Negociatat Shqipëri-Be/ Takimi, Komisioni Evropian: Kujdes me ndikimet në gjyqësor, luftoni korrupsionin!

69
Sigal

Teksa deklaratat e Ramës ndaj sistemit të drejtësisë, veçanërisht SPAK dhe gjyqtarëve të GJKKO, pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Komisioni Evropian u ka bërë thirrje palëve, të tregohen të kujdesshëm ndaj rasteve të tilla, sidomos në rastet e ndikimit të padrejtë në gjyqësor.

Në takimin 16-të të Nënkomitetit për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë, që u mbajt në Tiranë më 11 dhe 12 shkurt 2025, Komisioni Evropian Komisioni rikujtoi nevojën për ‘konsolidimin e vazhdueshëm të pavarësisë, llogaridhënies, integritetit dhe cilësisë së gjyqësorit, si dhe përpjekjet për të rritur efikasitetin në të gjitha nivelet. Gjithashtu, Komisioni rikujtoi nevojën për të vazhduar monitorimin e përpjekjeve për të ushtruar ndikim të padrejtë në gjyqësor’

Takimi mes BE dhe autoriteteve shqiptare vjen, pas qëndrimit të përbashkët të BE-së, në tetor të vitit të shkuar, pas vendimit hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë për Bazat e Klasterit 1.

Në mbledhjen e përbashkët, Komisioni Evropian vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë dhe bëri thirrje për forcimin e efikasitetit të kuadrit të parandalimit të korrupsionit, veçanërisht në sektorët vulnerabël dhe rritjen e efektivitetit të verifikimit të deklaratave të pasurisë. Komisioni Evropian kujtoi gjithashtu nevojën për të adresuar rekomandimet e pazgjidhura të GRECO.