opozitën, reformën në drejtësi dhe gjithë Shqipërinë: Distancohu nga Soros!!!”