Rama: Koalicion me çdo forcë që dëshiron rotacionin, asnjë votë s’duhet të shkojë dëm!

388
Sigal

Kreu i PS-së, Edi Rama gjatë një konferencë online (në rrjetin social Tvvitter dhe Facebook”) siguroi se, pavarësisht prurjeve të reja në parti, deputetët socialist aktual nuk do të ndryshojnë.

Mandati i parë qeverisës
Pyetjes se a do mjaftonte një mandat si kryeministër për të rimëkëmbur vendin, me anë të “Rilindjes Kombëtare”, Edi Rama tha se, mandati i parë do shërbejë për t’u kthyer besimin shqiptarëve.
I pyetur nga një qytetar nëse me ardhjen në pushtet të socialistëve institucionet e pavarura duhet të kenë frikë apo siguri, Rama tha se: “Rotacioni do të sjellë frikën nga ligji jo frikën nga qeveria”.
Koalicionet
“Partia Socialiste do të bëjë koalicion me çdo forcë politike në vend, që dëshiron rotacionin”. Kjo ishte përgjigjja që kreu i PS-së, Edi Rama i dha pyetjes së një qytetari, i cili kërkonte arsyet pse Partia Socialiste do të pranonte të bënte aleancë me LSI-në për zgjedhjet e qershorit.
Kodi Zgjedhor
Kreu i PS-së teksa pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet e qershorit vlerëson se, Kodi Zgjedhor aktual është i duhuri për një nivel përfaqësimi që PS kërkon.
Deklarata e Fyles për Referendumin ndaj 3 ligjeve
Rama ka komentuar edhe deklaratën e komisionerit për zgjerim Stefan Fyle, i cili një ditë më parë reagoi për nismën e qeverisë shqiptare për të mbajtur një referendum. Qëndrimin e Fyles që referendumi për 3 ligjet është në kundërshtim me frymën e përfshirjes, Rama e vlerësoi si shprehje të së vërtetës se është qeveria aktuale që ka bllokuar rrugën e Shqipërisë për në BE.
Pronat
Rama premtoi se, me ardhjen e socialistëve në pushtet do t’u jepet certifikata e pronësisë. “Do të japim certifikatën e pronës për të gjithë ata që kanë 20 vjet që e kanë dhe punojnë tokën po s’kanë titullin e pronësisë”, tha Rama.
Shëndetësia
Duke iu referuar sistemit të shëndetësisë në vend, Kryesocialisti Rama tha se socialistët do të blejnë shërbimin shëndetësor me qëllim ofrimin e tij, sipas nevojës.
Siguria ushqimore
Shqetësimit të qytetarëve për sigurinë ushqimore Rama u përgjigj se PS: “Së pari, jemi të vendosur që shqiptarët të marrin shërbime publike sa më të sigurta, por duke filluar nga siguria e shëndetit. Së dyti, gjykojmë që sa më shumë të rritet siguria e prodhimeve tona ushqimore, aq më shumë do të rritet vlera në treg”.