Rama: Shqipëria është në drejtimin e duhur me PS, Qarku i Gjirokastrës i transformuar në turizëm e infrastrukturë

7
Sigal

Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama takohet me gra e vajza të qarkut Gjirokastër. Në fjalën e tij Rama u shpreh se, arsyeja pse ka vendosur që në këtë xhiro të parë të ditëve drejt finishit të bëjë këto takime me gratë dhe vajzat, sepse është krenar për faktin që sot PS ka këtë fuqi të madhe të grave dhe vajzave që i është bashkuar fuqisë së burrave dhe djemve që ka qenë këtu gjithmonë.

“Kemi arritur të kemi 40% gra dhe vajza në PS, që është një shifër e konsiderueshme, por nuk duhet të ndalemi deri kur të bëhet 50%. Dhe unë them nuk duhet të ndalemi deri kur të kemi një grua ose vajzë më shumë se burrat dhe djemtë”, -tha Rama.

 

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se qarku i Gjirokastrës përjeton një transformim të madh në turizëm dhe infrastrukturë, duke sjellë zhvillim ekonomik dhe mundësi për investime.

Rama tha se Përmeti vitin e kaluar ka pritur mbi 150 mijë turistë, ndërsa Gjirokastra 600 mijë.

“Unë dje erdha me Mirelën në Gjirokastër, që nuk jemi akoma në sezon, dhe gjithë Qafa e Pazarit ishte plot dhe nuk është as fundjavë dhe ndërkohë shtohen e shtohen dyert që hapen në këtë qytet. Kur ne morëm detyrën ishin dy-tri dyer ku trokisje për të fjetur, ata që i mbanin hapur përpëliteshin në mbijetesë, sepse nuk kishin numra turistësh për të nxjerrë ndonjë fitim siç nxjerrin të tërë këtu.

“Pa llogaritur që në Përmet – as nuk i shkonte mendja njeriu që të ndalonte në Përmet – Përmeti e mbylli vitin e kaluar me 150 mijë turistë, Gjirokastra me 600 mijë. Po Libohova? Që kur kemi vajtuar në fillim ishte e braktisur totalisht, ku kishte një kafene aty diku që sot ka bujtina pas bujtinash, që hapen. Që mos të flasim për Tepelenën që ishte një xhep fals ku njerëzit vinin vetëm për ngushëllim ose për ndonjë dasmë dhe ata që martoheshin iknin. Imagjinoje, ma ka thënë Tërmeti një herë, nuk e kishim menduar të shikonim bjonde nga Suedia ne duke bërë xhiro në Tepelenë.

Rama u ndal edhe te përmirësimi i infrastrukturës dhe furnizimit me ujë, duke përmendur se shumë fshatra në zonën e Përmetit tani kanë furnizim 24 orë.

“Në Gjirokastër deri dje ku mundësitë për të qëndruar ishin sa gjysmat e njërës dorë. Mbaheshin ato pak dyer hapur me sakrifica, pa llogaritur Përmetin, komplet gjë fallco, i harruar dhe i braktisur”,- tha Rama.

Ndërkohë Rama tha se sot të thuash se janë 150 mijë turistë në Përmet konsiderohet normale dhe mendon se si mund të shtohen më tej.

Vetëm në Gjirokastër, kryeministri theksoi se në vitin 2024 u regjistruan 600 mijë turistë.