Samiti i SEECP në Tiranë, firmoset rezoluta kundër ISIS dhe terrorizmit

254

TIRANE – Trembëdhjetë vendet anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) kanë firmosur ditën e sotme një rezolutë të përbashkët në luftën kundër terrorizmit.

Në samitin e mbajtur ditën e sotme, në kuadër të prezencës së Presidencës së SEECP nga ana e Shqipërisë, prezent në takim ishin Ministrat e Jashtëm të 13 vendeve anëtare, të cilët firmosën rezolutën kundër terrorizmit, por edhe përfaqësues të Bashkimit Europian, të Presidencës letoneze të BE-së dhe të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Në një dalje për mediat në përfundit të takimit, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati tha se rezoluta i firmos me mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare, si një dëshmi e vullnetit të rajonit të Ballkanit, për të qenë krah aleatëve në luftën ekstremizave të çdo forme.

“Sfidat me të cilat përballet rajoni jonë, sa i përket terrorizmit, janë sfida edhe për vetë BE, dhe sigurinë evropiane. Jo pak rëndësi iu kushtua rolit që ka rajoni ynë dhe kontributi që mund të japin vendet jo anëtare të BE, por janë në një linjë me politikat e BE. Së dyti rakordim dhe sinkronizim me qëndrimet tona me çfarë po ndodh në
Lindjen e Mesme dhe të gjitha sfidat që burojnë atje në lidhje me terrorizmin.” tha Bushati

Takimi u përshëndet edhe nga Kryeministri Edi Rama i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas Ramës, vendet e Evropës Juglindore duhet të jenë më të bashkuar që zëri i tyre të dëgjohet në BE, duke ripërsëritur edhe një herë qëndrimin e qeverisë shqiptare se BE i duhet rajonit, po aq sa rajoni i duhet BE-së. Por nga ana tjetër, Kryeministri Rama tha se Bashkimi Evropian, pa vendet e rajonit mbetet i brishtë. 

“Ne në rajon kemi pasur kriza të shumta financiare, kështu për ne është e rëndësishme të theksojmë dimensionin e sigurisë për bashkëpunimin rajonal. Kështu që deklarata e përbashkët kundër terrorizmit që do të miratohet nga ky takim thekson më tepër angazhimin për të vijuar me reformat, për të forcuar shtetin e së drejtës, për të përqafuar bashkëpunimin dhe për të forcuar bashkëpunimin ekonomik. Përballë një Unioni që në vetvete po përpiqet dhe po lufton, ne duhet të jemi të bashkuar, duhet të luftojmë në mënyrë që zërin tonë ta bëjmë të dëgjohet. Dhe duhet të tregojmë dhe të dëshmojmë me veprime se jemi të gatshëm dhe të aftë të japim kontributin tonë. Pa ne BE mund të jetë më e brishtë dhe duhet të bëjmë më të mirën e mundshme që të kuptohemi siç duhet” tha kryeministri Rama 

Ora 12:50 Ciambre: Bashkëpunim më i ngushtë kundër terrorizmit
Ndërkohë edhe sekretari i shtetit rumun, George Ciambre nënvizoi rëndësinë e marrëveshjes së firmosur kundër terrorizmit. Sipas tij, rezoluta ofron mundësinë një bashkëpunimi më të mirë dhe më të ngushtë mes vendeve të SEECP-së.

“Me zhvillimet e fundit, nuk mund të themi se siguria është një proces i kryer. Rajoni jonë është ofrues i sigurisë, por duhet të punojmë bashkë për të arritur rezultatet. Deklarata ofron mënyrat që të realizohet një bashkëpunim më i mirë mes vendeve të SEECP që të shkurtohen rrënjët e ekstremizmit, duke përfshirë faktin se fenomeni i luftëtarëve të huaj kërcënon të gjithë rajonin. Që ta parandalojmë, është shumë e rëndësishme që të realizojmë një bashkëpunim. Takimi i sotëm ka qenë shumë i vërtetë. Ne të gjithë jemi shumë të bindur se mund të qëndrojmë të sigurt dhe të suksesshëm nëse punojmë për përparësi të përbashkëta.” u shpreh Ciambre

Ora 12:45 Ministri bullgar: Shkëmbim informacioni, parandalojmë fenomenin e luftëtarëve të huaj
Ministri i Jashtëm bullgar, Daniel Mitrov tha se marrëveshja e sotme kundër terrorizmit, vjen në një kohë kur rreziku i ISIS dhe akteve të tjera terroriste po kërcënon lirinë. Për këtë sipas Mitrov është i rëndësishëm shkëmbimi i informacioneve mes vendeve me qëllim parandalimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj.

“Përkundër ideologjisë së ISIS duhet të shkëmbejmë informacione. Sa i përket terrorizmit dhe mbështetjes mund të punojmë së bashku. Kur flasim për këtë jam tërësisht i sigurt se kjo temë, dhe temat e tjera, do të jenë pjesë e diskutimeve tona. theksuam rëndësinë shumë të madhe ndërmjet kryetarëve në detyrë, dhe atyre të ardhshëm të SEECP. Gjatë procesit, ne do të vazhdojmë të japim kontributin tonë për përparësitë. Jemi të angazhuar për të forcuar partneritetin tonë për të luftuar ISIS. I japim përparësi për thithjen e fondeve të BE.” tha Ministri Mitrov

Ora 12:37 Bushati: Të bashkuar kundër terrorizmit
Në mbyllje të samitit të SEECP të zhvilluar ditën e sotme në Tiranë, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në një dalje për mediat, bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar në lidhje me bashkëpunimin me vendet e rajonit, në kuadër të sigurisë dhe rrezikut nga terrorizmi si dhe bashkëpunimi ekonomik. Sa i përket sigurisë, Bushati bëri të ditur firmosjen e rezolutës kundër terrorizmit,  e cila siç theksoi ministri është bërë me aprovimin e të gjitha vendeve anëtare.

“Sfidat me të cilat përballet rajoni jonë, sa i përket terrorizmit, janë sfida edhe për vetë BE, dhe sigurinë evropiane. Duke qenë se vendet pjesëmarrëse në këtë iniciativë, patëm mundësi të shkëmbenim pikëpamje me të gjithë vendet tona, dhe u njohëm me projektet që po harton KE, për ta transformuar rajonin, nga pikëpamja infrastrukturore si dhe në aspektin ekonomik për të përballuar sfidat e integrimit. Jo pak rëndësi iu kushtua rolit që ka rajoni ynë dhe kontributi që mund të japin vendet jo anëtare të BE, por janë në një linjë me politikat e BE. së dyti rakordim dhe sinkronizim me qëndrimet tona me çfarë po ndodh në lindjen e mesme dhe të gjitha sfidat që burojnë atje në lidhje me terrorizmin. Është një mundësi e mirë për të gjithë ne për të ulur dhe sheshuar pikëpamjet rreth zhvillimeve të rëndësishme. Fakti se kemi një qëndrim të përbashkët, do të thotë se të gjithë aktorët në tryezë, kanë qenë mbështetës të ëktij qëndrimi. Do të thotë se pavarësisht të ndonjë nuance minore, të gjitha vendet e kësaj platforme kanë një qëndrim të përbashkët për të luftuar terrorizmin.” tha Bushati

Ora 12:10 Thaçi: Kosova duhet të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare
Ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi gjatë punimeve të takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme, të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP), kërkoi nga homologët dhe kolegët e vendeve pjesëmarrëse që të përkrahin përfshirjen e Kosovës në organizata dhe iniciativa të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ministri i Jashtëm Thaçi thekson vendosmërinë e Kosovës për marrëdhënie sa më të mira fqinjësore. Në këtë drejtim, Thaçi kërkoi nga të pranishmit që të përkrahin anëtarësimin e Kosovës, në sa më shumë organizata ndërkombëtare.
 
“Sot mora pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i cili është forumi më i rëndësishëm i bashkëpunimit tonë rajonal. Në një atmosferë të ngrohtë e miqësore, të pranishmit diskutuan për hapat e mëdhenj të ndërmarrë për të arritur një nivel sa më të lartë të bashkëpunimit në rajon. Gjatë fjalimit tim prezantova arritjet e Kosovës në këtë përvjetor të shtatë të pavarësisë dhe theksova vendosmërinë e vendit tonë për të bërë përpjekjet maksimale në kultivimin e një fqinjësie sa më të mirë në rajon. Gjithashtu, kërkova nga homologët dhe kolegët e vendeve pjesëmarrëse që të përkrahin përfshirjen e Kosovës në organizata dhe iniciativa të tjera të rëndësishme ndërkombëtare”, shprehet Thaçi.

Ora 09:35 Rama: Të jemi partner i besueshëm i BE
Kryeministri Edi Rama në fjalën hapëse të tij në samitin e SEECP, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Për kryeministrin shqiptar, Bashkimi Evropian është i brishtë pa Ballkanin, duke përsëritur edhe një herë se rajoni ka nevojë për BE, po aq sa BE ka nevojë për rajonin. Por nga ana tjetër sipas Ramës i duhet dëshmuar BE-së me vepra se rajoni është i gatshëm  për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane.

“Qeveria që drejtoj beson se procesi i Berlinit, por edhe strategji të tjera, na japin mundësi që të përmirësojmë situatën në Ballkanin Perëndimor. Si rezultat, angazhimi do të jetë në procese politike, dhe për të vazhduar edhe më tej bashkëpunimin rajonal. Ne ditën që shkoi festuam 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.  Pas 100 vjetësh rajoni po kalon një periudhë tjetër, që do të kërkojë përpjekje dhe angazhime të tjera. Përballë një unioni që në vetvete po përpiqet dhe po lufton, ne duhet të jemi të bashkuar, duhet të luftojmë në mënyrë që zërin tonë ta bëjmë të dëgjohet. Dhe duhet të tregojmë dhe të dëshmojmë me veprime se jemi të gatshëm dhe të aftë të japim kontributin tonë. Pa ne BE mund të jetë më e brishtë dhe duhet të bëjmë më të mirën e mundshme që të kuptohemi siç duhet” tha kryeministri shqiptar

Në fjalën e tij Rama u shpreh se qeveria që ai drejton, beson fort në idenë se rajoni ka nevojë për BE, po aq sa BE-ja ka nevojë për rajonin e Ballkanit. Por bashkëpunimi ndërmjet vendeve të rajonit, duhet të jetë në gjitha fushat, si në aspektin ekonomik dhe infrastrukturor, ashtu edhe në luftën ndaj terrorizmit.

“Siguria është mjaft e rëndësishme për rajonin tonë. Duke bërë gjithë këtë avancim në drejtim të BE, ne do të jemi më të bashkuar. Jemi të vendosur për sigurinë. Për rezultat ne në rajon kemi pasur kriza të shumta financiare. Në këtë kuadër duhet që të kemi më shumë vëmendje ndaj kërcënimeve për sigurinë që do të hasemi në të ardhmen. Ne në rajon kemi pasur kriza të shumta financiare, kështu për ne është e rëndësishme të theksojmë dimensionin e sigurisë për bashkëpunimin rajonal. Kështu që deklarata e përbashkët kundër terrorizmit që do të miratohet nga ky takim thekson më tepër angazhimin për të vijuar me reformat, për të forcuar shtetin e së drejtës, për të përqafuar bashkëpunimin dhe për të forcuar bashkëpunimin ekonomik. Duhet të sigurojmë pozicionin tonë si partner i besueshëm i BE, por nga ana tjetër duhet të bëhemi një partner pro aktiv i BE. Ne duhet të punojmë edhe më tej që Ballkani të jetë një rajon sa më afër BE. Së pari duhet të sigurojmë pozicionin tonë si partner i besueshëm për BE. Në mënyrë që këto sfida të përballen si duhet, ky rajon i duhet BE, po aq sa BE i duhet këtij rajoni. Nëse ne ia dalim, harmonia dhe prosperiteti në këtë diversitet do të çojnë në hapa përpara. Shqipëria do të jetë një partner shumë i rëndësishëm i Bashkimit Evropian.” tha Rama


Çfarë është takimi i SEECP
​Në takimin e Ministrave të Jashtëm, anëtarë të SEECP marrin pjesë përfaqësues të 13 vendeve anëtare, përfaqësues të Bashkimit Europian, të Presidencës letoneze të BE-së dhe të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC).  Në përfundim të takimit Ministri Bushati së bashku me homologët e Bullgarisë dhe Rumanisë do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. 

Vendet anëtarë të SEECP janë Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Turqia, Kosova, Maqedonia, Kroacia, Mali i Zi,  Serbia, Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Moldavia dhe Rumania.

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), është një forum i rëndësishëm politik në Evropën Juglindore, që synon bashkëpunimin në disa fusha si për paqen, sigurinë, stabilitetin, zhvillimin ekonomik, politik e shoqëror të të gjithë vendeve të rajonit. Kryesimi i SEECP është njëvjeçar dhe kryesinë e radhës e ushtron Shqipëria, duke filluar nga muaji qershor 2014.