Raporti sekret, kryqëzon Flamur Nokën

 Raporti i SHKB-së për mbikëqyrjen e punës së Policisë së Shtetit për vitin 2012

  “Policia, objektiva formale dhe të paarritshme”

NOA

Vendimi i gjykatës së Kavajës, duke e cilësuar të paligjshëm,arrestimin e Kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, duket si një epilog i raportit të SHKB-së, për mbikëqyrjes së punës të Policisë së Shtetit.

Polici pa strategji pune me objektiva formal

Objektiva formal dhe të paarritshëm, mungesë strategjie lidhur me hetimin e ngjarjeve të vjetra, transferimi i specialistëve të hetimit e kërkimit, jo në bazë të meritokracisë, mospërputhjes gradë-funksion, mungesa në pajisje me veshje dhe mjete të nevojshme për punë. mungese e Kushteve në dhomat e shoqërimit, ndalimit dhe arrestimit të personave janë disa prej konstatimeve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm nën varësi të ministrit Flamur Noka. Një nga defektet e punës në Policinë e Shtetit është se drejtuesit e tyre emërohen thjesht mbi lidhje farefisnore, krahinore dhe në shkallën e  militantizmit partiak. Përgjegjës për këtë është vetë drejtuesi i saj Hysen Burgaj, si edhe vetë drejtuesi politik, ministri Flamur Noka. Ndaj, ky raport i SHKB-së, duhej të ishte më konkret, duke dhënë edhe rastet e jo emërimit në bazë të meritokracisë, siç nënvizon.

Korrupsioni, fenomen shqetësues

 SHKB-ja ka publikuar raportin e tretë të mbikëqyrjes së punës së Policisë së Shtetit, ku të paktën 132 punonjës policie të niveleve të ndryshme janë dërguar për ndjekje penale në prokurori gjatë vitit 2012. Kjo dëshmon që në radhët e policisë korrupsioni është bërë një fenomen shqetësues dhe kjo masë e pakët e prekjes së korrupsionit nuk mund të dëshmojë për sukses, apo pastrim.  Raporti konsiderohet si mw kritiku i viteve të fundit ndaj Policisë së Shtetit. Përgjatë një viti janë realizuar nga ky shërbim 19 inspektime, ku janë përpiluar 63 kritika dhe konstatime të mangësisë gjatë punës në drejtoritë e policive në qarqe, policinë kufitare, njësinë rrugore, si dhe repartin RENEA.

RENEA, reparti i shkeljeve të ligjit

Në raport janë përpiluar dhe 52 rekomandime, të cilat sipas raportit, duhet të zbatohen sa më shpejt. Tepër kritike ka qenë SHKB-ja me trajtimin e repartit RENEA, ku janë konstatuar 6 shkelje, të cilat sipas raportit ndikojnë në punën e kësaj njësie speciale. Sipas konstatimit, asnjë prej efektivëve të këtij reparti nuk është i pajisur me sigurimin e jetës. Pagesa e këtij sigurimi bëhet tepër i domosdoshëm për shkak të riskut të lartë që kjo kategori punonjësish ka në punë. Kryerja e shërbimeve nga RENEA pa planin e masave të domosdoshëm nga drejtoritë e policive në qarqe. Nga verifikimi i praktikave rezultoi se, RENEA-s në asnjë prej operacioneve nuk i është dërguar kopje e planit të masave.

Policia rrugore, “taksambledhësi” i qytetarëve

Shumë i ashpër raporti është dhe me Policinë Rrugore, ku konstatohen mungesa totale të bashkëpunimit me komunitetin, median dhe autoritetet vendore. Moskordinimi me filialet e bankave apo postën shkakton probleme, sipas raportit, në derdhjen e gjobave ku qytetarët edhe pse paguajnë, rezultojnë debitorë në sistem. Tendencë e punonjësve të policisë rrugore për të vënë gjoba thjesht për efekte statistikore. Jo pakherë qytetarët ankohen se policia i gjobit fare pa shkak, duke u sjellë në mënyrë arrogante. Punonjësit e policisë rrugore janë të papajisur me veshje dhe mjete të nevojshme për punë (radio, radar, teste alkooli). Në strukturat vendore periferike kjo mungesë është shqetësuese. Mospagesa e punonjësve të policisë për orët shtesë. Vjelje e ulët e gjobave, si dhe mos fokusim në parandalimin e aksidenteve rrugore.  Sipas raportit, krijimi i njësisë së autostradave nuk është bërë mbi baza argumentuese dhe shpjeguese, duke patur parasysh kritere që kanë të bëjnë me arsyet që e bëjnë të domosdoshëm ndryshimin. Në inspektimet e kryera në Drejtoritë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin është vërejtur mungesë bashkëpunimi me strukturat homologe kufitare, për sa i përket krimit ndërkufitar, lehtësimit të procedurave të hyrje-daljeve, si dhe trajtimit të personave deportiv. Ka mungesë të burimeve njerëzore për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit. Kontrolli i të huajve të parregullt në territorin e De drejtorive te kufirit nuk rezulton efikas. Nuk referohen në Prokurori rastet e personave të kthyer, të cilët deklarojnë se kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. SHKB-ja nëpërmjet raportit rekomandon që rishikimet dhe ndryshimet strukturore në Policinë e Shtetit, të paraprihen nga studime profesionale e transparente, me qëllim evidentimin e problemeve, nivelin dhe shkallën e nevojshmërisë për kryerjen e këtyre ndryshimeve. Të ndiqen praktikat më të mira në lidhje me procedurat e rekrutimit, përzgjedhjes, emërimit, transferimit dhe ngritjes në detyrë të punonjësve të Policisë së Shtetit në nivel qendror e vendor, pasi janë konstatuar probleme. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm drejtohet që prej muajt gusht nga Bashkim Shehu.