‘Ç’i duan shqiptarët palmat dhe pllakat?’, Rama i kthehet Bashës: Zgjohesh kur ke kamera para

452
Kryeministri Edi Rama nga qytetit i Pukës ku po mban një takim elektoral, iu kundërpërgjigj deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për faktin se çfarë i duan palmat shqiptarët. Ai tha se Basha zgjohet vetëm kur ka kamera para.

Teksa u premtoi pukjanëve një projekt tjetër me rëndësi, si rehabilitimi i liqeni që ndodhet në qytet, i pari i qeverisë pohoi se ende qytetarët nuk kanë parë asgjë akoma.

“Pas dy vitesh vij këtu dhe mund t’ju shohim të gjithë në sy, jo vetëm ju këtu, por gjithë pukjanët. Pavarësisht nëse janë me të majtën apo të djathtën. Sepse ju thash para dy vitesh: ‘Na ndihmoni që t’ju ndihmojmë’. Nuk ka sy, se ju sytë i keni shumë të fortë në Pukë. Nuk ua ha qeni shkopin, por po them se nuk keni parë gjë akoma, pasi do bëjmë shumë më tepër. Është rasti që të japë një shpjegim për ekonominë, psikologjinë sociale. Nuk ka rast më të mirë, pasi 200 m nga këtu ku jemi ne është një pasuri, liqeni që u la si kënetë. Ai do jetë qendra e gravitetit për turizëm. Si mund të kenë njerëzit më shumë bukë, më shumë zhvillim në mes të horrllëkut, në mes të pisllëkut? Atje hidheshin plehrat, ça i dha ekonomisë? Ca ju tha juve? Ju dha vetëm dëshpërim, ndërkohë që ai liqen aty do të jetë nga arsyet se pse këtu në Pukë do vijnë turistë. Nuk ngrihet ekonomia duke ikur prej këtu. Del Luli dhe thotë: palma, bar, lulishte, pllaka, shëtitore, ç’i duhen këto popullit, populli do bukë. Po si mund të rritet ekonomia? Vetëm delet nuk kërkojnë shëtitore, s’duan ndriçim, as pala, duan stallë e bar. Ka një ndryshim të madh mes njerëzve dhe deleve. Këta janë një tufë njerëzish të mbaruar dhe s’duan t’ja dinë fare se këtu jetojnë njerëz dhe këtu lindin fëmijë”, tha Rama.
Sigal