Rama: Të pastrojmë më tej Shqipërinë në të gjitha aspektet

462
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se objektivi i qeverisë është pastrimi i mëtejshëm i Shqipërisë në të gjitha aspektet, duke filluar nga rendi dhe ekonomia.
Gjatë prezantimit në Korçë të formatit “Të pastrojmë më tej Shqipërinë”, nismë ku do të prezantohen arritjet e këtyre dy viteve të qeverisë së majtë dhe projektet për të ardhmen, Rama tha se “jemi në një moment kyç të mandatit tonë dhe të rrugës së vendit që nga fillimi i përpjekjes për të ndërtuar një shtet evropian”. 
“Ne kemi pasur kurajon të ndërmarrim disa reforma që të tjerët para nesh nuk e kishin”, theksoi kreu i qeverisë.
“Dy vjet më parë ishim në një fushatë elektorale, kur nga veriu në jug, të gjithë ishin të shqetësuar për krimin. Të gjithë kërkonin rend dhe mbrojtje fillimisht. Sot, shumëkush e ka harruar këtë situatë pasi e keqja harrohet kollaj kur kalon. Kemi të drejtë të themi që e rikthyem Policinë e Shtetit”, deklaroi Rama.
Në lidhje me situatën ekonomike të vendit, Rama tha: “Kemi shumë për të bërë për ekonominë, por mos të harrojmë se dy vite më parë ekonomia ishte në buzë të humnerës. Nuk mund të shpenzosh më shumë seç ke dhe nuk mund të jetohet me borxhe. Ne bëmë të mundur që shtëpinë tonë të përbashkët ta përforconim në themele, për të qenë të sigurtë se nuk do të na zinte brenda. Kemi ende shumë punë për të bërë tani që ta mobilojmë”.
Sigal