Analizë nga Prof.Dr.Kastriot Islami: ‘Transparency International’ dëshmoi se Shqipëria ka rrëshqitur në nivele të frikshme të korrupsionit, pasi Rama ka ngritur një sistem të organizuar korruptiv që në terminologjinë botërore njhet si ‘Kapje e Shtetit’. Ai është akuzuar nga OSBE, si zotërues i pasurive prej miliona USD dhe së bashku me klientët e tij, kontrollojnë të gjitha asetet kombëtare. Ligjet e porositura nga oligarkia, vrasja nga shteti, revolta e të rinjve, humbja e shtëpive dhe kapja e drejtësisë
Prof. Dr. Kastriot Islami, ish -kryetar i Parlamentit
International Transparency: Shqipëria ka rrëshqitur në këto nivele të frikshme të korrupsionit për arsyen e vetme se qeveria Rama ka ngritur një sistem të organizuar korruptiv të një niveli shumë të lartë, që në terminologjinë ndërkombëtare njihet si KAPJE E SHTETIT
TI – 2020: Rama, së bashku me klientelën e tij, ka kapur për fyti shtetin
Gazeta Telegraf
Prof. Dr. Kastriot Islami, ish -kryetar i Parlamentit në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke analizuar raportin e International Transparency, shprehet se Rama dhe klientela e tij, kontrollojnë të gjitha asetet kombëtare për interesat tyre korruptive. “Kapja e Shtetit” është niveli më i lartë dhe më i organizuar i korrupsionit qeveritar, ndërkohë që qytetarët paguajnë kapjen e shtetit duke humbur shtëpitë, me shërbime mizerabël, institucionet qeveritare në shërbim të interesave private. Prof. Islami pohon se Reforma në Drejtësi nuk arriti të sigurojë një Gjyqësor të pavarur. Prof. Islami, duke përfunduar intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se gjithçka që shkruhet në raportin e IT janë arsyet themelore të revoltës së të rinjve.
Kjo është një mënyrë për t’i mundësuar Ramës, klientelës së tij dhe të korruptuarëve të mbajnë pushtetin, të pasurohen çdo ditë e më shumë, por edhe t’i shpëtojnë ndëshikimit, duke përdorur pushtetin apo paratë e vjedhura
– Prof. Islami, siç është bërë me dije për publikun, Organizata ndërkombëtare Jo-Qeveritare ‘Transparenca Ndërkombëtare’, ka publikuar raportin e përvitshëm për nivelin e korrupsionit në botë e rajon, përfshi edhe Shqipërinë. Sipas jush, si do të mund të artikulohej me pak fjalë përfundimi kryesor i këtij raporti për Shqipërinë?
– Është e vërtetë se këto ditë, Organizata më e madhe ndërkombëtare, e njohur për luftën kundër korrupsionit, IT- ‘International Transparency’ ka botuar raportin vjetor për vitin 2020 edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria stigmatizohet në mënyrë konkrete. Shqipëria rezulton vendi me korrupsionin më të lartë në Europë dhe për rrjedhojë edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Por ajo që është më specifike për këtë periudhë është se Shqipëria ka rrëshqitur në këto nivele të frikshme të korrupsionit, për arsyen e vetme se qeveria Rama ka ngritur një sistem të organizuar korruptiv të një niveli shumë të lartë, që në terminologjinë ndërkombëtare njihet si KAPJE E SHTETIT. Thënë ndryshe, Rama, qeveria e tij, së bashku më klientelën politike, sipërmarrëse dhe mediatike, kanë kapur për fyti dhe fuqimisht shtetin.
Ekzistojnë shembuj të shumtë në qeverinë Rama kur individë apo grupe të fuqishëm pranë tyre përdorin korrupsionin për të hartuar politikat ekonomike e miratuar ligjet të “porositur” nga qeveria e parlamenti për interesat e tyre private
– Ju, si e shpjegoni që kjo organizatë ndërkombëtare, IT, që sponsorizohet nga Soros, ka goditur kaq rëndë Ramën dhe qeverinë e tij, gjë që nuk ka ndodhur më parë?
– Është shumë e rëndësishme, së pari të merret një informacion i saktë për këtë organizatë. Nga të dhëna të besueshme rezulton se Transparency International (TI) është një organizatë joqeveritare gjermane e themeluar në 1993. Me qendër në Berlin. Qëllimi i saj jofitimprurëse është të ndërmarrë veprime për të luftuar korrupsionin global me masa civile anti-korrupsion dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale që vijnë nga korrupsioni. Publikimet e tij më të dukshme përfshijnë ‘Barometrin Global të Korrupsionit’ dhe ‘Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit’. Transparency International ka statusin ligjor të një shoqate vullnetare gjermane (Eingetragener Verein), që shërben ndërkohë si një organizatë ombrellë. Numri i anëtarëve të saj është rritur nga disa individë në më shumë se 100, sepse shumë individë janë rekrutuar për të shkruar kapituj, ku evidentohet korrupsioni në disa nga vendet që paraqiten në raport. TI është ndërkohë anëtare e ‘Think Tanks G20’; ka status konsultativ për UNESCO-n, është anëtare e Kompaktit Global të Kombeve të Bashkuara, bën pjesë në Rrjetin e Zgjidhjeve të Qëndrueshme të Zhvillimit dhe ndan qëllimet e paqes, drejtësisë, institucioneve dhe partnerëve të Grupit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm. Çështja e sponsorizimit të IT është diskutuar shumë edhe në median ndërkombëtare. Një nga sponsorizusit e IT janë edhe Fondacionet e Soros. Por drejtuesit e IT vazhdojnë t’i qëndrojnë mendimit se IT, është një organizate jo-qeveritare, e pavarur dhe e paanshme. Ndërkohë, që kritika të shumta ndaj IT vijnë nga vende, të cilat IT e shpjegon se ato vende janë stigmatizuar nga IT për nivele të larta të korrupsionit.
Qytetarët e thjeshtë e paguajnë kapjen e shtetit duke humbur shtëpitë e tyre, me shërbime publike mizerabël, dhe duke humbur besimin te demokracia, sepse i shohin institucionet qeveritare në shërbim të interesave private
– Në këtë kontekst, çfarë mund të thuhet për raportet e saj për korrupsionin në Shqipëri?
– Për të qenë i sinqertë e kam të vështirë t’i jap një përgjigje shteruese kësaj pyetjeje, sepse nuk zotëroj të gjithë analizat e këtyre 7 vjetëve të qeverisjes Rama nga IT për të bërë një ballafaqim me realitetin shqiptar. Pa u futur në këtë analizë, ndonëse dikush tjetër edhe mund të zotërojë atë, mendoj se përfundimet e IT për vitin 2020, janë në përputhje të plotë me gjithçka ka thënë gjatë këtyre viteve opozita dhe analistë seriozë shqiptarë. Edhe sikur të ketë qenë ndryshe më parë duhet pranuar se raporti i 2020, e karakterizon gjendjen e korrupsionit në Shqipëri dhe kapjen e shtetit nga Rama në terma realiste. Dikush që është i bindur se një gjë e tillë nuk ka ndodhur më parë do të pyeste: si shpjegohet kjo? Përgjigja ekstreme, duke respektuar bindjen (pa e hetuar atë për saktësinë e saj) do të ishte:
- i) ose gjërat kanë shkuar aq larg me korrupsionin dhe kapjen e shtetit sa askush nuk mundet më t’i fshehë ato,
- ii) ose edhe ata që ata që konsiderohen “miqtë” e Ramës e kanë të pamundur të mbrojnë nivelin e korrupsionit shumë të lartë të qeverisë së tij,
iii) ose ndoshta edhe “miqtë” e tij ja kanë hequr vijën një autokrati të korruptuar që ka kapur për fyti shtetin për interesat e tij personale, apo të klientelës së tij.
Pa u futur në këto hipoteza e supozime, le të kapim thelbin e raportit aktual: Shqipëria nën drejtimin e Ramës është vendi më i korruptuar në Europë dhe nga më të korruptuarit në planet, për më tepër që për herë të parë thuhet se Rama për interesa të tij dhe të klintelës pranë tij ka kapur shtetin! Kjo është shumë e rëndë për vendin! Dhe shqiptarët duhet të reagojnë fuqimisht, sepse ky është thelbi i të gjithë të keqijave që ata përjetojnë!
Mendoj se gjithçka shkruhet në raportin e IT për vitin 2020, janë disa nga arsyet themelore të revoltës shpërthyese e të protestave të të rinjve shqiptarë, ndërkohë që vrasja makabër nga policia e Klodian Rashës është maja e asjbergut që shërbeu për shpërthimin e kësaj revolte
– Është hera e parë që në një raport ndërkombëtar flitet për kapje të shtetit nga qeveria Rama?
– Në mënyrë kaq eksplicite dhe direkte mendoj se është hera e parë që unë dëgjoj të flitet për ‘Kapje të Shtetit” në mënyrë konkrete nga një kryeministër që drejton një vend anëtar të NATO-s dhe që bën përpjekje për të hapur negociatat me BE. Ndonëse ky është një realitet i hidhur e i trishtueshëm që njihet mirë prej 7 vjetësh nga të gjithë shqiptarët, duke ndikuar shumë në varfërimin e tyre të vazhdueshëm e shkatërrimin e shpresës së tyre, duke i kthyer shqiptarët në këto 7 vjet në azilkërkuesit e parë në vendet e BE-së. Por kjo është edhe një e vërtetë e padiskutueshme në raportet konfidenciale të kancelarive të të gjithë vendeve europiane. Kam lexuar të flitet më parë për “kapje të shtetit” edhe në një raport “konfidencial” për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor nga një ekspert i njohur i BE, por pa cituar në mënyrë konkrete Shqipërinë. Nëse ky fakt do të merrej parasysh, përmendja në raportin e IT të vitit 2020 të “kapjes së shtetit” nga Rama dhe klientela e tij, do të ishte hera e dytë… Edhe në këtë këndvështrim ku përfundim është shumë i rëndë, për të mos thënë një mesazh shumë i qartë për shqiptarët!
Rama dhe klientela e tij e ngushtë, ose thënë në mënyrë më të përgjithshme, politikanët dhe klientela e tyre kontrollojnë të gjithë asetet kombëtare për interesat e tyre korruptive, për qëllime pasurimi të paligjshëm, por edhe për t’ju shmangur ndëshkimit…
– Cili është sipas jush përfundimi përmbledhës dhe më pikant i këtij raporti?
– Më një gjuhë telegrafike do të thoja se esenca e këtij raporti është: Rama dhe klientela e tij e ngushtë, ose thënë në mënyrë më të përgjithshme, politikanët dhe klientela e tyre, kontrollojnë të gjithë asetet kombëtare për interesat e tyre korruptive, për qëllime pasurimi të paligjshëm, por edhe për t’ju shmangur ndëshkimit…
– Çfarë konkretisht nënkuptohet në këtë raport me kapje të shtetit nga Rama dhe klientela e tij?
– Në raport shkruhet konkretisht: Eksistojnë shembuj të shumtë në qeverinë Rama, kur individë apo grupe të fuqishëm pranë tyre, përdorin korrupsionin për të hartuar politikat ekonomike e miratura ligjet të “porositur” nga qeveria e parlamenti për interesat e tyre private. Kjo është një mënyrë për t’i mundësuar Ramës, klientelës së tij dhe të korruptuarëve të mbajnë pushtetin, të pasurohen çdo ditë e më shumë, por edhe t’i shpëtojnë ndëshikimit, duke përdorur pushtetin apo paratë e vjedhura.
– Sipas raportit të IT për vitin 2020, cila mendohet se është pasoja kryesore e këtij korrupsioni, apo kapjes së shtetit në jetën e qytetarëve të thjeshtë?
– Më lejoni të përsëris se “kapja e shtetit” është niveli më i lartë dhe më i organizuar i korrupsionit qeveritar ku janë të implikuar me ndërgjegje kryeministri Rama, ministra të tij dhe e gjithë kupola pranë tij, e cila përfiton si pushtet të pamerituar, ashtu edhe pasuri të paligjshme nga kjo skemë e madhe korruptive. Nga ana tjetër, në raport shkruhet e zeza mbi të bardhë se “…qytetarët e thjeshtë e paguajnë kapjen e shtetit duke humbur shtëpitë e tyre, me shërbime publike mizerabël, dhe duke humbur besimin te demokracia, sepse i shohin institucionet qeveritare në shërbim të interesave private…” të Ramës dhe të klientelës së tij që kanë kapur shtetin.
Qeveria e Shqipërisë ka miratuar shumë ligje të porosituara për të i) dhënë kontrata të privilegjuara, ii) për të krijuar monopole; iii) dhe për të angazhuar zyrtarë më aftësi të ulta por të aftë për të bërë korrupsion…Të gjithë këto ligje kanë krijuar mjedisin që korrupsioni të lulëzojë
– Prof. Islami, sa e përhapur është kjo dukuri në Shqipëri?
–Për fatin tonë të keq kjo është e kudopranishme dhe ka filluar të ideohet dhe realizohet me ardhjen e Ramës në krye të qeverisë, ndërkohë që Rama është i vetmi personazh në këto 30 vjet që ka ardhur në krye të qeverisë i “akuzuar” nga zyra e Prezencës së OSBE-së si zotërues i një pasurie prej 200 milionë dollarë të fshehura në një llogari off shore në emër të të vëllait, gjë që nuk është kundërshtuar asnjëherë publikisht, apo përmes gjykatës nga Rama, ndërkohë që fakti i qenies së tij për 11 vjet në krye të bashkisë së Tiranës, e bënte shumë të besueshëm këtë lajm nga një zyrë serioze. Le t’i kthehemi pyetjes suaj. Në raport thuhet se “…Këto dukuri ndodhin kudo, në të gjitha nivelet e pushtetit, nga qeveria deri në bashkitë, në të gjithë degët e ekzekutivit. Lidhjet korruptive të përfitimeve reciproke janë përdorur për të abuzuar me pushtetin që zotërojnë Rama dhe klientela e tij dhe për të forcuar lidhjet e tyre klienteliste…”
– Zoti Islami, a ka mundur që drejtësia e reformuar të ndikojë sadopak në ndëshkimin e këtyre dukurive?
– Nuk po jap opinionin tim personal që racionalisht e me guxim e kam bërë publik disa herë, duke shpresuar të paktën që lexuesi juaj e ka tashmë të qartë. Por po ju perifrazoj se çfarë shkruhet në raportin e IT e vitit 2020 për pyetjen që më drejtoni: “….Vetëm një Gjyqësor i pavarur e i paanshëm do të mund të stoponte korrupsionin dhe kapjen e shtetit…Në këtë rast korrupsioni i niveleve të larta do të mund të ndëshkohej, për rrjedhojë qeveria, institucionet publike dhe sektorët vartës, do të mund të ishin të kontrolluara nga Gjyqësori. Fatëkeqësisht në Shqipëri, Rama drejtëpërdrejtë por edhe drejtuesit e lartë të qeverisë, kanë dëmtuar pavarësinë e paanshmërinë e proceseve gjyqësore për të siguruar pandëshkueshmërinë e korrupsionit të tyre dhe të anëtarëve të tjerë të niveleve shumë të larta. Shpesh, sistemi gjyqësor kundër krimeve ka dështuar në hetimin, akuzimin dhe ndëshkimin e rasteve të korrupsionit të individëve të niveleve shumë të larta…”. Fatëkeqësisht ky përshkrim i zymtë evidenton dy shqetësime të mëdha: i) reforma në drejtësi nuk ka arritur të sigurojë një Gjyqësor të pavarur e të paanshëm për të mundësuar efikasitetin e synuar në luftën kundër korrupsionit të niveleve shumë të larta dhe kundër kapjes së shtetit; ii) Rama dhe klientela e tij kanë vazhduar të pasurohen në mënyrë të padrejtë e të ruajnë pushtetin e tyre ilegjitim, duke siguruar ndërkohë edhe mosndëshkimin e tyre, një realitet shumë i rëndë që ka shkatërruar besimin e qytetarëve te demokracia dhe shteti ligjor.
– Çfarë kanë bërë konkretisht Rama dhe klientela e tij për të kapur shtetin?
– Unë e shumë të tjerë si unë, e kemi jo vetëm të qartë se çfarë ka bërë Rama dhe klientela e tij për të kapur shtetin, për të kapur për fyti shtetin dhe zaptuar institucionet publike, por edhe e kemi thënë me zë të lartë, por këtë rradhë po ju vë në dispozicion se çfarë shkruhet në Raportin e IT për vitin 2020: “…Shpesh për t’ju shmangur ndëshkimit nga korrupsioni, hartohen dhe miratohen ligje të “porositura”/skicuara vetëm për t’i shërbyer interesave të ngushta private të Ramës apo një grupi oligarkësh pranë tij. Interesa që natyrisht janë kundër interesit publik. Më konkretisht përmes këtyre “ligjeve të bëra me porosi”, synohet t’ju jepen mundësi eksluzive klientelës, për të grabitur pasuritë apo pronën publike, për të dobësuar institucionet publike apo për të penguar e deri ndaluar gjykatat të ndëshkojnë veprimet korruptive të qeverisë.
–A thuhet gjë në raport se për çfarë ligjesh konkrete bëhet fjalë?
– Gjithçka ka stigmatizuar prej 7 vitesh opozita, apo shumë nga ligjet e kthyera mbrapsht nga Presidenti në mënyrë të argumentuar, apo shumë nga analizat e ekspertëve më të mirë vendas, kanë qenë për çështje konkrete të kapjes së shtetit dhe besoj janë të qarta dhe në mendjen e shumicës së shqiptarëve. Për të “qartësuar” mendjen e publikut po vendos se çfarë shkruhet lidhur me pyetjen tuaj në Raportin e IT për vitin 2020: “… Qeveria e Shqipërisë ka miratuar shumë ligje të porosituara për të i) dhënë kontrata të privilegjuara, ii) për të krijuar monopole; iii) dhe për të angazhuar zyrtarë më aftësi të ulta por të aftë për të bërë korrupsion. Të gjithë këto ligje kanë krijuar mjedisin që korrupsioni të lulëzojë…”
Rama është i vetmi personazh në këto 30 vjet që ka ardhur në krye të qeverisë i “akuzuar” nga zyra e Prezencës së OSBE-së si zotërues i një pasurie prej 200 milionë dollarë të fshehura në një llogari off shore në emër të të vëllait
– Po ndonjë rast konkret, a jepet në raport për Shqipërinë?
– Rastet janë të shumta për shqiptarët. Dhe që në hyrje të raportit të IT për 2020, jepet një shembull konkret për të cilin në Shqipëri është bërë “zhurmë” e madhe dhe besoj shumica janë në dijeni “…Përmes një ligji i është dhënë kompanisë ‘A.N.K. Shpk’, e afërt me PS në pushtet, e drejta e ndërtimit të një rruge 172,2 km të gjatë me një vlerë 300 milionë euro, ose 12 herë më të lartë sesa vlera e parashikuar nga qeveria…”. Duhet thënë, një shembull kaq konkret sa ky, nuk jepet për disa nga vendet e BP, përveçse Turqisë, Shqipërisë së drejtuar nga Rama dhe Maqedonisë së drejtuar nga Gruevski?!
– Zoti Islami, si mendoni, çfarë impakti kanë pasur reformat integruese të BE-së për të luftuar korrupsionin dhe shgmangur kapjen e shtetit?
– Dihet tashmë nga të gjithë shqiptarët fakti që për herë të shtatë qeverisë Rama i refuzohet hapja e negociatave nga vendet kryesore të BE-së, për shkak të “korrupsionit të lartë qeveritar dhe lidhjeve të qeverisë me krimin e organizuar vendas e ndërkombëtar….”. Por le të “harrojmë” për momentin këtë fakt. Le t’i referohemi sa shkruhet në raportin e IT për vitin 2020 për çështjen që ju me të drejtë ngrini në pyetjen tuaj: “… Nga ana e strukturave europiane janë bërë përpjekje kolosale për të hartuar rregulla, për të bërë transparencën e nevojshme dhe për të ngritur institucione të besueshme me synimin për të luftuar kapjen e shtetit, por të gjitha këto përpjekje janë minuar nga drejtuesit e qeverisë që përmes praktikave të tyre kanë favorizuar në mënyrë prioritare fitimet e tyre private dhe kapjen e shtetit.”
– Sipas këtyre përfundimeve gjendja e kapjes së shteti në Shqipëri duket shumë shqetësuese. A ka zgjidhje?
– Edhe si përgjigje të pyetjes suaj nuk po jap opinionin tim që tashmë besoj është njohur nga publiku dhe veçanërisht nga lexuesit e gazetës tuaj, por përmes asaj që shkruhet në median ndërkombëtare: “…Bazuar në përfundimet e këtij raporti të IT për vitin 2020, Shqipëria në të gjithë artikujt ndërkombëtarë, konsiderohet/cilësohet, vendi më i korruptuar në Europë, ku qeveria Rama ka kapur fuqimisht shtetin…”. Jam i gatshëm t’u vë në dispozicion disa nga “linket” e këtyre artikujve.
Reforma në Drejtësi nuk ka arritur të sigurojë një Gjyqësor të pavarur e të paanshëm për të mundësuar efikasitetin e synuar në luftën kundër korrupsionit të niveleve shumë të larta dhe kundër kapjes së shtetit
– Prof. Islami, a mendoni se kjo gjendje e korrupsionit dhe e kapjes së shtetit në Shqipëri ka pasur ndikim në protestat e të rinjve gjatë 6 ditëve të fundit?
– Pa asnjë dyshim…Ndikimi i gjithë kësaj kapje të shtetit është pa asnjë dyshim varfërimi i thellë i qytetarëve dhe familjeve shqiptare, disa prej të cilëve ndodhen në gjendjen e varfërisë ekstreme. Kjo ka shkaktuar humbje të shpresës të shoqëruar me një revoltë shpërthyese tek një pjesë shumë e madhe. Mendoj se gjithçka shkruhet në raportin e IT për vitin 2020, janë disa nga arsyet themelore të revoltës shpërthyese e të protestave të të rinjve shqiptarë, ndërkohë që vrasja makabër nga policia e Klodian Rashës është maja e asjbergut që shërbeu për shpërthimin e kësaj revolte.
– Faleminderit!