Një studim i ri i botuar në Nature Medicine tregon se ndryshimet në dietë ndikojnë shpejt në shëndetin imunitar dhe metabolik.
Urbanizimi dhe ushqimet e përpunuara po i largojnë shumë afrikanë nga dietat tradicionale, duke kaluar te ato perëndimore. Studiuesit në Tanzani zbuluan se vetëm 2 javë me dietë perëndimore rrisin inflamacionin, dobësojnë imunitetin dhe prishin proceset metabolike. Nga ana tjetër, kalimi te dieta tradicionale afrikane apo konsumimi i pijeve të fermentuara si Mbege solli efekte anti-inflamatore dhe përmirësim në funksionin imunitar.
Studimi përfshiu 77 burra të rinj në Tanzani, të ndarë në tre grupe:
Një grup kaloi nga dieta tradicionale në atë perëndimore.
Një grup bëri të kundërtën.
Një grup shtoi në dietë pijen e fermentuar Mbege.
Mostrat e gjakut treguan se dieta perëndimore shkaktonte inflamacion dhe ulje të reagimit ndaj infeksioneve. Dieta tradicionale, e pasur me çaj, perime, bishtajore, rrënjë, dhe drithëra, përmirësonte shëndetin metabolik dhe ruante mikroflorën e zorrëve.
Dr. Holland tha se dieta perëndimore, e pasur me sheqerna, yndyra të ngopura dhe ushqime të përpunuara, nxit inflamacion dhe stres oksidativ. Kjo mund të çojë në sëmundje kronike. Përkundrazi, dietat tradicionale të pasura me fibra, antioksidantë dhe ushqime të fermentuara mbrojnë shëndetin.
Përfundimi: edhe ndryshimet e lehta në dietë mund të kenë efekte të qëndrueshme. Ruajtja e dietave tradicionale me bazë bimore mund të ndihmojë në parandalimin e sëmundjeve dhe ruajtjen e shëndetit. / Medical News Today – Syri.net