Rama në Rumani, firmoset për njohjen reciprioke të pensioneve

403
Sigal

BUKURESHT – Rumania është shteti i radhës me të cilin Shqipëria firmos marrëveshje për njohjen reciproke të pensioneve të personave që jetojnë e punojnë në dy vendet e Rajonit. Mbështetja sociale që dy shtetet i garantojnë njëri-tjetrit u bë publike gjatë konferencës së përbashkët që kryeministri i Rumanisë Viktor Ponta mbajti me homologun shqiptar Edi Rama, i cili ndodhet atje në një vizitë zyrtare.  

PontaKemi nënshkruar marrëveshje që ka të bëjë me mbështetjen sociale, së shpejti ministrat e dy vendeve do përgatisin projektet në lidhje me implementimin e saj. 

Rama: Rumania është një vend mik që na lidh historia, kultura qindra e qindra studentë si dhe plot emra të njohur e familjarë. Në 18 mars të një viti më parë Ponta erdhi në Tiranë dhe folëm për rrugët e forcimit të bashkëpunimit mes nesh. Sot kam kënaqësinë të them se çka kemi folur ka filluar të kthehet në hapa konkret dhe rezultate konkrete. Firmosëm një marrëveshje të rëndësishme për mbrojtjen sociale, e cila i garanton të gjithë ata që punojnë këtu lidhur me kontributet e tyre. Po ashtu reciprokisht edhe qytetarët rumunë që jetojnë në Shqipëri. 

Marreveshje edhe në arsim dhe energji
Nga kjo konferencë kreu i qeverisë shqiptare njoftoi se një tjetër marrëveshje e rëndësishme është drejt finalizimit. Bëhet fjalë për bursa që do të kenë mundësinë të përfitojnë studentët shqiptarë që do të zgjedhin të studiojnë në fushën e IT-së në Rumani. Po ashtu Rumania dhe Shqipëria pritet të bashkëpunojnë edhe në fushën e energjisë.

RamaJemi në prag të finalizimit të një pjese të rëndësishme që do të sigurohet me marrëveshje mes dy ministrive të arsimit për një kuotë bursash për studentët shqiptarë që do të vijojnë të studiojnë në fushën e IT-së. Po shkojmë drejt finalizimit të një marrëveshje të parë por jo të fundit në fushën e bashkëpunimit për energjinë, për të përfituar reciprokisht nga energjia që nga burimi. 

Rumania ekspertizë Shqipërisë në procesin e integrimit në BE
Kryeministri Ponta tha se gjatë takimit me Ramën u bisedua për ekspertizën dhe mbështetjen që Rumania do të japë në procesin e integrimit evropian të vendit tonë.

Ponta: Rumania do vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm në rajon. Të forcojë marrëdhëniet e mira me vendet e BE-së dhe me ato që ende nuk bëjnë pjesë në BE. Sikundër aderimi i Shqipërisë në NATO përbën hap pozitiv për forcimin e sigurisë në të gjithë rajonin. Gjithashtu edhe integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të përbëjë një mbështetje pa dyshim nga Rumania.

Rama: I jam mirënjohës kryeministrit Ponta për gatishmërinë për të mbështetur projektin tonë të përbashkët me BE për një rrjet ekspertësh për ministritë dhe agjencitë tona që do të na ndihmojnë në procesin e integrimit dhe përgatitjen e negociatave për në Bashkimin Evropian.

Rama: Rumania të njohë Kosovën!
Kryeministri shqiptar zgjodhi t’i përsërisë edhe njëherë kryeministrit Ponta, kërkesën që Rumania të njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Rama: Kërkesa ime e përsëritur, e fundit jo për nga rëndësia, Rumania më në fund ta njohë Kosovën dhe të japë mundësi Kosovës të shkojë më tutje në procesin e njohjeve duke i përfshirë në familjen e vendeve të mëdha demokratike e partnere që tanimë e kanë njohur Kosovën.  Ne besojmë që sot njohja e Kosovës nuk është një çështje biletarale, por një çështje e përbashkët e sigurisë së hapësirës sonë të përbashkët evropiane, por edhe e fuqizimit që të tjera forca të mos ndikojnë përmes frustrimit.