Aldo Bumçi katandiset në ministër i Vjedhjeve të Monumenteve të Kulturës

482
Sigal

Ekskluzive/Skandali i ri i Ministrisë së Kulturës. Vidhet Kisha 300-vjeçare e Gjithë Shenjtorëve në Himarë

Ka mëse 15  ditë që janë vjedhur  nga Kisha 300- vjeçare e Gjithë Shenjtorëve në Himarë  9 kolona të ikonostasit të shekullit të XVIII. Ndonëse është lajmëruar ministri i Kulturës, Aldo Bumçi për këtë vjedhje, askush nuk është shqetësuar, nuk është vënë në lëvizje, askush nuk është përpjekur që të gjejë vjedhësit, askush nuk është interesuar, që të bëhen të gjitha përpjekjet që ikonat e vjedhura të gjenden. Kjo është e vërteta e hidhur e katandisje së monumenteve të Kulturës në Shqipëri, në ditët që është ministër Aldo Bumçi. Aldo Bumçi, ministri i Vjedhjeve të Monumenteve të Kulturës. Veçse kështu mund të cilësohet një ministër i Kulturës në shekullin e 21-të, teksa në Shqipëri, këto kohë, vidhen vepra dhe monumente kulture me rëndësi jo vetëm kombëtare, por që tashmë janë pjesë e trashëgimisë botërore të Kulturës, sikurse afresket e Onufrit. Pak ditë më parë, Aldo Bumçi ishte ftuar nga deputetët e Komisionit  Parlamentar të Mjeteve të Informimit për të raportuar për gjendjen aktuale të monumenteve të Kulturës, ku dha një informacion dhe u zotuar se ministria dhe ai vetë po bëjnë gjithçka që të përkujdesohen monumentet e Kulturës që…ende kanë mbetur pa u vjedhur e dëmtuar. Ministri Aldo Bumçi gënjeu edhe Komisionin Parlamentar, sepse ai, si ministër, ishte në dijeni që Kisha 300-vjeçare e Gjithë Shenjtorëve në Himarë ishte vjedhë dhe, me papërgjegjshmërinë politike dhe morale,  nuk informoi asnjë, përkundrazi, u tha krejt lajme të rrema deputetëve. Edhe pse kanë kaluar mëse 40 ditë nga kjo tragjedi kulturore, i vetmi person, që është përgjegjës për trashëgiminë kulturore në Shqipëri, ministri Aldo Bumçi ende nuk ka vajtur deri në kishën e Shën Premtit në Valës që të interesohet nga afër për dëmin e afreskeve të Onufrit. Edhe pse Aldo Bumçi është lajmëruar para 15 ditëve nga vjedhja e ikonave në Kishën 300-vjeçare të Gjithë Shenjtorëve në Himarë, asnjë përpjekje. Kisha 300-vjeçare e Gjithë Shenjtorëve në Himarë është vjedhur gati dy  javë më parë, ndërsa institucionet e kulturës nuk e bëjnë lajmin publik.  Vjedhja e Kishës është denoncuar nga Gentian Stratobërdha, arkitekt, restaurator dhe drejtor për Trashëgiminë në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Hajdutët kanë shkulur nga ikonostasi   9 kolona të ikonostasit të shekullit të XVIII. Stratobërdha thotë se, objekti është monument kulture, ndërsa sqaron se elemente të rëndësishme të dekoracionit të brendshëm të saj, janë ikonostasi prej druri të gdhendur dhe tavani. Eksperti thotë se, në këtë kishë, gjendej një ndër të paktët ikonostase origjinale, i realizuar në shekullin e 18-të, i gdhendur thellë, dhe i restauruar së bashku me kishën disa vite më parë.  Ndërkohë, deputeti i Partisë Socialiste Auron Tare, në një prononcim për “Telegraf”, ka komentuar këtë vjedhje: “Akoma nuk ka kaluar disa ditë nga dëshmitë e ministrit të Kulturës në Komisionin e Medias,  se si ai do të na mbronte Trashëgiminë Kulturore. Vjedhja e kësaj Kishe prej gati 15 ditësh tregon se, jo vetëm Ministria e Kulturës nuk ekziston më, por tashmë ajo ka filluar që t’i fshehë lajmet për këto grabitje. Grabitje, të cilat dalë ngadalë po zhduk memorien kombëtare”.