Aleatët, ja ministritë që do ti kërkojmë Berishës

495
Sigal

Flasin krerët e partive të djathta Nard Ndoka, Ekrem Spahia, Dash Shehi dhe Adriatik Alimadhi: “Marrëveshja është 7 mijë vota për një post zëvendësministri”

 Lajmi se Nard Ndoka ka kaluar përfundimisht, në listën emërore ka ngjallur një lloj xhelozie tek partitë e tjera të djathta, por në fakt asnjë prej krerëve të koalicionit të djathtë nuk pranon të komentojë lajmin, pa u zbardhur plotësisht e vërteta. Nga ana tjetër, të gjithë pranuan se janë në fazën fillestare të negociatave, ku secili do të shpërblehet sipas numrit të votave, por edhe sipas tradicionit patriotik të subjektit politik, pa harruar këtu edhe besnikërinë në vite ndaj PD-së. Nga ana e tij, vetë Ndoka u shpreh se, marrëveshja për emrin e tij, nuk ka përfunduar ende, por tanimë nuk ka asnjë dyshim, se Ndoka është njeriu më i qetë brenda koalicionit. Kjo gjë nënkupton, se emri i tij, tanimë është “qepur” dhe firmosja mund të jetë një çështje formaliteti. Nga ana tjetër, ai pranoi se gjatë marrëveshjes partiake është një gjë normale që të diskutohet edhe për përfitimet paszgjedhore. Dhe në këtë kuadër, Ndoka tha se, për 7 mijë vota llogaritet një post zëvendësministri dhe për 14 mijë vota 2 poste zëvendësministrash. I pyetur nëse ai do t’i kërkojë Berishës postin e ministrit të Brendshëm, Ndoka tha se, ende nuk është folur për këtë gjë. Ndërsa kreu i Legalitetit, Ekrem Spahia u shpreh se, Partia e Legalitetit nuk e kushtëzon PD-në për ndonjë post, apo për përfaqësim në listë, por gjithsesi vetë PD-ja do të gjejë një mënyrë konvertimi, për kontributin e legalistëve. Gjithashtu, kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi tha se, “ballistët nuk  e shohin pushtetin si një lopë për ta mjelë, por si një ngarkesë përgjegjësie që i takon në kuadrin e koalicionit”. Dhe Dash Shehi nga ana e tij tregoi arsyet pse u rikthye në një koalicion me Berishën.

 Nard Ndoka

Zoti Ndoka është folur shumë për mundësinë e emrit tuaj në listën e PD-së. Sa qëndron e vërteta?

E vërteta nuk është tamam kështu. Por deri tani ne vazhdojmë të jemi në periudhën e negociatave. Nuk kemi mbërritur ende tek listat.

A mendoni se përfshirja e emrit tuaj mund të xhelozojë partitë e tjera?

Këtu nuk ka punë xhelozie. Kjo është çështje e një marrëveshje të gjerë, ku të gjithë duhet të dalin të fituar. Por mbi të gjitha, ka rëndësi që koalicioni ynë të shpallet fitues me shumicë votash.

Sa vota i kërkojnë Partisë Demokristiane për një post ministri?

Kjo që thatë ju, nuk është shumë e saktë. Sepse nuk ka klauzola të tilla, por projektmarrëveshja jonë synon bashkimin e kontributeve në mënyrë që asnjë votë të mos na shkojë dëm.

Pra, ju mund të pohoni se emri juaj ndodhet në listën e Partisë Demokratike, apo jo?

Unë mund të pohoj vetëm faktin se jemi në fazën e negociatave. Synimi i Partisë Demokristiane është përfaqësimi në Kuvend. Dhe natyrisht marrjen e asaj që meriton nga rezultatet e 23 Qershorit.

Po nëse edhe partitë e tjera demokristiane kërkojnë të njëjtën, gjë çfarë duhet të bëjë Berisha?

Ne jemi një parti e krijuar që në vitin ‘91 dhe nuk jemi njëlloj me këdo tjetër. Natyrisht secili ka pretendimet dhe kërkesat e veta, por ne nuk diskutojmë fare për askënd. Ne shohim vetëm mbarëvajtjen e Partisë sonë, e cila ka krijuar një tradicion dhe një elektorat shumë të qëndrueshëm.

 Zoti Ndoka, a mos do të thotë kjo se ju po riktheheni në gjirin e partisë mëmë duke u shkrirë me të, njëlloj si Pollo, apo ndonjë tjetër?

Jo, kjo që thoni ju nuk ka lidhje fare. Ne jemi një parti me një identitet të spikatur e të qëndrueshëm. As nuk bëhet fjalë fare për shkrirje të partive, por për marrëveshje korrekte midis aleatëve.

Sa vota kërkohen nga koalicioni për një post ministri?

Po ju them se marrëveshje ët tilla bëhen në të gjithë botën, ku ka klauzola të veçanta edhe për numrin e votave, kundrejt posteve zyrtare. Por ne nuk luftojmë për poste. Ne duam atë që na takon, në bazë të meritave që kemi. Ndërsa për të shuar kureshtjen  tuaj, unë po ju them se zakonisht, për një post zëvendësministri, kërkohen 7 mijë vota, ndërsa për dy poste të tilla, 14 mijë vota. Por këto po u them, sa për të mos ua lënë kuriozitetin të ndezur, sepse në fakt, nuk kanë ndonjë rëndësi dhe as nuk janë të shkruara gjëkundi.

A ka ndonjë problem fakti se ju do të jeni në një koalicion, të majtë e të djathtë së bashku, ku njëra parti do festojë Ditën e Çlirimit më 28 Nëntor kurse tjetra, më 29 Nëntor?

Jo, kjo s’ka të bëjë fare. Tani të gjithë duhet të mobilizohemi për të çuar sa më përpara kauzën e Shqipërisë. Dhe për t’u integruara sa më shpejt në Evropë, por mbi të gjitha për të përshpejtuar rritjen e buxhetit familjar të qytetarëve.

A ka problem, që në partinë tuaj mund të ndodhen edhe njerëz të dyshimtë, apo me dyshime kriminale?

Unë ju siguroj, se në partinë time nuk do të ketë asgjë të tillë. Sepse Partia jonë është me të vërtetë e pastër nga të gjitha këto që përmendët.

A u trembët, atë ditë kur Frroku, u përmend si kandidaturë e demokristianëve?

Jo, aspak. Fotografitë që u përfolën janë një blof mediatik, sepse të gjithë e dimë se në foto mund të dalë kushdo me këdo. Ndërsa përgjegjësitë për ngjarjet e mëvonshme janë personale. Kështu që nuk jam shqetësuar fare.

A keni biseduar me Berishën, kokë më kokë për marrëveshjen tuaj?

Kur të vijë momenti mund të bisedojmë. Tani sfida kryesore e koalicionit tonë është fitorja e zgjedhjeve.

A do të kërkoni postin e ministrit të Brendshëm pas zgjedhjeve, në rast se fitoni?

Në fillim ne kërkojmë përfaqësimin në Kuvend dhe mbrojtjen e votave tona në komisionet përkatëse zgjedhore. Pastaj, të tjerat vijnë sipas kontributeve…

Dash Shehi: Pse u bashkova me Berishën

“Unë kam qenë gjithmonë kritik, por pa iu larguar llogores së djathtë,  antikomuniste”. Kjo ishte deklarata e bërë nga kreu i Lëvizjes Kombëtare për Zhvillim, Dashamir Shehi, i cili shtoi se: “Edhe këtë radhë kam vendosur të futem në fushatë, ashtu si gjithmonë, në mënyrë korrekte dhe palëvizur nga bindjet e mia të djathta”.

Ju keni qenë gjithmonë kundër Berishës në qëndrimet ndaj zhvillimeve politike çfarë ka ndodhur tani?

Unë kam qenë gjithmonë kritik, por pa iu larguar llogores së djathtë,  antikomuniste. Këtë radhë kam vendosur të futem në fushatë, ashtu si gjithmonë, në mënyrë korrekte dhe pa lëvizur nga bindjet e mia të djathta.

Kjo tregon se keni ndryshuar ju, apo Berisha?

Po e përsëris edhe njëherë se nuk ka ndryshuar as Berisha, as unë. Sepse nuk kemi moshë të ndryshojmë. Ndërsa vendimin për t’u bërë në një koalicion me të ma dikton ligji elektoral.

Çfarë posti do i kërkoni Berishës?

Këto janë pyetje të parakohshme.

A do ta kërkoni ta keni emrin në listën e PD-së?

Jo, nuk do kërkoj dhe do të provoj përsëri mundësitë e brendshme të partisë. Shpesh, ose gjithmonë e kam treguar edhe i vetëm se çfarë rezultatesh kam marrë. Këtë do e tregoj edhe më 23 Qershor.

 Kreu i Ballit Kombëtar Adriatik Alimadhi: Koalicioni nuk mund t’i trajtojë “ca të nënës dhe ca të njerkës”

 Kjo marrëveshje nuk nënkupton që “ca të jenë të nënës dhe ca të njerkës”. Këtë gjë theksoi Kryeballisti, Adriatik Alimadhi, i cili vuri në dukje faktin se partia e tij nuk e trajton pushtetin si një lopë që gjithkush nxiton ta vjelë, por si një marrje përgjegjësie për vendin.

 Zot Alimadhi a do të jeni në listën e Partisë Demokratike për deputet?

Kjo është çështje e marrëveshjes që do të firmosin të gjitha partitë e koalicionit tonë.

A keni dëgjuar nëse ndonjë prej jush, do të jetë në listën e PD-së si kandidat?

Jo, nuk kam dëgjuar, por kjo marrëveshje nuk nënkupton që ca të jenë të nënës dhe ca të njerkës. Pra, marrëveshja do të jetë në bazë të parametrave të barabarta për të gjithë. Duke filluar që nga pesha patriotike dhe tradicionale e çdo partie, e deri tek kontributet e dhëna në vite, natyrisht duke futur edhe numrin e votave të marra nga çdo subjekt.

A ju ka thirrur Berisha deri tani?

Kjo do të ndodhë kur të bëhen negociatat. Deri tani, jemi ende në fazën e studimeve dhe diskutimeve në përgjithësi.

Ju çfarë posti ministri, do të kërkoni?

Ne nuk luftojmë për poste, por për dinjitetin e vendit. Dhe ne nuk e trajtojmë shtetin si një lopë, që partitë të bëjnë garë, se kush do ta mjelë. Nga ana tjetër ne e shikojmë marrjen e posteve si marrje përgjegjësish, për të dhënë kontribute. Mos harroni se Balli Kombëtar është një parti dinjitoze që ka nxjerrë burrat më të shquar të këtij kombi, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mjafton të kujtojmë këtu, Mit’hat Frashërin, i cili ishte patrioti dhe idealisti më i madh i asaj kohe në këtë vend.

Sa zv.ministra do kërkoni pas 23 Qershorit?

Ne jemi një parti tradicionale, në aspektin e patriotizmit kombëtar dhe Kryeministri Sali Berisha, e di fare mirë këtë. Ai e di, gjithashtu, se këto gjëra që po fliten sot, në politikën shqiptare, Balli Kombëtar i ka kërkuar para 60-70 vjetëve.

Kreu i PLL-së Ekrem Spahia: “Ne nuk e kushtëzojmë PD-në, ajo e di vetë”

Ne nuk mund të kushtëzojmë Partinë Demokratike që të jemi patjetër në listën e saj, por jemi të bindur se PD-ja do të gjejë mënyrat e duhura për të vlerësuar përkushtimin tonë dhe besnikërinë tonë, gjatë gjithë kësaj periudhe 22- vjeçare. Kështu u shpreh, kreu i legalitetit, Ekrem Spahia i cili nënvizoi rezultatin e lartë të kësaj partie në zgjedhjet e fundit për pushtetin lokal.

  Cili është synimi juaj, për zgjedhjet e 23 Qershorit?

Synimi ynë kryesor është për të kontribuar sa më shumë, në fitoren e koalicionit tonë. Kjo duhet të ndodhë për të mirën e begatisë së Shqipërisë?

A do të kërkoni që emri juaj, të vihet në listën e deputetëve të PD-së, apo jo?

Ne nuk nisemi nga këto interesa në besnikërinë tonë ndaj koalicionit. Por nisemi nga programet e përbashkëta të koalicionit tonë, për integrimin e Shqipërisë në BE dhe për rritjen e mirëqenies. Deri tani ne, si parti kemi arritur një rezultat shumë pozitiv të synimeve tona?

Cili është ky rezultat?

Ne kemi arritur që të sensibilizojmë domosdoshmërinë e rishkrimit të historisë dhe deri tani kemi, mundur të lartësojmë figurën e Mbretit Zog, i cili ka vlera të jashtëzakonshme patriotike, humane dhe intelektuale. Në lidhje me këto arritje, ne ndjehemi të vlerësuar dhe të kënaqur.

Si e parashikoni rezultatin e votave të partisë suaj, në këto zgjedhje?

Ne, në zgjedhjet lokale që lamë pas, kemi arritur rezultatin më të lartë dhe prandaj, do të synojmë që jo vetëm ta ruajmë këtë rezultat, por edhe ta çojmë më tej, atë.

A mendoni se ndonjë prej krerëve të Partive të vogla, ka kaluar që tani në listën e deputetëve të PD-së?

Ne nuk merremi me askënd tjetër, përveçse me problemet tona. Nuk bëjmë thashetheme dhe nuk kemi asnjë xhelozi ndaj ndokujt. Qëllimi jonë është të përfaqësohemi denjësisht, më 23 Qershor.

Çfarë kushtesh do t’i vini PD-së për zgjedhjet e 23 Qershorit?

Asnjë lloj kushti. Ne nuk mund të kushtëzojmë Partinë Demokratike që të jemi patjetër në listën e saj, por jemi të bindur se PD-ja do të gjejë mënyrat e duhura për të vlerësuar përkushtimin tonë dhe besnikërinë tonë, gjatë gjithë kësaj periudhe 22 vjeçare. Për këtë, jemi krejtësisht të bindur.

Neritan Ceka: Kam dhënë dorëheqjen

 Zoti Ceka çfarë do të kërkojë partia, Aleanca Demokratike, nga Berisha, pas 23 qershorit?

Unë kam dhënë dorëheqjen dhe nuk mund të them asgjë në lidhje me pyetjen që bëni.

Po a do e ndiqni rezulattin e partisë tuaj në zgjedhje?

Për të gjitha këto pyetje që keni duhet t’i adresoheni zotit Arben Demeti. Unë nuk jam më kryetar i partisë.