Ecuria dhe qorrsokaku i reformës së drejtësisë

522
Sigal

Dështimi i afateve kushtetuese për ndërtimin e institucioneve të reja të Drejtësisë

Diplomatët e huaj në Tiranë janë vënë në garë me njëri-tjetrin për te dhënë afate kohore kur do funksionojë reforma në drejtësi dhe po artikulojnë qëllime e arritje të pakuptimta të reformës, teksa po zhyten ngadalë në gropën e rërës, të cilën ata dikur e kishin imagjinuar si themel të fortë për një të ardhme “evropiane”. Çdo deklaratë dashamirëse, çdo thirrje për “shpirtra të ndershëm’” që duhet të dalin vullnetarë dhe t’i japin një dorë reformës për të mirën e vendit, çdo thirrje për bashkëpunim dy partiak, po i thith ata edhe më thellë në gropën e llucës nga e cila nuk do të mund ta nxjerrin më veten. Dhe, ndërsa rëra e lagur ka arritur pothuajse në buzët e tyre, ata me krenari shpjegojnë: “Reforma në drejtësi është një sukses i madh! Ne ia dolëm!” Për të pasur një prespektivë më të qartë të gjendjes së tanishme, duhet ta nisnim që në momentin kur filloi reforma në drejtësi, me miratimin unanim të ndryshimeve kushtetuese, në korrik 2016.

22 korriku i 2016-s, miratimi i ligjit 76/2016 për ndryshimet e Kushtetutës së Shqipërisë

Më 22 korrik 2016, me votat e 139 deputetëve nga 140 të mundshëm, u miratua Ligjin 76/2016 për ndryshimin e Kushtetutës së Shqipërisë. Ky ligj, pra ndryshimet kushtetuese, hynin në fuqi 15 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare. Ligji u publikua, më 27 korrik 2017 në Fletoren Zyrtare 138, që do të thotë se ndryshimet kushtetuese hynë në fuqi, më 11 gusht 2016. Kushtetuta vendosi afate kohore të ngurta për formimin e institucioneve shtetërore të sistemit të ri të drejtësisë: Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), dhe Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë (ILD). KLGJ është përgjegjëse, ndër të tjerave, për emërimin e gjyqtarëve të rinj, ndërsa KLP për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe ngritjen e Prokurorisë Speciale (SPAK) dhe Byrosë së Hetimit (BKH). Të dyja bashkë, KLGJ dhe KLP, janë përgjegjëse për caktimin e kuotave të studentëve që pranohen çdo vit në Shkollën e Magjistraturës, dhe emërimin e të sapodiplomuarve nga kjo shkollë, prokurë dhe gjyqtarë, në sistemin e drejtësisë. Me fjalë të tjera, krijimi i KLP-së dhe KLGJ-së është thelbësor për të vazhduar më tej me reformën në drejtësi. Duke qenë se një pjesë e magjistratëve mund të mos e kalojnë vettingu, KLP dhe KLGJ do të bëjnë zëvendësimin e tyre.

KLP dhe KLGJ duhej të formoheshin para prillit 2017

Neni 179 i Kushtetutës parashikon që KLP dhe KLGJ duhet të formohen 8 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit, që do të thotë përpara 11 prillit 2017. Në mënyrë që të fillohet me vettingun, parlamenti miratoi më 30 gusht 2016 me 138 vota, Ligjin 84/29016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i njohur ndryshe si ligji i vettingut. Në mënyrë të pashpjegueshme, ligji nuk i jepte prioritet kalimit në procesin e vettingut të kandidatëve për KLP dhe KLGJ, edhe pse ato ishin thelbësore për përparimin e reformës në drejtësi. Ligji u publikua në fletoren zyrtare më 23 shtator 2016 dhe hyri në fuqi më 8 tetor 2016. Partia Demokratike dhe Bashkimi i Gjyqtarëve të Shqipërisë e apeloi një pjesë të ligjit në Gjykatën Kushtetuese, e cila dha vendimin e saj më 18 janar 2017, duke u shprehur se ligji i vettingut është kushtetues. Ligjet e tjera të reformës në drejtësi u kundërshtuan kushtetueshmërisht, gjithashtu. Ligji 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” u miratua nga Kuvendi më 6 tetor 2016 me 86 vota të shumicës, dhe më pas u padit në Gjykatën Kushtetuese nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve. Më 16 prill 2017 Gjykata Kushtetuese vendosi të pranojë pjesërisht padinë e tyre. Ndërkohë, që u bë e qartë se procesi i aplikimit për anëtarë të KLP-së dhe KLGJ-së nuk kishte mbledhur numrin e mjaftueshëm të kandidatëve të kualifikuar. Si fakti se shumica votoi e vetme ligjin dhe fakti që u ai dërgua në Gjykatën Kushtetuese tregoi se procesi legjislativ nuk ishte tërësisht i suksesshëm, dhe që shpirti i bashkëpunimit dypartiak u thye, pavarësisht trysnisë të madh të ndërkombëtarëve. Njësoj, ligji 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” dhe ligji 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” u miratuan vetëm me votat e shumicës më 6 tetor 2016. Ky vendim pati menjëherë pasoja negative. Më 3 dhjetor 2017, përfundoi mandati 5-vjeçar i Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe duhej të emërohej një kryeprokuror i ri. Por, në shkelje të Kushtetutës, KLP nuk ishte formuar ende, dhe ligji i prokurorisë ishte i paqartë për periudhën kalimtare dhe, natyrisht, nuk e parashikonte një situatë të tillë të shkeljes së afateve kushtetuese në formimin e KLP-së.

Emërimi i kryeprokurores së përkohshme me shumicën e thjeshtë të votave

Një opinion ligjor ad hoc dhe i argumentuar dobët nga misioni i SHBA-ve për ndihmë teknike OPDAT dhe misioni i ndihmës teknike të BE-së EURALIUS u përdor nga qeveria për të zgjedhur, sërish vetëm me votat e shumicës, Arta Markun si Prokurore të Përgjithshme të Përkohshme, një titull dhe funksion që ligjërisht nuk ekziston askund, por që tani ka gjetur vend deri edhe në termat e përdorur nga institucionet e vettingut. Arta Marku u betua, më 18 dhjetor 2017, e zgjedhur me një shumicë të thjeshtë prej 69 deputetësh, pra, më pak se gjysma e numrit të deputetëve të Kuvendit, duke u bërë kështu e para funksionare në historinë e Shqipërisë e zgjedhur nga Kuvendi pa marrë as shumicën e thjeshtë të anëtarëve të tij. Emërimi i saj i hapi rrugë një sërë veprimesh antikushtetuese dhe krijoi imazhin e një prokurorie të kapur nga qeveria. Ndërkohë, qeveria miratoi personelin dhe buxhetin e institucioneve të vettingut, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisionerit të Posaçëm të Apelimit, dhe Komisionerët Publik, në 17 shtator 2017, duke e ulur buxhetin e tyre me 40 për qind nga ai i kërkuar prej tyre. Dosjet e para të vettingut, përfshirë edhe të kandidatëve të KLP-së dhe KLGJ-së, filluan të shqyrtohen më 1 dhjetor 2017, 8 muaj pas afatit të përcaktuar nga Kushtetuta. Që prej 11 majit 2018, Gjykata Kushtetuese nuk ka numrin e nevojshëm të anëtarëve për të formuar kuorumin, pra, ajo nuk mund të gjykojë asnjë çështje. Më shumë se gjysma e anëtarëve të KED-së së vitit 2018, e cila bën renditjen e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, nuk e kaluan vettingun. Ndërkohë, asnjë student nuk mund të pranohet në Shkollën e Magjistraturës, pasi ligji për statusin e magjistratëve përcakton se numri i tyre caktohet nga KLGJ dhe KLP, të cilat nuk janë krijuar ende. Ky ortek me data, ligje dhe procedura mund të jetë i ngatërrueshëm, por është një antidot i domosdoshëm ndaj termave të thjeshta me të cilat bashkësia ndërkombëtare dhe qeveria kanë portretizuar reformën e drejtësisë dhe përparimin e saj. Ndërveprimi ndërmjet Kuvendit, aktualisht i kontrolluar nga shumica socialiste, institucioneve të vettingut, dhe pjesës së mbetur e gjyqësorit janë të ndërlikuara dhe të politizuara.