Rama-Basha, “shigjeta” për ndihmën ekonomike

528
Kryeministri deklaron se njerëzit refuzojnë të punojnë, ndërsa fabrikat po falimentojë nga mungesa e punëtorëve. Basha: Banda qeveritare në ekskursionin e fundjavës
Kryeministri Rama dhe kreu i opozitës Basha kanë replikuar në distancë lidhur me ndryshimin e skemës së ndihmës ekonomike, që ka lënë mijëra familje pa pagesat mujore që siguronin më parë. Nga Berati, ku mblodhi këtë fundjavë qeverinë, kryeministri Rama mbrojti skemën e ndihmës ekonomike, duke u shprehur se një pjesë e atyre që janë larguar nga skema, janë persona që refuzojnë të punojnë. “70% e atyre që kanë pretenduar të përfshihen e nuk janë përfshirë në skemë, janë persona nga 24 deri në 45 vjeç, plotësisht të aftë për punë dhe unë nuk mund ta pranoj që investime të kryera, – po marr shembuj në zonën e Delvinës, për fabrika, – të rrezikojnë të falimentojnë për shkak se nuk shkon njeri të punojë. E nga ana tjetër, ata që janë të aftë për punë, të kërkojnë ndihmë ekonomike, ndërkohë që iu ofrohet punë. Unë nuk mund të pranoj që një investim i kësaj natyre të jetë ndoshta i falimentuar sot, në Skrapar, ku vendet e punës janë të lira dhe mbeten bosh pasi nuk pranojnë të punojnë. Unë nuk mund të pranoj që e njëjta gjë të ndodhë në Gjirokastër dhe po kështu kudo tjetër. Po flas për raste konkrete, investimesh konkrete, fabrikash konkrete që nuk arrijnë dot të vihen në punë ose që punojnë komplet jashtë çdo lloj mundësie për të mbijetuar sepse njerëzit nuk duan të punojnë. Këtë nuk mund ta pranoj”, deklaroi Rama. Sipas tij, ata që refuzojnë të punojnë, mund të thonë, “pse të shkoj unë të punoj për 300 mijë lekë apo për 350 mijë lekë apo pse do shkoj unë të punoj për 400 mijë lekë”. “Kemi rastin e një fabrike në Durrës, ku rrogat janë 450 mijë lekë dhe ka plot vende bosh. Sigurisht që nuk është një rrogë si e imja apo si e juaja, por është pesë, gjashtëfish dhe shtatëfish më shumë se sa mesatarja e ndihmës ekonomike”, deklaroi shefi i qeverisë. Por, mes atyre që kanë mbetur jashtë, Rama pranoi se mund të ketë edhe familje vërtet në nevojë. “Jemi në proces verifikimi dhe rivlerësimi. Ka raste që nuk përputhet rezultati i skemës me familje në nevojë dhe do të gjendet rruga për t’i përfshirë këto familje në këtë skemë”, vijoi Rama. Sipas kryeministrit, skema e ndihmës ekonomike po përdoret politikisht nga opozita. “Në këtë fazë do të shikoni përditë histori manipulimi me këto raste”, u shpreh kryeministri.

Reagimi i opozitës
Deklaratat e kryeministrit Rama në Berat se një pjesë e personave, të cilët merrnin ndihmë ekonomike, refuzojnë të punojnë ka shkaktuar edhe reagimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ai thotë se realiteti flet ndryshe nga ato çka thotë kryeministri Rama. “A ka njeri që e beson mashtrimin e Ramës nga Berati se njerëzit preferojnë të marrin 50 mijë lekë ndihmë ekonomike në vend që të punësohen me rroga 400 mijë lekëshe??? Realiteti flet vetë me gojën e këtyre banorëve të Beratit, aty ku banda qeveritare po harxhon sot e nesër miliona lekë për ekskursionin e fundjavës, por asnjë kacidhe për njerëzit në nevojë ekstreme”, shkruan kryedemokrati Basha, duke publikuar edhe një kronikë televizive ku flitej për heqjen e ndihmës ekonomike për disa familje në nevojë. Ndërkohë, Konferenca e Kryetarëve në Kuvend ka vendosur që në datën 15 mars do të zhvillohet mocioni me debat me kryeministrin i kërkuar nga opozita për heqjen e ndihmës ekonomike për disa familje. Partia Demokratike dorëzoi kërkesën, ku theksohet se përjashtimi nga ndihma ekonomike është abuziv, i bërë në procedura aspak transparente, në tejkalim të përcaktimeve ligjore dhe, me shumë gjasë, në kushtet e ndjekjes penale. Sipas PD, nga skema e ndihmës ekonomike janë më shumë se 20 mijë familjeve ekstremisht të varfra në të gjithë vendin që janë hequr nga skema e ndihmës ekonomike.
Krijohet Fondi Social
Kryeministri Edi Rama njoftoi dje se është miratuar krijimi i Fondit Social që shkon në drejtim të decentralizimit të shërbimeve sociale. “Por jo vetëm kaq, bën të mundur krijimin e një fondi të përbashkët mes bashkive dhe qeverisë dhe të gjitha ato financime që deri më sot janë bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qendra pra, nga lart, nga qeveria në komunitet, tani janë në dispozicion të atyre që aplikojnë për të marrë pjesë në këtë proces për të dhënë shërbime sociale, për të ngritur qendra të shërbimit social, gjë që nuk është një shpikje e jona, është një eksperiencë dhe një praktikë e mirë në shumë vende, edhe në rajon dhe që ne besojmë se do të na japë një përmirësim të ndjeshëm në këtë aspekt”, tha Rama. Sipas tij, qeveria autorizon bashkitë për të ngritur shërbimet sociale sa më pranë nevojave dhe sa më pranë kërkesave specifike të komuniteteve dhe të qytetarëve e në çdo bashki.
Sigal