Braçe-Nishanit: Elisabeta Gjoni përgjegjëse po aq sa Guvernatori

425
Sigal

TIRANE– Kreu i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe thotë se Guvernatorja në detyrë Elisabeta Gjoni është përgjegjëse “po aq sa guvernatori për keqadministrimin me pasojë dëm të rëndë ekonomik për bankën”. Duke iu referuar takimit të djeshëm të Presidentit Nishani me Elisabeta Gjonin, deputeti Braçe shkruan në rrjetin social “Facebook” “nuk mundet që Presidenti i Republikës të japë imunitet nga hetimet apo të cenojë hetimet për të”. “E vlerësoj shqetësimin e Presidentit për stabilitetin e sistemit financiar në vend, në fund duhet të ndodhte dhe kjo. Por ka një shqetësim edhe më të madh; ndikimi mbi prokurorinë për vijimin e hetimeve dhe çuarjen deri në fund të nxjerrjes së përgjegjësisë penale për cilindo që ka drejtuar në bankë dhe ka bërë faj. Shqip; Elisabeta Gjoni, në cilësinë e zëvendësguvernatorit (detyrat e të cilit janë të qarta në ligj), në kushtet e mungesës së zëvendësguvernatorit përgjegjës për administrimin e Bankës, me përgjegjësi të plotë edhe për këtë (sipas ligjit), është përgjegjëse po aq sa guvernatori për keqadministrimin me pasojë dëm të rëndë ekonomik për bankën. Nuk mundet që Presidenti i Republikës të japë imunitet nga hetimet apo të cenojë hetimet për të!”, shkruan Braçe.