Rama për Die Welt: Ju tregoj dashurinë për Merkelin, fallin e filxhanit dhe pse ndërrova gjithë qeverinë

410
Sigal

Gazeta e njohur gjermane “Die Welt” ka intervistuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, i cili vazhdon të hapë atje ekspozita me pikturat e tij duke e kthyer Shqipërinë në sytë e Europës si një vend ku thuajse gjithçka shkon mirë e se asgjë e keqe nuk ndodh.
Ai ka treguar për dashurinë e madhe e të pamohueshme tashmë për kancelaren Merkel,për arsyen pse ndërroi 70% të kabinetit të tij dhe se si e shikon ai të ardhmen. Duke u fshehur pas aliobisë së injorantit të bekuar që nuk mund të parashikojë të ardhmen, Rama ka ironizuar duke thënë se është e pamundur për të të parashikojë gjendjen politike dhe ekonomike të Shqipërisë dhe stabiletetin e saj ne rajon apo akoma dhe me gjërë, në familjen Europiane. Edhe pse sipas tij ka deputetët dhe politikanë që besojnë të falli, ai vetë nuk di ta lexojë filxhanin dhe për këtë s’mund të ketë një përgjegje.

Cila është arsyeja? Tingëllon si një krizë qeveritare?
Rama: Herë pas here kemi nevojë për energji të re, për lojtarë të rinj në fushë, në mënyrë që të mos bëjmë të njëjtin gabim si kombëtarja gjermane e futbollit pas fitores së Kupës së Botës.

Që u eliminua në mënyrë të turpshme që në raundin e parë pas katër vitesh.

Juve ju pëlqen të përdorni metafora sportive, keni luajtur vetë basketboll profesionist. Biografinë e keni të pazakontë. Keni studiuar art përpara se të bëheni kryebashkiak dhe më pas kryeministër. Ku dallon sporti me artin?
Të dyja janë ekzistenciale për mua. Nuk mund të krahasohen. Si artist, punoja tërësisht në vetvete, diçka e brendshme. Në sport punoj jashtë, me të tjerët, për të arritur diçka të përbashkët.

Si kryebashkiak i lyet godinat gri me ngjyra për të dhënë shpresë tek njerëzit në Tiranë. Në atë kohë bëri shumë përshtypje dhe u krijua ideja se arti mund të ndryshojë shoqërinë në mënyrë të qëndrueshme, ndoshta edhe ta përmirësojë atë. A besoni akoma tek kjo? A është artisti një politikan më i mirë?
Rama: Arti nuk mund të ndryshojë shumë gjëra. Ndoshta shkoj larg kur them: nuk ndryshon asgjë fare.

Prisja më shumë idealizëm nga goja juaj…
Rama: Dua të them se arti nuk është në gjendje të parandalojë gjëra të këqija si lufta, dhuna apo konfliktet. Nuk i bën njerëzit më të mirë. Unë thjesht nuk e besoj këtë. Nuk di ndonjë poezi që ka ndaluar ndonjë gjakderdhje. Nuk di që ndonjë pikturë të ketë ndaluar bombat. Natyrisht, unë vlerësoj skulpturat që adresojnë racizimin dhe që ju bëjnë të vetëdijshëm për një tjetër lloj frike.

Çfarë do të thotë të udhëheqësh një vend? Që të jesh përgjegjës?
Rama: Është jeta e çmendur dhe e egër e një njeriu, që duhet të merret njëkohësisht me një numër të jashtëzakonshëm fatesh dhe temash. Nuk është më e lehtë që të menaxhosh një vend të vogël sesa të drejtosh një vend të madh, shumëkush nuk e imagjinon. Shpejtësia e komunikimit është e jashtëzakonshme dhe qasja e njerëzve për mua është shumë e drejtpërdrejtë dhe intensive. Unë vazhdimisht shqyrtoj, gjykoj, marr vendime dhe zhvilloj strategji për të gjetur një mënyrë që vendi ynë të arrijë qëllimet. Toka në të cilën lëviz është gjithmonë në lëvizje. Është si një lojë globale shahu.

A jeni i kënaqur me veten?
Rama: Të mbash postin e kryeministrit është një punë e vështirë. Por nëse do isha i kënaqur, nuk do isha i duhuri për këtë post. Është diçka që duhet të shkojë më tej. Edhe nëse vetë do isha i kënaqur, nuk do ndalesha kurrë, nuk më shkon për shtat. E njëjta gjë është në art. Unë vazhdoj të vizatoj.

Ju udhëtoni shpesh nëpër Europë dhe botë. Si po evoluon Europa?
Rama: Do të bëhet shumë më keq përpara se të bëhet sërish mirë. Për fat të keq, nuk mund të lexoj filxhanin e kafesë, e di që ka politikanë të tjerë që besojnë se janë të aftë ta bëjnë këtë. Unë nuk u përkas atyre. Me të vërtetë nuk mund të parashikoj të ardhmen.

Çfarë mund të bëjmë tjetër për demokracinë në Europë?
Rama: Nëse mund të jem i sinqertë me ju, jo aq shumë. Po u them diçka nga këndvështrimi im. Deri më tani kemi qenë jashtëzakonisht me fat pasi kemi punuar e jetuar në një kohë me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Po, bashkë me Angela Merkel dhe Gjermaninë. Unë sinqerisht shpresoj që ajo të qëndrojë me ne, pasi vizioni i saj nuk humb kaq lehtë. Shpresoj shumë që Gjermania ta kuptojë se nuk është vetëm përgjegjëse për të ardhmen e fëmijëve gjermanë, por edhe të Europës dhe më gjerë. Bëhet fjalë për çështje pushteti mbi të gjitha.

Dhe cila është qasja e vendit tuaj, e popullsisë shqiptare?
Rama: Ende e duam Evropën. Jemi gjithmonë të gatshëm për të dhënë PO. Jemi akoma të dashuruar pasi nuk jemi martuar akoma. Pas martesës do e shohim nëse do jemi ende të lumtur.