Rama shton ambiciet për AI: Përdorimi për parking e ligje, parashikimin e aksidenteve dhe krimeve

15
Sigal

Kreu i qeverisë, Edi Rama, së bashku me ministren Delina Ibrahimaj, kanë zhvilluar një vizitë në kompaninë e teknologjisë dhe informacionit “RiTech”. Kjo kompani punon për Amerikën dhe Evropën, në të cilën janë punësuar 300 shtetas në Shqipëri, 200 në Kosovë e Maqedoni të Veriut, me një pagë mesatarisht prej 2500 euro, siç njofton kryeministri.

Theks të veçantë u vendos në zhvillimin e sektorit të teknologjisë dhe informacionit në vend, një shtyllë kjo kryesore e cila është gjithnjë e më shumë në përmirësim në vendin tonë.

Ministrja Ibrahimaj sqaroi se arsyeja përse po vizitojnë këtë kompani vjen për shkak se është një shembull konkret i punës së kësaj qeverie për të rinjtë dhe sektorin informativ.

“Kompania është themeluar në vitin 2016. Janë çuna e goca të reja, mosha mesatare 30 vjeç. Zgjodha të vinim këtu se është një shembull konkret si është zhvilluar sektori i teknologjisë dhe informacionit në Shqipëri. Paga mesatare është 2500 euro mesatarisht. Bëhet fjalë për një punë shumë të mirëpaguar, për një kompani që prodhon, prodhon dije, eksporton, zbulon talente. Një shembull që ne me shumë krenari e lexojmë. Është një sektor që e kemi nxtur ne”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

Kryesocialisti u shpreh se dëshiron të bashkëpunojë me kompaninë RiTech, lidhur me sistemin e parkimeve në vend, pasi parkimi është problematikë e theksuar. Rama tha se dëshiron që me aplikacionin “pay by phone”, përmes inteligjencës artificiale të ketë dhe një sistem kamerash që lehtëson në gjetjen e vendeve të parkimit, ashtu sikurse njofton dhe uniformat blu për zënien e hapësirës nga një automjet të caktuar.

Një synim tjetër është që përmes kësaj teknologjie, të arrihet parashikimi i aksidenteve por dhe i krimeve.

“Ne do bëjmë një projekt që e kemi gati, i financuar e të gjitha, me Emiratet e Bashkuara për smart monitor. Do kemi praktikisht një super informacion nga gjithë lëvizja në qytet. Po mendoj se mbase duhet një bashkëpunim me ju këtë pay by phone, të integrohet me kamera, që të shfrytëzohet e nga policia… duke pasur në dispozicion këtë sistem kamerash me AI, mund të krijosh shumë të dhëna. Ti krijon një bazë që ti e paralajmëron “law enforcements”. Nuk pret që këtu është zënë, por ti e lajmëron që është e zënë (vendi parkimit).
Ti me AI krijon një kapacitet të dhënash që ty të japin pak nga pak, por jo shumë vonë, me një kohë të arsyeshme, që ti të mund të vendosësh përpara se ku mund të ndodhë shkelja. E për ta çuar një hap më tutje, ne me ju mund të shohim, parashikimin e aksidenteve. Pra krijon një bazë, e ajo me data fillon të krijon probabilitetet. Ti fillon jep “law enforcements” që të analizojë pse do ndodhë këtu, çfarë rrethanash janë specifike që ndodh këtu e jo atje. E për ta çuar në nivelin më ekstrem, që të parashikosh krimet. Po të kesh një patern fillon e bën analiza të një natyre tjetër.”
, tha Rama.

Po kështu, Rama shprehu gatishmërinë që qeveria të investojë në kompanitë vendase, pasi jo vetëm financon bizneset, por gjithashtu dhe përfiton prej tyre.

“Ka ardhur koha që ne të hyjmë nëpër kompani. Që shteti të financojë e të përfitojë. Siç e bëjnë të tjerët. Fola para disa kohësh me Mira Muratin, e i thash që a është e mundur që të futemi në BE. Më tha patjetër, e kam 3 shtete që më kanë bërë me “advance” e me shpjegoi se ka 2 nivele. Ka ardhur koha që të hyjmë në këtë lojë. E në rastin tonë me kompanitë tuaj.
Në fund fare shtetit i kushton më pak. “
, tha Rama.

E ndërsa më herët kryeministri ka shprehur ambicien për përdorimin e inteligjencës artificiale në sistemin e prokurimeve publike, një synim i radhës është dhe përfshirja e AI në krijimin e ligjeve.

“Di gjë tjetër, që unë kam 12 vite që përpiqem sepse ne kemi bërë shumë ligje, mirëpo, po të shohësh, sepse kur është bërë ligji i ri, të shohin si ka qenë. Tani kemi bërë një sistem për të gërmuar e për të nxjerrë të gjitha. Në këtë mënyrë u thotë ligjvënëseve hiqi këto se nuk të duhen. Unë e di që fundi i Parlamentit do jetë me AI.”, tha Rama.