Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot nga Fushë-Kruja se 350 apartamentet e fundit të ndërtuara në kuadër të Programit të Rindërtimit do të shpërndahen pas zgjedhjeve, ndërsa janë rindërtuar në gjithë zonën edhe 17 shkolla.
Në një takim përmbyllës elektoral të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, në Fushë-Krujë, Rama prezantoi arritjet kyçe për sektorët më të rëndësishëm dhe sfidat e Shqipërisë 2030 në BE.
Fillimisht kryeministri u ndal te ajo që është bërë për Fushë-Krujën, ku veçoi programin e rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019.
Rama tha se “rikthehemi në këtë stacion për 4 vitet e ardhshme duke e pasur vërtet kokën lart për atë që bëmë në këtë mandat që po mbyllet”.
“Duke filluar pikërisht nga familjet që u goditën prej tërmetit shkatërrimtar dhe që mbetën brenda pak sekondash në qiell të hapur, por mbi të gjitha të goditur shumë fort në shpresën që mund të riktheheshin në një shtëpi, pasi shumica e atyre familjeve ishin më pak të forta dhe më shumë të varfra”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se sot faktikisht janë përmbyllur të gjitha detyrimet me shpërndarjen e 350 apartamenteve të fundit që kanë mbetur vetëm për shkak se u respektua periudha zgjedhore që ka disa rregulla të caktuara.
Ndaj, Rama informoi se në Krujë këto apartamente do të shpërndahen menjëherë pas zgjedhjeve.
“Ne arrijmë në një total prej mbi 1100 shtëpish të reja më të bukura, më të forta dhe mbi të gjitha falas për të gjitha ato familje të cilat sot janë pronare legjitime të atyre shtëpive dhe nuk i kanë asnjë detyrim askujt, aq më pak shtetit”, shtoi Kryeministri.
Nga ana tjetër, kryeministri theksoi se vetëm në këtë zonë janë rindërtuar 17 shkolla.
“Fatkeqësia nuk ishte e mundur të ndalej prej nesh por ajo që bëmë ne për fëmijët e kësaj zone duke iu dhënë mbrapsht 17 shkolla që janë të standardeve më të larta europiane. Është vërtet diçka që na bën krenarë në raport me prindërit e gjithë atyre fëmijëve, për PS-në, për bashkinë që ka bërë një punë të vështirë. Ka qenë një nga pikat më të vështira të rindërtimit Kruja për shkak të tërmetit e çështjeve të pronësisë por Artur Bushi, si gjithmonë ia ka dalë të gjejë zgjedhjet e duhura”, shtoi Rama.