Rama në Paskuqan: Rrjeti energjitik mbi 40 vite, do ta transformojmë

482
Zona informale Paskuqan-Babrru-Bathore po kthehet në modelin e asaj sesi kontributi qytetar për formalizimin e sektorit të energjisë elektrike po u rikthehet sërish atyre në formën e investimeve. Deri në muajin nëntor 2015, kjo zonë shënoi një rritje të ndjeshme në nivelin e arkëtimeve të energjisë së faturuar në masën 116%. 11 mijë abonentë debitorë iu përgjigjën formalizimit të sektorit, duke lidhur aktmarrëveshjet me OSHEE. Falë edhe këtij kontributi, për herë të parë ka nisur një investim i rëndësishëm, ndërtimi i rrjetit të ri 20 kV dhe i tensionit të ulët me linjat ABC për këtë zonë. Kryeministri Edi Rama inspektoi ecurinë e investimit në terren, ku po punohet për ndërtimin e 380 kilometra linjë e re, nëntokësore dhe ajrore. 
“Gjithë ky volum i madh investimesh që nuk janë bërë ndonjëherë në një rrjet shpërndarjeje të amortizuar, që në 80% të vetin është mbi 40 vjeç, nuk është as më shumë e as më pak kontribut i qytetarëve dhe familjeve që i dhanë mundësi ringritjes së shtetit dhe rivendosjes së rendit ligjor në këtë sektor, duke i dhënë fund një epoke të turpshme një njolle të zezë në fytyrën e vendit tonë dhe për të kontribuar për të mbuluar një gropë të madhe, të trashëguar nga e shkuara. Ne do të bëjmë çmos që jo vetëm për këtë zonë ku transformimi do të jetë rrënjësor dhe ku përfitimi i familjeve do të jetë cilësor, por në gjithë Shqipërinë, gjithsekush ta ndjejë vlerën e investimit që bën, duke paguar energjinë elektrike. Nuk është taksë, nuk është një pagesë që shkon në drejtim të paditur, por është një kontribut financiar që po fuqizon një kompani që e gjetëm në agoni dhe që po mundëson normalizimin e jetës së vendit në këtë sektor strategjik,” – u shpreh Kryeministri, me një falenderim për mbështetjen qytetare të përpjekjeve për formalizimin e sektorit të furnizimit me energji elektrike.
Zona Paskuqan-Babrru-Bathore paraqitet një problematikë të rëndë sa i përket infrastrukturës elektrike, ku 70% e kabinave janë ngritur tërësisht jashtë kushteve teknike nga vetë banorët, ndërsa rrjeti elektrik nuk i përgjigjet ritmit të zhvillimit urbanistik të zonës. Ky investim me vlerë 1.7 miliardë lekë do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me energji për 80 mijë banorë të saj. Ardian Çela, Drejtori i OSHEE, ndërsa shpjegoi parametrat e investimit, tha se ai do të nisi të bëhet efiçent duke nisur nga fundit i këtij viti.
“Janë 6 lote, kantiere që kemi hapur në gjithë zonën Paskuqan-Babrru-Bathore. Vlera e investimit është 1.7 miliardë lekë të reja. E mira e këtij investimi është se duke e ndarë në 6 lote këto mund të hynë në punë në mënyrë të pavarur. 70% e investimit do të hyjnë në efiçencë brenda viti të ri, pjesa tjetër brenda fundit të marsit. Preken 20 mijë abonentë, rreth 80 mijë banorë, ku do të ketë 200 kilometra kabull ABC ajror dhe 180 kilometër kabull 20 kV, linjë nëntokësore. E gjithë kjo zonë e ka linjën 6 kV ajrore, ne kemi filluar ta bëjmë nëntokësore. Po ndërtojmë 180 kabina dhe po montojmë 3500 shtylla, do bëjmë 6 fidera të rinj. Kjo do të kthehet në një zonë model,” – tha Çela.
Pas këtij investimi rritet ndjeshëm cilësia e furnizimit me energji elektrike, pasi nga 6 kV, tensioni në rrjet do të jetë 20 kV. Rrjeti i ri do të eliminojë edhe vjedhjet përmes lidhjeve të dyfishta, pasi linjat e reja ABC e pamundësojnë atë dhe për pasojë sjell edhe uljen humbjeve në rrjet deri në 8%. 
“Jemi në një zonë ku aktualisht humbjet janë 45% dhe ne parashikojmë që me përfundimin e këtij investimi, humbjet teknike do zbresin në 8%. Një mesazh që duam të japin është se nuk ka vetëm përmirësimin e cilësisë së furnizimit, nuk ka vetëm uljen e ndërhyrjeve të paligjshme ndaj sistemit, por edhe rritja e arkëtimeve që kemi pasur po i kthehet banorëve me investime. Është rritur arkëtimi, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014, 116%. Vetëm në këtë zonë kemi pasur mbi 11 mijë aktmarrëveshje dhe ne po ia kthejmë qytetarëve gjithë këtë përgjegjshmëri që treguan për kthimin e ligjshmërisë në sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike, me investime. Në vitin 2016 kemi menduar bashkë me ministrinë të ndërtojmë edhe një nënstacion në këtë zonë. Kjo do të kthehet në një zonë model jo vetëm për Tiranën, por për gjithë Shqipërinë, do të ketë cilësi maksimale të furnizimit, sepse rrjeti do jetë 20 kV dhe nuk do të ketë ndërhyrje në rrjetin e shpërndarjes, pra, vjedhje energjie,” informoi drejtori i Sektorit të Shpërndarjes. 
Kryeministri Rama siguroi se investimet e parashikuara deri në vitin 2018 do të transformojnë sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike, nga një sektor i mbijetesës në përfitimi për qytetarët.
“Unë jam i bindur që vitet 2016, 2017 do të jenë vite në të cilat qytetarët do ta ndjejnë drejtpërdrejtë të mirën e madhe që po krijojmë sëbashku. Ashtu siç jam i bindur se programi ynë strategjik për ta kthyer të gjithë këtë sektor në një sektor fitimprurës për Shqipërinë dhe shqiptarët, në harkun e viteve që vijnë do të marrë përmasën e vet më të plotë në vitin 2018. Liberalizimi i tregut dhe transformimi i këtij sektori në një sektor që jo vetëm nuk mbijeton me taksat e qytetarëve, por përkundrazi, ju kthen qytetarëve dhe i kthen vendit, përfitime, është një mrekulli e përbashkët, le ta themi, sepse askush nuk e besonte që kjo mund të ndodhte dhe që mund të ndodhte në një hark kohor kaq të shkurtër.” 
Sigal