Rama takon Guvernatoren Gjoni Konferencë te BSH në 12:30

392
Sigal

TIRANE- Zhvillimet e fundit në Bankën e Shqipërisë, të kulmuara deri më tani me arrestimin e Guvernatorit Ardian Fullani, kanë bërë që kryeministri Edi Rama të takojë paraditen e sotme Guvernatoren në detyrë Elisabeta Gjoni. Në takimin që ka filluar prej orës 11:00 në godinën e Bankës së Shqipërisë, kreu i qeverisë do të takojë edhe anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës. Në përfundim të takimit në orën 12:30 pritet që kryeministri Rama të dalë në një konferencë për shtyp. Në thelb të takimeve janë hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë për normalizimin e situatës në institucionin më të lartë financiar në vend. Një ditë më parë kreu i qeverisë zhvilloi një takim me presidentin Nishani, ku theksi i bisedës është vënë tek garantimi i qëndrueshmërisë së Bankës. Sipas ligjit për Bankën e Shqipërisë, është kryeministri që i propozon një emër presidentit për guvernator dhe pas miratimit nga ky i fundit është parlamenti që jep aprovimin përfundimtar. Ditën e djeshme, kryeministri Rama është takuar edhe me të ngarkuarën prej Këshillit Mbikëqyrës si guvernatore në detyrë, Elisabeta Gjoni, për t’i shprehur qëndrimin e qeverisë e të shumicës qeverisëse në mbështetje të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë dhe të ekipit të teknicienëve të institucionit, respekti për profesionalizmin e mirënjohur të të cilëve mbetet i palëkundur”, thuhet në njoftimin zyrtar të Kryeministrisë. Kryeministri ka shprehur besimin se Banka e Shqipërisë do të dalë më e fortë, më e sigurtë dhe më transparente nga ky proces i vështirë, por i shëndetshëm ndryshimi, në një kohë kur sistemi bankar në tërësi është solid e në rritje të ndjeshme. Lidhur me këtë situatë, shefi i qeverisë ka kontaktuar tashmë ekspertë vendas e të huaj, ndërsa është takuar me përfaqësues të FMN-së dhe kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.