Rama: Shqipëria, angazhim për paqen, jo vetëm në rajon

460
Kryeministri Edi Rama pati një takim në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres. Sipas njoftimit zyrtar, në takim u shkëmbyen pikëpamje mbi sfidat e zhvillimit dhe u theksua nevoja e bashkërendimit të kontributeve të të gjithëve në adresimin e këtyre sfidave. Sekretari Guterres përgëzoi Shqipërinë për Integrimin e Objektivave të Zhvillimit te Qëndrueshëm në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit. Situata politike dhe ajo në fushën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor ishin në fokus të takimit. Kryeministri Rama garantoi se Qeveria shqiptare është e angazhuar me përkushtim të lartë për paqen e sigurinë, jo vetëm në rajonin tonë, por edhe me gjerë. Në këtë aspekt, Kryeministri Rama nënvizoi se njohja e Kosovës nga të gjitha vendet është një kontribut i drejtpërdrejtë për sigurinë e stabilitetin e të gjithë rajonit dhe të të gjitha vendeve të tij. Kryeministri Edi Rama po ashtu vlerësoi rolin dhe kontributin e agjencive të OKB në Shqipëri në procesin e reformave. Të premten e shkuar, kryeministri Rama mbajti edhe fjalën e tij përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sigal